Dështon hakmarrja, vetëm barazim ndaj Rumanisë

Oct 12, 2011 | 12:59
SHPËRNDAJE

Shqipëria nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 me Rumaninë në ndeshjen e fundit për kualifikimet e Europianit 2012. Edhe pse shënuan të parët me anë të Salihit, kuqezinjtë nuk arritën të mbronin rezultatin dhe u ndëshkuan sërish nga një gabim në mbrojtje (sërish Dallku) në pjesën e dytë nga debutuesi Lukin. Duhet thënë se skuadra zhvilloi një ndeshje disi më me nivel në krahasim me katër takimet e fundit, sidomos në fraksionin e parë të lojës, ku si Roshi nga krahu i djathtë, por edhe Bogdani në linjën e sulmit, ishin thuajse të papërmbajtshëm. Sakaq, Rumania e Viktor Piturkës luajti më qetë dhe pa shumë gabime në pasime, por te kjo skuadër ndikuan mungesat e shumta, të cilat kishin detyruar trajnerin që të hidhte në fushë një ekip me disa lojtarë, të konsideruar si rezerva deri para këtij takimi.
Pjesa e parë – Shqipëria e nisi me një skemë sulmuese, ku binte në sy sakrifikimi i të dy sulmuesve Salihi e Bogdani, të cilët shiheshin qartë që nuk kishin vetëm për detyrë që të shënonin, por edhe të mbronin kur nevojitej. Gjithsesi, minutat e para janë më të mira për miqtë që mbizotërojnë mesfushën dhe mundohen që të ngacmojnë portën e Ujkanit nga larg. Pikërisht në momentin kur Rumania tentonte vazhdimisht për t’u shtyrë në gjysmëfushën tonë, vjen edhe goli. Fillimisht Dallku kroson nga e djathta e sulmit tonë në zonë, ku Bogdani gjuan me kokë dhe topi devijohet nga një mbrojtës në korne. Shkon Bakaj, i cili kroson në zonë dhe Salihi i harruar totalisht nga mbrojtësit gjuan me kokë duke shënuar golin e avantazhit. Pa mbaruar ende festa kuqezi, një tjetër rast për tanët me autor Roshin, i cili merr bukur krahun e djathtë, hyn në zonë, gjuan fort, por topi vetëm prek shtyllën e djathtë pingule të portierit Lung. Më pas, loja do dominohej nga tanët, të cilët patën edhe dy raste me Bogdanin që gjuan fort. Topi, i kthyer nga portieri, nuk shfrytëzohet nga Salihi (i vetëm me portën bosh nuk shënon) dhe nga Roshi, por në të dyja rastet, pa sukses.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i lojës nis me zëvendësim: Bogdani qëndron në dhomat e zhveshjes, zyrtarisht i dëmtuar, i zëvendësuar nga Ahmed Januzi. Duket që Kuzhe ka dëshirë të provojë sa më shumë të rinj, ndaj edhe ky zëvendësim ka një logjikë në konceptin e rinovimit të kësaj Kombëtareje. Sakaq, loja bëhet më e fortë, pasi miqtë duan me çdo kusht golin e barazimit, ndaj spostohen në një fare mënyre në mesfushën kuqezi. Nga ana tjetër, Kuzhe udhëzon lojtarët që të bëjnë përpara, duke i kërkuar Roshit të jetë më i lëvizshëm në krah. Ndërsa nisin minutat e vështira edhe për Ujkanin. Në fillim, dorezat i tij i provon Mutu me një gjuajtje nga larg dhe, më pas, kombinimi në hyrje të zonës Torje-Mutu prodhoi një gjuajtje shumë të bukur të kapitenit rumun, por për fatin e mirë të Ujkanit përfundoi jashtë. Ndërsa Kuzhe merr menjëherë masat duke larguar Bakajn për Hykën dhe duke i dhënë më shumë freski mesfushës sonë. Por sulmet e miqve janë të vazhdueshme dhe në minutën e 77-të, një kros i hedhur në zonë nga korne kaloi gjithë pasqyrën e Ujkanit dhe shkoi në këmbët e mbrojtësit Lukin, i cili i lënë komplet bosh (duhej të ishte Dallku aty) shënon golin e barazimit. Minutat e tjera u luajtën thjesht për të plotësuar 90-minutëshin, pasi asnjëra skuadër nuk tentoi të rrezikonte seriozisht portën kundërshtare.

Shqipëri-Rumani 1-1
Shënues: Salihi 25’/ Lukin 77′
Kartonë të verdhë: Januzi 76’/ Nikolita 56′, Tamash 70′
Gjyqtarë: Gediminas Mazeika/ V.Simkus dhe A.Pipiras (LIT)
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Teli, Lila, Roshi (Muzaka 77′), Lala, S.Lilaj, Bakaj (Hyka 68′), Salihi, Bogdani (Januzi 46′). Trajner: Josip Kuzhe
Rumania: Lung, Lukin, Tamash, Goian, Latovlevici, Lazar (Bukur 87′), Bourçeanu, Mutu, Marica (Stanku 50′), Nikolita (Torje 64′), Koçis. Viktor Piturka

Kuzhe: “Doja fitore”
“Shqipëria nuk ka pasur precedentë të mirë me rumunët, ndaj 1 pikë në pamje të parë nuk është keq ndaj një skuadre shumë të fortë. Gjithsesi, duke qenë se dominuam për pjesën dërrmuese të lojës dhe pësuam një gol të evitueshëm, unë jam i pakënaqur. I thashë skuadrës edhe në pushimin e lojës që të ssulmonte dhe të mos tërhiqej, por ka diçka psikologjike që të bën të mendosh për të mbrojtur rezultatin 1-0. Përveç kësaj ne humbëm edhe Bogdanin për shkak të një dëmtimi dhe gjërat nuk shkuan mirë. Përsa i përket të ardhmes duhet të flas njëherë me Dukën”, ka thënë Kuzhe.

Cana: “fituam të rinjtë “
“Ndjej keqardhje që nuk arritëm të fitonim në këtë ndeshje të fundit. Bëmë një pjesë të parë të mirë përballë një kundërshtari si Rumania, që ndoshta ka cilësi më të mëdha se ne. Në këtë ndeshje ishim më të shpejtë në daljet tona dhe më mirë në sulmin zonal. Këto gjëra na kanë munguar shumë. Lojtarë si Bakaj, Hyka dhe Roshi na japin shpejtësi në lojë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Në pjesën e dytë bëmë disa gabime, të cilët me më shumë qetësi dhe vendosmëri mund ti kishim evituar dhe të kishim marrë një rezultat pozitiv ndaj Rumanisë”, pohoi Cana.

Trajneri
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për herë të parë është parë dje në pankinën e Kombëtares pa shallin kuqezi që ka mbajtur zakonisht në të gjitha ndeshjet e ekipit tonë përfaqësues. Kjo tregon edhe një herë se mes tij, federatës dhe më së shumti Shqipërisë, “dashuria” e muajve të shkuar ka marrë fund. Sakaq, në pankinë Kuzhe nuk ka pasur as ndihmësin e tij, Xhemal Mustedanagiç,.

Dedikimi
Sulmuesi kuqezi, Hamdi Salihi, në momentin e shënimit të golit ka shkuar drejt trajnerit Kuzhe, duke festuar me atë. Madje, sulmuesi ka kërkuar që të gjithë lojtarët të shkonin pranë pankinës për të festuar me trajnerin, si për të treguar se ata janë që të gjithë përkrah tij, edhe pse në këto momente po flitet për një largim tijin nga drejtimi i Kombëtares.

Ndërpreja
Në minutën e 78-të të pjesës së dytë pas shënimit të golit të rumunëve, ndeshja u ndërpre për dy-tri minuta, pasi tifozët e paktë në stadium nisën të hidhnin fishekzjarrë në fushë, duke krijuar një amulli totale. Gjyqtari i ndeshjes ndërpreu menjëherë takimin, duke kërkuar që fillimisht të qetësohej situata. Trazira pati edhe gjatë pjesës së parë pas portës së mbrojtur nga portieri rumun.

Salihi: U ndëshkuam nga gabime foshnjarake
Sulmuesi i Kombëtares, Hamdi Salihi, u tregua kritik në deklaratën e tij me të rinjtë dhe kolegët në skuadër për gabimet që ata bënë në disa ndeshje të mëparshme, por edhe mbrëmë. “Mund ta kishim fituar ndeshjen. Barazimi ishte rezultati i drejtë. Lojtarët e rinj nuk duhet të humbasin përqendrimin. Edhe në Francë patëm momente shpërqendrimi. Goli i tyre erdhi pas një gabimi dhe momenti shpërqendrimi. Që pas ndeshjes me Bosnjën, të gjithë duhet ta kishin mbështetur Kombëtaren, përfshirë mediat. Nuk duhet kritikuar skuadra. Para ndeshjes, trajneri më tha, “Do bësh gol”. Shkova i thashë trajnerit që e mbajta premtimin. Edhe ai mund të ketë bërë gabimet e veta, por ai ka bërë një punë pozitive”, pohoi Salihi.

Grupi D
Rumani-Shqipëri         1-1
Luksemburg-Bosnjë    0-3
Francë-Bjellorusi        0-1
Bjellorusi-Rumani        0-0
Shqipëri-Luksemburg    1-0
Bosnjë-Francë        0-2
Luksemburg-Bjellorusi    0-0
Shqipëri-Bosnjë        1-1
Francë-Rumani        2-0
Bjellorusi-Shqipëri        2-0
Francë-Luksemburg    2-0
Luksemburg-Francë    0-2
Bosnjë-Rumani        2-1
Shqipëri-Bjellorusi        1-0
Rumani-Luksemburg    3-1
Rumani-Bosnjë        3-0
Bjellorusi-Francë        1-1
Bosnjë-Shqipëri        2-0
Bjellorusi-Luksemburg    2-0
Bjellorusi-Bosnjë        0-2
Luksemburg-Rumani    0-2
Shqipëri-Francë        1-2
Rumani-Francë        0-0
Bosnjë-Bjellorusi         1-0
Luksemburg-Shqipëri    2-1
Francë-Shqipëri        3-0
Rumani-Bjellorusi        2-2
Bosnjë-Luksemburg    5-0
Francë-Bosnjë        1-1
Shqipëri-Rumani        1-1

Renditja
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    P

Franca    10    6    3    1    21
Bosnja    10    6    2    2    20
Rumania    10    3    5    2    14
Bjellorusi    10    3    4    3    13
Shqipëria    10    2    3    5    9
Luksemb.    10    1    1    8    4

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura