“Dënimet nuk i ndrydhën talentin dhe fisnikërinë”, Ruçi mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Sherif Merdanit: Dha kontribut emancipues për artin

Aug 29, 2021 | 21:18
SHPËRNDAJE

ruci

Kryetari i parlamentit në largim, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur Sherif Merdani.

Përmes një mesazhi, Ruçi shkruan se Merdani me artin e tij, ka dhënë një kontribut emancipues për këngën dhe muzikën shqiptare.

Më tej Ruçi thotë se artisti vuajti dënime dhe sakrifikoi vite të tëra nga jeta e tij, dënime që nuk ia ndrydhën talentin dhe nuk ia pakësuan fisnikërinë.

Mesazhi i Gramoz Ruçit:

Sherif Merdani ishte një këngëtar dhe artist i madh, që i këndoi me dashuri jetës, dashurisë, nënës dhe gjithshkaje të bukur te njerëzit, shpirti dhe ndjenjat e tyre. Repertori i Sherif Merdanit është një simfoni e dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Me artin e tij Sherif Merdani emancipoi artin, këngën dhe muzikën shqiptare. Për këtë kontribut emancipues, ky artist i madh vuajti dënime e sakrifikoi vite të tëra nga jeta e tij. Por këto vuajtje nuk ia ndrydhën talentin dhe nuk ia pakësuan fisnikërinë. Me këngët e Sherif Merdanit jemi rritur dhe ato do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm.”, shkruan në mesazhin e tij  Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Artisti i mirënjohur, Sherif Merdani ndërroi jetë ditën e sotme. Sipas Neës24, ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura