Dhuna e policisë në Korçë, verifikohen kamerat e sigurisë, në kërkim vëllai i Tomi Mishës

Feb 23, 2015 | 21:38
SHPËRNDAJE

Tomi Misha i dhunuari nga Policia

Veç arrestimit të 31-vjeçarit Tomi Misha, Policia e Korçës ka shpallur në kërkim edhe vëllain e tij, duke e akuzuar atë për dhunën ndaj efektivëve të rendit.

Mësohet se nga verifikimi i kamerës së një banke nga grupi hetimor rezulton se ka qenë Ernest Misha, 27 vjeç, ai që ka goditur efektivin e pezulluar Robert Memelli. Që prej së premtes kur ndodhi ngjarja në mes të qytetit të Korçës, është përmendur vetëm emri i Tomi Mishës, i cili u dhunua nga punonjësit e Policisë, pas një aksidenti. Por dje u mësua se, veç të arrestuarit 31-vjeçar, policia po kërkon dhe të vëllanë më të vogël. Vetë Tomi Misha ndodhet në Spitalin e Korçës, pas dëmtimeve fizike që ka pësuar nga keqtrajtimi që ka pësuar dhe në qelitë e policisë, siç pretendojnë dhe familjarët e tij. Çështja është në dorë të Prokurorisë, por duhet të priten disa ditë para se të dalin konkluzionet për shkaqet dhe shkallën e dëmtimit të të riut.

Teksa hetimet vijojnë, Avokati i Popullit ka dërguar një përfaqësues të tij në qytetin e Korçës, për të nisur një hetim administrativ të posaçëm lidhur me rastin e dhunimit të 31-vjeçarit. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë tërhequr gjithë dokumentacionin e nevojshëm pranë Prokurorisë së Korçës dhe bënë të ditur se për të dhunuarin Tomi Misha, ashtu sikundër për efektivët e Policisë, është duke u zhvilluar një hetim paralel edhe nga ky institucion.

“Pas publikimit të videos amatore, filloi hetimi me iniciativë mbi këtë shqetësim. Në këto rrethana, ne erdhëm në qytetin e Korçës dhe realizuam një hetim të pavarur administrativ, i cili ka konsistuar në marrjen e deklarimeve në radhë të parë të personit të dëmtuar, i cili ishte shtruar në spitalin e Korçës, por gjithashtu edhe në marrjen e deklarimeve të punonjësve të Policisë, që kishin dijeni për rrethanat e hetimit”, u shpreh përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Petrit Azemaj. Sipas tij, organi i Prokurorisë po kryen hetimet e veta korrekte dhe objektive.

“Nga ana tjetër, ne si përfaqësues të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur kushtetues, duke parë në video veprimin flagrant të punonjësve të Policisë, kemi marrë informacionin e nevojshëm. Do të shkojmë të kryejmë një analizë me kabinetin dhe Avokatin e Popullit e në një kohë rekord do të dalim me përfundimet tona dhe me rekomandime për veprimet, shkeljet konkrete dhe personat përgjegjës”, u shpreh Petrit Azemaj, përfaqësues i Avokatit të Popullit. Sipas tij, nga hetimi rezulton se polici i dëmtuar Robert Memelli është goditur nga vëllai i Tomi Mishës, i cili është në kërkim. Sipas mjekëve, gjendja e të arrestuarit është stabilizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura