Dëshmia/ Financierja e bankës: Pse e inskenova grabitjen e 1 milion lekëve

Nov 25, 2015 | 8:21
SHPËRNDAJE

E penduar për inskenimin e grabitjes, Jonida Fero ka vendosur të tregojë të vërtetën para oficerëve të Policisë, në Komisariatin nr.3.

Policia e Tiranës
Policia e Tiranës

“Panorama” shkruan sot se ajo ka treguar se disa javë më parë, i dashuri i saj, me të cilin bashkëjeton në një shtëpi në Sauk, kishte humbur shumë para në një kazino, ku i kishin mbajtur peng makinën.

Ai duhej të paguante 1 milion lekë të rinj aty, në mënyrë që të merrte automjetin, por sa më shumë të vonohej, aq më shumë rritej vlera e borxhit. Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, ajo ka kërkuar ndihmë nga i ati, i cili jeton në Pogradec, të cilit i ka kërkuar 1 milion lekë të rinj, duke i premtuar se do t’ia kthente brenda një jave, pasi kishte aplikuar për një kredi.

Edhe i ati, duke mos i pasur shumën që i kërkonte e bija, i kishte marrë hua diku tjetër, por edhe ai me afat 1- javor. Dje ishte afati kur Fero duhej t’i kthente paratë të atit dhe ai kishte mbërritur në Tiranë për ta takuar.

E ndjerë në faj e nën presion, pasi nuk kishte asnjë mundësi për t’ia kthyer borxhin të atit, 29- vjeçarja ka vendosur të sajojë grabitjen.

Në kohën kur i ati e priste para 15-katëshit, ajo i ka thënë që ta priste sa të shkonte te “Dollari” për të këmbyer paratë dhe aty ka vendosur të vetëplagoset, duke sajuar ngjarjen.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura