INTERVISTA/ Flet 18-vjeçarja: Largimi nga shtëpia dhe lidhja me të fejuarin

Aug 30, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Ruze Spahiu, 18-vjeçarja që u zhduk në mënyrë të mistershme gjithë këto ditë, nuk do të martohet më 10 tetor me fqinjin e saj. 

Vajza e zhdukur
Vajza e zhdukur

Ajo deklaroi dje se do ta prishte fejesën dhe se kjo kishte qenë arsyeja që vendosi të largohej nga banesa, duke e justifikuar këtë veprim si një nevojë reflektimi në vetmi për situatën në të cilën ndodhej.

Është dashur që familja të apelojë në polici dhe përmes medias, që 18-vjeçarja nga fshati Gurrë në Këlcyrë, të bëhet e gjallë dhe të informojë prindërit se gëzon shëndet të plotë dhe është mirë.

Dje ajo është paraqitur në Komisariatin Nr.5 në kryeqytet për të lajmëruar prindërit e saj se ndodhej në Kamëz dhe se do të kthehej në banesë që t’u sqaronte gjithçka ka ndodhur.

Mësohet se ajo ka qenë e vetme në momentin e paraqitjes në polici. Babai i saj, i cili ndodhej në kryeqytet prej dy ditësh në kërkim të vajzës së tij, është paraqitur në komisariat dhe aty ka kontaktuar të bijën.

Më pas, së bashku, ata morën rrugën drejt Gurrës në Këlcyrë. E kontaktuar me telefon, Ruze Spahiu u shpreh se arratia ka pasur një arsye mjaft themelore për të.

Ajo, gjatë këtyre ditëve, i vuri kapak lidhjes me të fejuarin e saj. “Lidhja me të fejuarin përfundoi e kësisoj edhe dita e dasmës së prerë për më 10 tetor nuk do të jetë tjetër veçse një ditë e zakonshme për mua”, u shpreh 18- vjeçarja.

Periudha disaditore në heshtje ka qenë e mjaftueshme për Ruzen, që të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm. Ajo e përjashton në mënyrë kategorike që të ketë një lidhje paralele krahas asaj me të fejuarin dhe që përfundimi i lidhjes të ketë motiv këtë.

“Ikja për disa ditë ka qenë nismë personale dhe e pa ndikuar nga ndonjë person tjetër”, tha ajo.

Cili është shkaku i largimit për gjithë këto ditë pa lënë asnjë adresë për familjarët tuaj?

Kam ikur mëngjesin e të hënës dhe i kam thënë mamasë që do të shkoj me një shoqen time… Quhet Anxhela.

Nga e njihni Anxhelën?

Kemi qenë në shkollë bashkë.

 Ishte shoqja juaj që ju shtyu që të iknit pa lënë adresë?

Jo. Kam ikur me dëshirën time sepse duhej të largohesha që të qartësoja me veten shumë gjëra që nuk mund t’i ndaja me askënd tjetër, përveçse me veten time. Janë disa çështje që unë doja t’i ndaja me veten time dhe jo me të tjerët, kështu që u largova për të qenë e kthjellët për vendimet që më takojnë mua dhe askujt tjetër, as babait, mamasë apo pjesëtarëve të tjerë të familjes sime.

Pse nuk mund të hapeshit me ta? Ju kanë keqtrajtuar më parë babai, nëna apo ndonjë person tjetër i familjes?

Jo, jo, nuk doja të thosha këtë, por unë jam e rritur dhe si e tillë, mund të ndërmarr vendimet e mia për jetën time. Ndërkohë që jashtë shtetit, prindërit i dëbojnë vetë fëmijët kur mbushin 18 vjeç. Unë nuk e bëra këtë gjë, pra, nuk u arratisa, por thjesht u largova për të qenë më e kthjellët dhe askush nga familja nuk më dëboi sepse më duan dhe sigurisht që edhe unë i dua.

Nuk kishit mundësi të telefononit familjen tuaj këto ditë që të qetësoheshin?

Nuk kisha mundësi t’i telefonoja sepse më humbi celulari dhe nuk mundesha dot.

Nuk mund t’i merrje nga celulari i shoqes tënde?

Edhe asaj i humbi celulari, kështu që ngelëm pa asnjë lloj komunikimi deri sa e mora vesh që prindërit e mi ishin bërë merak, teksa e dhanë edhe televizionet lajmin.

Gjatë kësaj kohe, ku keni qëndruar?

Në Tiranë. Me kë keni qenë?

 Me shoqëri.

Me Anxhelën?

Dy ditë me të dhe pastaj me shoqe të tjera. Ndërkohë që e kisha planifikuar të bëhesha e gjallë, një ditë pas ditëlindjes sime që e kisha të premten dhe sot (e shtunë) lajmërova që jam mirë dhe gëzoj shëndet të plotë.

Nga ishin shoqet?

Nuk ka rëndësi kjo, por dua të theksoj që kam qëndruar me shoqëri.

Për çfarë ka shërbyer ky largim i juaj pa adresë?

Ka shërbyer shumë madje. Pasi më bëri të kuptoj shumë gjëra që kanë të bëjnë me jetën time. Në radhë të parë, me atë që pretendoja se e doja dhe do lidhja jetën time, me ish-të fejuarin.

Ju keni ditën e dasmës më 10 tetor…

Ajo ditë do të jetë një ditë e zakonshme si të gjitha ditët e tjera, ndërkohë që më parë e mendoja si ditën më të lumtur të jetës sime.

Cili është shkaku që ju dolët në këtë përfundim dhe t’i jepnit fund fejesës në këtë mënyrë?

Janë çështje personale dhe arsye që nuk dua t’i ndaj me askënd tjetër, dhe më vjen keq, as me ju në këtë rast. Kjo për të ruajtur intimitetin mes meje dhe atij, sepse jo të gjitha tregohen. Por unë mjafton të them që me atë nuk shtyhej dhe për mua nuk ishte njeriu ideal për të lidhur dhe ndarë jetën me të. Kaq besoj se mjafton.

 A ka hyrë njeri në jetën tënde dhe kjo ndoshta është arsyeja e ndarjes me të fejuarin?

 Jo, kurrë. Të paktën deri tani jo. E kam pasur mendjen tek ai dhe tek askush tjetër, mirëpo janë disa arsye që unë nuk duhet të jem më pjesa e tij.

Ai di gjë që ju po e ndani? Ia keni thënë?

Po ia bëj të ditur këtë përmes gazetës suaj “Panorama”, ndërkohë që do t’i çoj fjalë që të blejë nesër gazetën dhe të shikojë surprizën që i kam rezervuar…

Në fshat na thanë që ju jeni larguar të hënën me një person tjetër mashkull…

 Fshati gjithmonë merret me fjalë dhe thashetheme, por unë nuk do të merrem e të bëj gjyqe. Unë u largova me shoqen time për të qëndruar disa ditë larg familjes, për ato arsye që ju thashë pak më lart. Kjo është dhe nuk ka asnjë person tjetër që të më ketë propozuar për martesë, fejesë apo dhe të dashur. Këtë e them me plot gojën.

 Mund të ndodhë sërish që të largoheni nga banesa?

Do të largohem njëherë e mirë kur të martohem, kur të vijë dita, njeriu dhe vafti, ndërsa kjo nuk do të përsëritet më.

Nuk ka më arsye. Prindërve do t’ua shpjegoj situatën diçka më shumë nga këto që u shpreha me ju sepse me ata ndaj çdo gjë dhe kështu që me kaq mbaron edhe koha me ish-të fejuarin tim që vetë e zgjodha me dashuri dhe vetë e lashë.

PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura