Del nga shtrati përroi në Gramsh, bllokohen maturantët

May 31, 2013 | 12:51
SHPËRNDAJE

GRAMSH – Shirat e rënë gjatë ditëve të fundit shkaktojnë bllokimin e aksit Kukur–Kodovjat, dy komuna të Gramshit. Lajmin e bëri të ditur dje kryekomunari Luan Kokla. “Si pasojë e shirave që kanë rënë gjatë ditëve të fundit, ka dalë nga shtrati përroi i Lilave, duke bllokuar aksin si pasojë e inerteve që kanë dalë nga shtrati”, u shpreh Kokla. Po sipas kreut të komunës, në këtë rrugë u bllokua edhe një autobus që transportonte maturantët nga komuna drejt qytetit të Gramshit, pasi ditën e sotme kanë edhe provimin e parë të maturës në lëndën e Letërsisë. Ai theksoi se për këtë fakt është lajmëruar edhe nënprefekti i Gramshit, Kastriot Zëra, si edhe Policia. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Policisë, e pyetur rreth problemit në fjalë, deklaron se “lumi me të vërtetë ka dalë pak nga shtrati, autobusi ka pritur vetëm pak minuta, sa punonjësit e ndërmarrjes kanë pastruar rrugën nga inertet dhe më pas mjeti është nisur drejt Gramshit pa asnjë pasojë te maturantët që ndodheshin në të”. Gjithashtu, burime edhe nga Drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së Rrugëve e konfirmojnë këtë fakt, duke deklaruar se situata nuk ka qenë alarmante dhe se kryekomunari po e shfrytëzon dhe dramatizon situatën për fushatë.                                      m.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura