Dështon procesi, Dajti bën “ironi” për avokatët

Oct 31, 2012 | 13:07
SHPËRNDAJE
Dritan Dajti në gjyq

Në një seancë gjyqësore të mbushur me batuta dhe ironi nga ana e të pandehurve, Gjykata për Krimet e Rënda regjistroi dje shtyrjen e radhës në procesin gjyqësor në ngarkim të Dritan Dajtit. Ashtu si në më shumë se 100 seancat e fundit të këtij procesi, shkak i shtyrjes së procesit në ngarkim të të akuzuarit për vrasjen e 4 policeve u bë mungesa e avokatëve në proces. Në nisje të seancës gjykata relatoi mosparaqitjen e avokatit të të pandehurit Dajti. Në pamundësi për të gjetur adresën, gjykata e kishte kontaktuar numrin e telefonit të avokatit. Përgjigjja kishte ardhur nga vëllai i tij, i cili kishte bërë me dije se avokati ndodhej jashtë Tiranës. Pyetjes së gjykatës nëse kishte njoftuar avokatin e zgjedhur prej tij, Dajti iu përgjigj me ironi: “Unë ju kam thënë që nuk e kam më avokatin Asaf Hadëraj. Nuk kam me çfarë ta paguaj mbrojtësin tim”, tha Dajti. Në vazhdim të ironisë së tij, Dajti i kërkoi gjykatës dhe prokurorisë t’i krijonin kushte për të punuar. “Gjykata dhe prokuroria të më krijojnë kushtet te paraburgimi 313 të punoj, që me ato lekë të paguaj avokatin”, u shpreh Dajti. I pandehuri tjetër, Mariglen Muçaj, kërkoi përjashtimin e trupit gjykues me pretendimin se po shkakton zvarritje të procesit. “Është e 180-ta seancë që shtyhet për shkak të avokatëve. Nuk është marrë asnjë masë nga ana e gjykatës. Kërkoj përjashtim të trupit gjykues”, tha Muçaj. “Unë dhe Ergest Xhoxhaj kemi bërë kërkesë disa herë për ndarjen e çështjes, por gjykata nuk ka pranuar”. Në lidhje me avokatët që nuk paraqiten në proces, Muçaj tha me ironi: “Të shpallen në kërkim. Kemi tre vjet që presim”. Batuat e Dajtit dhe Muçajt u pasuan edhe nga i pandehuri i tretë në proces, Ergest Xhoxhaj. Teksa iu kërkua mendim në lidhje me kërkesën e prokurorit për pezullim të afateve të paraburgimit, Xhoxhaj tha: “Jam dakord me prokurorin, të pezullohen afatet”. Fraza e Xhoxhajt u shoqërua me të qeshura nga të bashkëpandehurit e tij dhe nga të pranishmit në sallë. Në përfundim trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për ditën e sotme.              ar.ba

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura