Dëmet, AMF: Kompanitë ulën pagesat

Mar 31, 2013 | 11:15
SHPËRNDAJE
Foto Ilustruese

Ulja e siguracionit të detyrueshëm të makinave TPL në mënyrë të ndjeshme poshtë dyshemesë së riskut të vendosur nga AMF, është shoqëruar me sinjalin e parë të problemeve, që është ulja e pagesës së dëmeve.

Sipas të dhënave të AMFsë, për dy muajt e parë të këtij viti rezulton që pagesa e dëmeve të jetë ulur si në vlerë monetare, ashtu edhe në numër, dhe kjo në mënyrë të dukshme.

SHIFRAT

Të dhënat e AMF-së tregojnë se gjatë kësaj periudhe janë paguar 399.589 mijë lekë dëme, ose 17.81 % më pak se në periudhën janar-shkurt 2012. “Gjatë periudhës janarshkurt 2013, numri i dëmeve të paguara është ulur me 163, krahasuar me janar-shkurtin e vitit 2012, duke arritur 3.423, nga të cilat 3.368 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 55 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës”, thuhet në raportin e AMF-së. Një situatë e ngjashme është përsëritur pak pas liberalizimit të primit të TPL-së, kur ulja e çmimeve në nivelet 4.5 mijë lekë apo 7 mijë lekë solli një rënie të nivelit të pagesës së dëmeve. Kjo u cilësua si problematike nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili në atë kohë kërkoi nga kompanitë të rishikonin politikën e vendosjes së primeve. Por, duket se një situatë e ngjashme po përsëritet edhe tani, kur kemi një rënie të pagesës së dëmeve në një kohë kur tregu i sigurimeve në përgjithësi ka pësuar rritje.

GJENDJA E TREGUT

Tregu i sigurimeve në total, sipas AMF-së, ka pasur rritje 20.08 %. “Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 220.813 mijë lekë, duke arritur 1.320.386 mijë lekë. Numri i kontratave arriti në 137.966, që shënon një ulje me 3.28 % krahasuar me periudhën janar-shkurt 2012”, shprehet AMF. Por, rënia e kontratave është për totalin e atyre në tregun e sigurimeve. Përgjithësisht, sipas shifrave, vërehet një rritje e primeve të shkruara bruto për kategorinë e Jo-jetës dhe volumi i këtyre primeve arriti shifrën 1.139.448 mijë lekë, duke shënuar një rritje në masën 21.82 %, krahasuar me janarshkurtin e vitit 2012.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura