Dhuna ndaj Strazimirit, mungon Ndoka e Ndreu, prokuroria kërkon të sillen me forcë në gjyq

Feb 9, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

Është mbajtur sot në Gjykatën e Lartë seanca e 3-të për konfliktin e ndodhur në ambjentet e Parlamentit, mes deputetëve socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka me atë demokrat Gent Strazimiri.

Sherri në Kuvend

Në seancë munguan dy deputetët e akuzuar nga Strazimiri e PD, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të cilët nuk kanë paraqitur asnjë shkresë mbi arsyen e mungesës. Ata u përfaqësuan nga avokatët. Në këto kushte prokuroria ka kërkuar sjelljen e tyre me forcë në gjykatë për të dëshmuar, nëse refuzojnë thirrjen e gjykatës, por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata dhe u vendos mbajtja e një tjetër seance gjyqësore.

Në seancën e sotme dëshmoi deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, e cila shfaqet edhe në videon e ngjarjes duke ndarë deputetët.

Deputetja Spahiu ka deklaruar se ndodhej me disa libra në dorë në drejtim të bibliotekës kur ndodhi sherri. Sipas saj Ndoka i është afruar Strazimirit, në dukje miqësisht, por më pas e ka goditur.

Spahiu nuk dha detaje se çfarë është biseduar mes tyre: “Sepse isha në fund të korridorit”, mësohet të ketë thënë ajo në sallën e gjyqit. Zonja Spahiu tha se nuk ka arritur të shohë më goditje.

Ndreu më herët ka deklaruar se vetëm e ka prekur Strazimirin.

Në seancë ishin thirrur për të dëshmuar edhe deputetët Cara dhe Prenga, por nuk janë paraqitur për të dëshmuar.

Reagon Halimi pas seancës 

Pas përfundimit të seancës ka reaguar në një prononcim për mediat deputeti demokrat, Eduard Halimi, duke thënë se proçesi po zvarritet qëllimisht nga deputetët socialistë.

“Zvarritja e proçesit po vjen nga mungesa e qëllimshme e disa deputetëve të cilët janë thirrur nga gjykata dhe sot Prokuroria me të drejtë kërkoi shoqërimin e tyre të detyrueshëm në rast se vazhdojnë ta zvarrisin këtë proçes”, tha ai duke nënvizuar se ajo që bie në sy është përpjekja e avokatëve, “por dhe kolegëve që duan të bëjnë avokatin, e dy deputetëve të cilët kryen krimin e goditjes për shkak të detyrës në sallën e parlamentit”.

Në fjalën e tij Halimi i bëri thirrje sërish gjykatës të proçedojë me shpejtësi.

“PD i kërkon edhe sot gjykatës që të proçedojë me shpejtësi, të përfundojë proçesin dhe të zbardhë një orë e më parë vendimin ku atë që e panë të gjithë shqiptarët, krimin e rëndë të goditjes,agresionit të dy deputetëve dhe të japë dënimin siç parashiokohet nga ligji dhe Kushtetuta e vendit.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë proçesin deri ditën kur do të jepet vendimi ashtu sikurse i kemi kërkuar edhe gjykatës edhe prokurorisë që edhe dëshmitarë të tjerë, deputetë të tjerë, kolegë të tjerë të cilët kanë marrë pjesë gjatë ngjarjes të marrin pjesë në proçes, sepse atë që e kanë parë të gjithë shqiptarët, goditjen, krimin e goditjes ndaj deputetit Strazimiri vetëm deputetët e PS dhe avokatët e tyre nuk e kanë parë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura