Deputeti i PD- Ramës: Ke bërë qeverinë e dybekut, ministrat dinë ta tundin mirë kosin

Sep 13, 2017 | 14:28
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Hekuran Hoxhalli e ka quajtur me ironi kabinetin e Ramës, një qeveri të ‘dybekut’, me ministra që dinë ta tundin mirë kosin.

Në fjalimin e mbajtur në Parlament, ai tha se në programin qeverisës, për katër vitet e kaluara, thuhej se ‘fajin e ka Saliu’, ndërsa tani është ndërruar me ‘fajin e ka tepsia’.

hekuran hoxhalli
Deputeti i PD-se, Hekuran Hoxhalli ne Kuvend

FJALIMI NË KUVEND

Lexova me kujdes programin tuaj qeverisës, i cili nis që  në preambul me fjalinë: Shqiptarët folën qartë.

Keni prezantuar një qeveri dhe një program duke ju shitur shqiptarëve  sikur jeni fitues të zgjedhjeve kur në fakt Shqiptarët ju njohin si pushtues dhe jo si fitues të tyre.

  • Ju mbyllët një mandat katërvjeçar, një mandat për të cilin në preambulën tuaj mbureni se keni sjellë veç mirëqënie dhe lumturi në këtë vend.

Dhe ndoshta nga karrikja juaj ashtu duket.

Ju thoni, se sot, falë qeverisjes suaj, Shqipëria ka një rritje ekonomike 3.5 herë më të lartë se në vitin 2013, por, kudo që shkojmë, ne, që dimë të ecim edhe ne baltë, jo vetëm në pedonale, shikojmë se shqiptarët jetojnë më keq se katër vite më parë.

  • Ju thoni se keni ndërmarrë reformat më të rëndësishme fiskale në 23 vjet, por çfarë thonë ata bisnezmenë, që mbajnë në kurriz pushtuesin tuaj tatimor, i cili ju pi edhe pikën e fundit të gjakut. Ajo që ngeli pas gjithë daulleve të propagandës suaj për tatimet ishte cinizmi i shprehjes tashmë të njohur “ku qëndron problemi këtu?”

 

  • Ju thoni se me rilindjen urbane i keni transformuar qytetet, por vetëm ato bashki që qeverisen nga ju e kanë ndier këtë ndërhyrje (nëse ndokush dëshiron të thotë se edhe ai qyteti i vogël nga vij unë e ka ndier, po ju sqaroj se i është financuar vetëm fillimi i një projekti dhe është lënë në mes të rrugës, por edhe aq sa është bërë, ka qenë vetëm për propogandë).

 

  • Ju thoni se ja dolët të vendosni rend dhe siguri, por nëpër qytetet tona dëgjojmë vrasje çdo ditë dhe nëpër fshatra, fermerët nuk shkojnë dot në një pjesë të madhe të parcelave  te  tyre të mbjella me grurë e misër se i ndalon në rrugë polici juaj, që ruan platancionet e hashashit (Borzilokut).

 

  • Ju thoni se keni shtuar vende pune, por me siguri, edhe ju qeshni me vete kur e thoni këtë gjë, sepse papunësia ka pllakosur vendin.

 

  • Thoni se keni krijuar lehtësira fiskale për biznesin, njëkohësisht keni rritur të ardhurat fiskale me gjobat me vend dhe pa vend ku mundeni dhe ku nuk mundeni dhe sidomos kur ju del para ndonjë biznes që nuk ju shkel syrin.

 

  • Çuditërisht, nuk thoni asgjë për sektorin e bujqësisë, a thua se ai nuk ekziston. Shumica e shqiptarëve merren me bujqësi dhe ju nuk thoni asnjë fjalë për bujqësinë kur flisni për qeverisjen tuaj të shkuar. Madje as nëpër degjesat e tua publike që të kujtonin kohën e të shkuarës gju më gju me popullin

Ndërkohë, na çuditët ose më mirë kryeministri na çuditi duke sharë dhe përbaltur në çdo vend dhe në çdo fjalë të tij, të gjithë administratën e vet, me të cilën ka punuar dhe është mburur për katër vjet me radhë dhe me të cilën thoshte se po bënte shtet. i ka sulmuar me superarogancë të gjitha institucionet që vetë i ka patur në hyqmë për katër vjet rresht, aq sa do ta kishte zili edhe opozitari më i zellshëm

E gjitha kjo bëhët në emër të pastrimit, për të çuar tepsinë për skrap, siç thua zoti kryeministër, por ndërkohë po bën gati dicka tjetër, dybekyn.

Qeverinë e re që po e sjell sot për ta votëbesuar, e ke konfiguruar në formën e dybekut.

Ke zgjedhur edhe ministrat, që dinë ta tundin mirë kosin, duke shpresuar se ai edhe hahet edhe pihet.

Tani, përsa i përket pjesës së dytë, në lidhje me çfarë thoni se do të bëni në këto katër vitet në vazhdim, pasi e lexova me kujdes, po ju them sinqerisht se me propogandën që bëni, do të bënit ziliqar çdo prestigjator.

Po ndalem në disa sektorë të cilët më interesojnë më shumë mua dhe atyre që përfaqësoj.

Unë jam deputet i qarkut të Korçës, një rajon që aktivitetin kryesor ekonomik ka bujqësinë dhe që të jem përsëri i sinqertë, në një fare mënyre na është bërë qejfi që është emëruar ministër i bujqësisë një përfaqësues i qarkut tonë. Tani, këtu dua t’i drejtohem ministrit, personalisht, por sinqerisht dhe me shumë dashamirësi dhe në vijim të ftesës së tij.

Niko! Ju, që në fjalinë e parë të këtij programi, keni thënë se populli foli, ne duhet ta dëgjojmë. Unë ty nuk mund të të flas me nënkuptime por direkt.

Më vjen keq ta them, por ndoshta keni qenë të detyruar të përsërisni vetëm fjalët ne do të bëjmë kështu, do të bëjmë ashtu dhe asnjëherë se si do ta bëni.

Fillojeni nga emergjencat Niko, më dëgjo mua, se unë jam nga Fshati, ti je nga Bulevardi Republika. Festa e Birrës, e bukur ishte, por 4 ditë zgjati.

Fillojeni nga kompensimi i premtuar i produkteve bujqësore, që sigurisht nuk u prishën për fajin tënd.

Po të presin fermerët, që nga Dovorani deri në Miras, se ju ke premtuar, para zgjedhjeve, që asnjë kilogram mollë, kumbulla, qershi, etj., që u prishën nga breshëri, nuk do mbeten pa u dëmshpërblyer.

Po të presin fermerët e fushës së Korçës, Pojanit, Maliqit, Devollit, që fasulet, qepët, domatet dhe specat e prishur nga thatësira, të dëmshpërblehen.

Po të presin të gjithë fermerët e qarkut tone, por edhe të gjithë Shqipërisë, që të krjosh politika të tilla qeveritare, për të mbrojtur prodhimet e tyre, që të mos konkurrohen në mënyrë të pandershme nga prodhimet e importit, por të çajnë tregjet dhe të shiten të paktën në vendet e rajonit. Këtë gjë po e bëre, do të jetë suksesi yt, të cilin do ta duartrokisja.

Por, në katër vitet që ikën, tonelata mollë, qepë, patate etj., u kalbën dhe janë hedhur në lumë, pasi bujqësia për ju nuk ekzistonte.

Dhe të punosh një vit të tërë, t’i gëzohesh prodhimit tënd dhe pastaj ta shikosh me sytë e ty sesi po kalbet se nuk e shet dot është dëm i madh ekonomik dhe gjynah nga Zoti. Dhe ti e di mirë se njerëzit që punojnë, të cilët e njohin mirë shijen e djersës, nuk ta falin këtë gjë.

Duke folur për hallet e bujqësisë së rajonit, nuk po të them lerë pas dore zhvillimin e qendrave të banuara, zonave me interers turistik. Përkundrazi, edhe ato duhen parë, por jo me përzgjedhje politike. Sigurisht që do të ketë edhe prioritete, por qeveria, një nga detyrat kryesore që ka, është të sigurojë edhe ekulibra zhvillimi, të cilat për hir të së vërtetës, në këto katër vite nuk i kemi parë.

Në këto vite, Bashkitë Devoll dhe Pogradec, të cilat administrohen nga përfaqësues të PD-së, kanë parë vetëm nga një gjysëm investimi qeveritar dhe nuk krahasohen me investimet në Bashkitë Korçë, Maliq dhe Kolonjë.

Tregohu se je burrë që mban fjalën, mos e anullo ndërtimin e rrugës së Arzës! Arzarët nuk të kanë fyer aspak, të kanë pritur me fisnikërinë që i karakterizon, por nuk mund të të jepnin votën ty, sepse unë jam bir i atij vendi dhe jam rritur me ta. Madje, edhe po të bënin të kundërtën, ti do t’i tallje i pari.

Mos i ndëshko se më votuan mua, por bëje se aty jetojnë rreth 1000 banorë, të cilët po të kenë nevojë emergjente kirurgjikale janë të destinuar të vdesin, pasi nuk e kapin dot spitalin për shkak të mungesës së rrugës, bëje edhe në nderim të Mitropolitit Zengo se edhe ai Arzar ka qenë.

Tani, në qoftë se nuk të bie inati i zgjedhjeve dhe vërtet do të ujitësh vetëm fushën e Korçës, nuk e bën dot pa ujitur atë të Devollit. Nuk e bën dot edhe për shkaqe natyrore, se Perëndia, që sipas një dialektizmi të zonës përherë të ndin, ka vendosur një rregull; duhet gravitet për këtë qëllim dhe që të kesh ujë me gravitet, duhet rehabilituar kanali i Vëntrokut, të cilit s’ke ç’i bën, nga Devolli rrjedh. Për këto duhet të lodhesh e të mërzitesh z. Peleshi dhe jo për politikë dhe vota, siç je mërzitur.

Për sa i përket mjedisit nuk keni thënë asgjë. Keni shkëputur tre paragrafe të cilat përdoren rëndom në çdo takim formal për mjedisin dhe i keni vënë këtu, në këtë dokument që e quani program qeverisës. Duhet të përmirësohet legjistacioni për mjedisin, pasi ai që është sot në fuqi, flet përçart për të, thotë pak nga të gjitha dhe nuk thotë asgjë. Keni ndërhyrë kuturu me disa akte normative duke e katandisur si mos më keq. Dua t’ju përmend këtu një rast, kur para tre-katër muajve nxorrët edhe një VKM, me të cilën i keni vënë vulën, ku e detyroni QKL-në që të regjistrojë si operatorë ekonomikë në fushën e mbrojtjes së mjedisit vetëm ato kompani të cilat e kanë drejtuesin ligjor me çertifikatë mjedisore, pavarësisht se ato mund të kenë pafund drejtues teknikë të tillë. Ky është një veprim diskriminues që sigurisht e keni bërë me ndonjë porosi të posaçme për ndonjë tender të posaçëm. Verifikoje këtë z. Kryeministër! Se ndoshta nuk e ke parë që këto janë precipitate të cilat rrinë në fund të dybekyt dhe s’dalin sipër, por do të duken kur t’i bjerë fundi.

Ngaqë i keni bërë ministritë përshesh, jeni ngatëruar edhe vetë. Flisni për infrastrukturë ujore dhe nuk merret vesh se ku mbaron mbulimi i sipërfaqeve të tokave bujqësore me infrastrukturë ujitëse dhe kulluese dhe ku fillon furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm ose me rrjetet e kanalizimeve, për largimin e ujrave të ndotur apo si lidhen këto me njëra-tjetrën.

Tani ose i keni shkruar aty kot, të jenë si terma, se hajt mo, kush po e kupton çfarë janë këto dhe çfarë ju thoni shqiptarëve ose ndoshta keni ndërmend ta bashkoni edhe ministrinë e bujqësisë me atë të infrastrukturës në të ardhmen dhe po i bëni gati termat e referencës.

Përsa i përket infrastrukturës, nuk jeni lodhur fare, keni shkruar të njëjtat gjëra që kishit në program 4 vjet më parë. “I latë rrugët rrugëve, siç thoshte i pari juaj”, ndërkohë që sot projektet e qeverisë së kaluar i quani tuajat.

Keni harruar që ekziston edhe pjesa dinamike e transportit, pasi jo vetëm që e fshitë nga emërtimi i ministrisë, por edhe kur thoni transport keni parasysh vetëm infrastrukturën. Siguria rrugore ishte një dështim në mandatin e kaluar, pasi me gjithë masat represive të policisë dhe shpenzimet luksoze në sinjalisitikë, as nuk ju afruat objektivit që kishit vendosur për të ulur aksidentet në masën 50%.

Hekurudhën e keni braktisur dhe 4 vjet i kaluat me projektin që trashëguat nga qeveria demokratike për segmentin Tiranë-Durrës, pa arritur as të hapni garën për këtë projekt. Aq i parëndësishëm është ky sektor për ju, sa nuk e dini që para 6 muajsh e miratuat kodin hekurudhor dhe po na premtoni një kod të ri hekurudhor.

Qeveri e re, avaz i vjetër. Premtoni aeroport në jug, ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të paguajnë biletat më të shtrenjta në rajon dhe në Europë, për shkak të marrëveshjes së lidhur nga paraardhësit tuaj socialistë. E patët shansin për ta korrigjuar por e kthyet në pazar.

Flasim për investime dhe për specializim të porteve, koncept ky i dalë nga Plani Kombëtar i Transportit i vitit 2006, të cilin ju as që e dinit se ekzistonte dhe e neglizhuat totalisht gjatë 4 vjeçarit që qeverisët. Mjafton të përmend se porti i Durrësit, ku përpunohen 85% e mallrave, e ka patur imediat thellimin që para 4 vjetësh dhe jo vetëm që nuk është realizuar, por sot është jashtë konkurrencës në rajon. Nuk mjaftoi kjo, por u rritën dhe tarifat e përpunimit të mallrave jashtë llogjikës ekonomike.

Projekti 1 miliardë Euro, i trumbetuar nga kryeministri është rrezik për buxhetin dhe i pa mbështetur nga FMN-ja dhe Banka Botërore. Me këtë skemë, ndërkohë që projekti në pikënisje kushton “1 miliard euro”, në përfundim ai do t’u kushtojë shqiptarëve të paktën dyfish deri trefish, në varësi të oreksit të oligarkëve të lidhur me pushtetin.

Më të kthjellët e shoh qeverinë kur flet për turizmin. Duket se ka referenca konkrete. Këtu do jemi dhe do t’i shohim në të ardhmen se çfarë do të thotë autori. Zërat që dalin mbytur nga sqepat dybek-tundës thonë se diçka po bëhet gati atje.

Siç duket, paskeni mbaruar punë me rilindjen urbane, sepse nuk po e përmendni më. Financuat plane urbane vetëm për bashkitë që donit vetë. Keni bërë disa lidhje territoriale të cilat s’kanë asnjë kuptim historik apo ekonomik me njëra-tjetrën. Plani urban Kolonjë-Përmet-Tepelenë, mua më sjell ndërmend vetëm marshimet e Shefqet Peçit nga historia e tetëvjeçares. Më dhemb fakti, që nga të gjitha bashkitë e jugut, vetëm Devollit nuk i është financuar plani urban.

Këto janë disa konstatime, por nuk kemi asnjë shpresë dhe asnjë arsye pse duhet të besojmë, që ti do t’i ndreqësh këto me qeverinë e dybekut dhe me këtë program që nuk thotë asgjë përveçse reklamë propogandistike.

Ndoshta të dukem i vogël që të të jap mend ty, zoti Kryeministër, por ndonjëherë syri të gënjen, më dëgjo mua, nuk bëhet kjo punë me ndryshime ministrish e këtë lloj kacamuri: A ja pret dot sqepin të gjithë ministrave dhe drejtorëve të tu, pa dallim feje, krahine dhe ideje? Jo?! Të duhen, të duhen, të të tundin dybekun. Atëhere mbaji, t’i gëzosh, se shumë shpejt do ta çajnë fundin e dybekut që të të vjedhin gjalpin, për të mos thënë se që tani i ke nja dy-tre vrima, se ta kanë konfiguruar gabim dhe shumë shpejt ky fund do të bjerë, pastaj, shtrëngoi rrathët sa të duash, se mos po të rrjedh nga anash.

Që të mos zgjatem më, pasi shumë gjëra i thanë dhe do t’i thonë koleget e tjerë, unë që sot mbetem besnik i betimit që kam bërë dhe si opozitar do t’i bashkohem të gjitha iniciativave në të mirë të gjithë qytetarëve të vendit tim.

Por, dua t’ju bëj thirrje, të gjithëve ju, përfaqësues të mazhorancës: boll u frymëzuat nga retorikat e udhëheqësit tuaj, se jeni pushtues dhe jo fitues, por edhe si të tillë tani filloni të na mbushni mendjen se do të punoni seriozisht. Megjithëse slloganin e qeverisjes suaj të re e di mirë, pa e artikuluar ju ende.

Katër vjet, në fillim dhe në fund të çdo lloj analize dhe justifikimi, thoshit “fajin e ka Saliu”. Tani stampa e re e punëve shterpa, për kohën që do të qeverisni do të jetë “fajin e ka tepsia”.

Sigurisht që unë do t’ju votoj kundër, se nuk ngjallni besim, do tju  votoj kundër se nuk keni ngritur skemën e të bërit shtet, por skemën e të bërit dybek, do tju votoj kundër se populli i Devollit ju voton kundër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura