Deputetët çojnë në gjyq ish-ministren Kusari Lila për naftën “kancerogjene”

Feb 14, 2014 | 11:52
SHPËRNDAJE

Deputetë në Kuvendin e Kosovës i kërkojnë ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, që të përgjigjet për shkatërrimin dhe ndotjen e ajrit që është bërë nga nafta që dyshohet të jetë kancerogjene. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se ish-ministrja duhet të përgjigjet për këtë çështje dhe thekson se ka bërë edhe një padi në gjykatë. Edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, vlerësoi se vazhdon të jetë e shqetësuar me deklaratat kontradiktore për çështjen e naftës që po shfrytëzohet për ngrohje në shkollat e Prishtinës. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga lëvizja Vetëvendosje, ka mbyllur disa shkolla në kryeqytetin e Kosovës derisa të merrte garanci se nafta e përdorur për ngrohje nuk ishte kancerogjene, sipas dyshimeve. Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një dokument, si përgjigje, nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), e cila konstaton se squfuri i tepërt në lëndët djegëse është i dëmshëm për shëndetin. Komuna e Prishtinës dhe kompania “HIB Petrol” po përballen me dokumente në lidhje me kontratën e furnizimit me lëndë djegëse për shkollat e kryeqytetit. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj kësaj kompanie, me dyshimin se i ka shitur komunës vaj për ngrohje në vend të naftës. Çmimi i vajit është 40 për qind më i lirë se ai i naftës dhe komuna e ka paguar lëndën ngrohëse si naftë dhe jo si vaj. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha se hetimet janë zgjeruar edhe në shkollat e tjera të kryeqytetit. “Kemi filluar qysh javën e kaluar. Prokurorët tanë do të hetojnë të gjitha shkollat e po ashtu edhe kompaninë e cila i ka furnizuar këto shkolla me këtë naftë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura