Detajet/ Vrasësit s’e shpërthyen makinën e biznesmenit, kur panë se bomba ra në tokë

Feb 10, 2016 | 12:19
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Biznesmeni Nuredin Suli i shpëtoi dje atentatit me eksploziv, pasi atentatorët panë se pakoja me tritol ra përtokë, teksa makina nisi të ecte.

“Panorama” shkruan se nga veprimet hetimore ka rezultuar se bomba nuk ka shpërthyer, jo sepse ka pasur ndonjë problem në lidhjen e saj, por vetëm sepse autorët nuk kanë realizuar telefonatën që mund ta aktivizonte.

Ky veprim, sipas hetimeve paraprake, me shumë mundësi nuk është kryer, pasi autorët mund të kenë mbajtur nën vëzhgim biznesmenin Suli dhe pasi kanë parë që bomba ka rënë nga mjeti i tij, nuk e kanë kryer shpërthimin.

Megjithatë, për të parandaluar shpërthimin e minës, policia kërkoi bllokimin e valëve të celularëve, më pas u bë çaktivizimi i bombës.

Burimet thanë se është verifikuar karta e celularit që ishte ngjitur me tritolin dhe rezulton i regjistruar në një emër fiktiv. Karta është blerë në tregun e zi me emër të rremë, çka e bën të vështirë identifikimin e autorëve të ngjarjes.

 

Sekuestrohen videot, ç’filmuan kamerat e sigurisë

Në kuadër të hetimeve për autorësinë e atentatit me eksploziv, nga i cili shpëtoi për fat dje biznesmeni Nuredin Suli, policia ka sekuestruar videot e regjistruara nga kamerat e sigurisë në qendrën tregtare te Komuna e Parisit.

nuredin-suliNga verifikimi i kamerave të sigurisë së qendrës tregtare, në parkingun e së cilës u gjet mina me celular, është zbuluar se pakoja bombë kishte rënë nga një automjet tip “Mercedez Benz”, me targë “AA 667 GT”, e cila kishte qenë e parkuar aty për disa orë.

Mjeti, sipas Policisë, i përket biznesmenit të hidrokarbureve, Nuredin Suli, i cili jeton bashkë me familjen në një prej pallateve pranë qendrës tregtare.

Si provë të rëndësishme, grupi hetimor ka sekuestruar disa video të regjistruara nga kamerat e sigurisë, në parking dhe jashtë tij, gjatë orëve të fundit, kur automjeti ka qenë i parkuar.

Por, ende nuk është verifikuar nëse mina është montuar nga autorët brenda parkingut apo jashtë tij. Ajo që dihet është fakti se Suli është mbajtur në vëzhgim nga atentatorët.

Në një prononcim për “News 24” Suli tha dje se nuk ka konflikte të tjera përveçse me familjen Sula.

Biznesmeni tregoi se ka kërkuar mbrojtje për të vëllanë që në vitin 2013 nga Policia dhe i ka kërkuar kësaj të fundit që të shuajë konfliktin me familjen Sula.

Ai tha se u njoftua nga personeli i garazhit se në automjet kishte lëndë eksplozive dhe se njoftoi menjëherë policinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura