Detajet/ Si u ekzekutua djali i mjekut në Vlorë, pistat ku po heton policia. E shkuara në Belgjikë nga ku …

May 25, 2020 | 10:50
SHPËRNDAJE

Detaje te reja nga vrasja e 25-vjeçarit, qe u ekzekutua me kallashnikov orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në zonën e njohur si “7 pallatet” në Vlorë.

Ngjarja që ka tronditur gjithë qytetin ndodhi ditën e festës së Fiter Bajramit, disa metra larg banesës së të riut. Viktima është Kristian Breshanaj, ndërsa në drejtim të tij është qëlluar dhjetë herë.

Viktima, Kristian Breshanaj
Viktima, Kristian Breshanaj

Sipas burimeve të Policisë, pesë nga plumbat e kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit, çka i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme të riut.

Viktima mësohet se është djali i një reminatori të njohur në qytetin e Vlorës, ndërsa kishte vetëm tri muaj që ishte kthyer nga Belgjika. Dyshimet për ekzekutimin e tij, Policia i hedh në të kaluarën e tij në shtetin belg, ndërsa hetohet edhe për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur kohët e fundit në vendin tonë.

NGJARJA

Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit. Ndaj 25-vjeçarit është qëlluar nga një automjet, i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Breshanaj ishte duke shkuar në banesën e tij, ndërsa autorët i kanë bërë pritë pak metra para se të futej në portë. Gjithçka thanë burimet, ka qenë e mirëmenduar. Autorët e kanë kryer “misionin” e tyre në një moment kur lëvizje në zonë thuajse nuk kishte fare.

Pasi kanë qëlluar me breshëri ndaj të riut, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për të mos lënë gjurmë më tej, ata kanë djegur makinën e krimit vetëm 1 kilometër nga vendi i ngjarjes, në lagjen “10 korriku” të qytetit të Vlorës. Policia e ka gjetur automjetin tip “BMW” me targa greke, të paidentifikueshme dhe të paregjistruar, nën flakë.

Brenda tij, Policia ka arritur të gjejë edhe armën me të cilën dyshohet se është qëlluar ndaj 25- vjeçarit, por automjeti dhe arma tip kallashnikov ishin të shkrumbuara thuajse plotësisht, si pasojë e flakëve të zjarrit. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë Policia, e cila ka bërë rrethimin e vendit të ngjarjes, ndërsa ka nisur hetimet për kapjen e autorëve të atentatit ndaj 25-vjeçarit.

AUTORËT

Sipas informacioneve të marra nga grupi hetimor, autorët dyshohet të kenë qenë dy persona të maskuar, të cilët janë larguar në drejtim të lagjes “10 korriku”, pasi qëlluan për vdekje Kristian Breshanaj. Pasi kanë djegur makinën me të cilën kryen krimin e rëndë, ata dyshohet të jenë ndihmuar nga një makinë tjetër, e cila i priste rreth 1 kilometër nga vendi i ngjarjes.

Identifikimi i tyre, thonë burimet, është shumë i vështirë, pasi në zonë janë të pakta kamerat e sigurisë dhe zona është në errësirë totale, çka vështirëson në identifikimin e autorëve. Për të parë lëvizjet e autorëve, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në disa subjekte private, që ndodhen në zonë.

Ndërkohë, edhe vendi ku është djegur automjeti duket se ka qenë mjaft i studiuar nga autorët, pasi bëhet fjalë për një zonë pa ndriçim dhe pranë nuk ka subjekte, ku mund të diktoheshin nga kamerat e sigurisë. Sipas Policisë, dyshimet janë që kjo ngjarje të jetë studiuar gjatë nga atentatorët dhe veç dy personave të cilët kanë marrë pjesë në të, nga Policia dyshohet se janë përfshirë edhe të tjerë, të cilët mund të kenë ndihmuar autorët të largohen.

PISTAT E HETIMIT

Kristian Breshanaj është djali i një mjeku renimator të njohur në Vlorë, një familje që njihet si mjaft e qetë dhe e respektueshme. Për të zbardhur sa më shumë detaje nga ngjarja, Policia po heton të shkuarën e viktimës në Belgjikë, pasi kishte vetëm 3 muaj që ishte kthyer. Pikërisht, veprimtaria apo puna që mund të ketë kryer në Belgjikë, është pista kryesore ku po heton Policia e Vlorës lidhur me ngjarjen e djeshme. Nga Policia mësohet se 25-vjeçari nuk njihej si person problematik.

E vetmja histori lidhet me një ngjarje të vitit 2014, kur ai, në automjet, së bashku me një tjetër të ri, u kapën me një sasi të vogël kanabisi, ndërsa nuk kishin as leje drejtimi. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2014, kur Breshanaj ishte vetëm 20 vjeç. Ajo që Policia po heton është pikërisht lidhja me Belgjikën dhe veprimtaria e tij atje. Ndërkohë, nga blutë e Vlorës janë shoqëruar 12 persona, por jo të dyshuar, kryesisht dëshmitarë apo fqinj të 25-vjeçarit. Shoqërimi i tyre është bërë me qëllim për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes apo nëse kanë vërejtur apo parë diçka të dyshimtë dhe nëse kanë dëgjuar apo jo krismat.

DËSHMITARËT

Banorët e zonën ku jetonte viktima Breshanaj, bashkë me familjen e tij, kanë treguar se i riu ishte një djalë jo problematik. Po ashtu, edhe familja e tij. “Dëgjova shumë zhurmë dhe vetëm kaq. Pastaj pashë flakët dhe shumë Polici që kishte mbërritur. Thamë mos ishte djegur ndonjë shtëpi afër nesh. Mendova çfarë është ky zjarr. Të them të vërtetën, kur pamë gjithë ata policë u tremba dhe nuk dolëm për momentin jashtë. Në mëngjes, pamë se ishte djegur një automjet këtu pranë nesh”, është shprehur banorja e lagjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura