Del Boske e pranon: Pata frikë dështimin

Jun 29, 2012 | 14:27
SHPËRNDAJE

Trajneri i Spanjës, Vinsente del Boske, mendoi se Portugalia mund të ishte ekipi i parë finalist në “Euro 2012”.
Luzitanët ishin tepër të rrezikshëm dhe ai pati frikë se iberikët mund të eliminoheshin.
“Jemi në finale dhe kjo është fantastike për kombin tonë. Tregon se kemi përparuar. Jemi krenarë që ia kemi dalë. Por, ishte një moment kur pata frikë se mund të eliminoheshim. Në disa raste u vumë në vështirësi, por ditëm të silleshim siç duhet në fushë. Nuk doja që ndeshja të shkonte me penallti. Kjo sfidë me Portugalinë ishte e mbushur me tension dhe emocione”, – tha spanjolli. Numri një i stolit iberik shtoi se ai kërkonte që takimi mos të shkonte me penallti. “Kur bëmë ndryshimin e fundit ishte diçka pak me rrezik, pasi kishte shumë minuta përpara, por ne u përmirësuam. Qëllimi ynë ishte që të fitonim para se të përfundonte koha shtesë. Dhe për pak ia arritëm”, – tha ai. Serxhio Ramos dhe Zherard Pike ishin dy nga lojtarët që gjuajtën penallti pak të rrezikshme dhe për këtë Del Boske shprehet: “Ata janë lojtarë tepër të guximshëm. Është një moment kur ka pak për të fituar dhe shumë për të humbur. Ata janë të zotë, të sigurt për atë që bëjnë. Isha në ankth, pasi penalltitë janë të vështira për lojtarin dhe portierin”, tha Del Boske. Trajneri spanjoll ka përgëzuar futbollistët për paraqitjen e bërë ndaj luzitanëve. “Ata janë të lodhur, por janë të mësuar me këtë ritëm kaq të lartë. Shpresoj që të çlodhen në ditët që kemi në dispozicion dhe të jenë gati për finalen. Mund t’ia dalim dhe të triumfojmë edhe në këtë Europian. Të gjithë duhen vlerësuar për paraqitjen e tyre në fushë. Ata kanë dhënë çdo gjë dhe jam i kënaqur me çdonjërin prej tyre”, tha tekniku i Spanjës. Sakaq, duhet thënë se te momenti i gjuajtjeve të penalltive është ndjekur nga një numër rekord teleshikuesish. Kështu, kanë qenë rreth 18.141.000 veta që e kanë ndjekur këtë moment deciziv që ka zgjatur 13 minuta. Ky është rekord sa i përket shikueshmërisë së “furive të kuqe”. Nga ana tjetër, gjatë 90 minutave e kanë parë takimin 14.182.000 veta, kurse në kohën shtesë, 16.485.000.

Festa
Futbollistët spanjollë dhe tifozët kanë lënë një takim të hënën e 2 korrikut në sheshin “Cibeles”, pavarësisht nëse fitojnë Kampionatin Europian apo jo. Kryebashkiakja e Madridit, Ana Botela, ka bërë me dije axhendën e kombëtares së Del Boskes një ditë pas finales. Ata do t’i drejtohen qendrës së kryeqytetit spanjoll pas fluturimit nga Kievi rreth orës 19:00 me një autobus të hapur.

Iniesta: “Të bëjmë historinë në Europë”
Andres Iniesta beson se Spanja do të ngrejë trofeun e Kampionatit Europian dhe do të bëjë historinë. “Jemi gati ta fitojmë këtë finale, pavarësisht se kë do të kemi kundër. Duam të bëjmë historinë në Europë. Kemi vetëm një përpjekje të fundit për të bërë”, tha mesfushori katalanas. Nëse iberikët fitojnë Europianin, atëherë ata do të jenë ekipi i parë që fiton tre turne ndërkombëtarë radhazi. Më pas, Iniesta flet për paraqitjen e skuadrës me portugezët. “Bëmë një sfidë të madhe. Edhe pse në disa raste nuk ishim të zakonshmit”.

Gafa e Karboneros me penalltinë e Iniestës
Gazetarja sportive, Sara Karbonero, ka bërë një gafë ndërsa ishte duke intervistuar mesfushorin e Spanjës, Andres Iniesta, në përfundim të takimit gjysmëfinal me Portugalinë. Ajo është bërë e njohur pasi është edhe e dashura e kapitenit të Spanjës, Iker Kasijas. Ajo e pyet Iniestën se si ndihej që nuk e gjuajti penalltinë në suksesin ndaj portugezëve. E ky i fundit ia ktheu me humor: “Faktikisht, unë gjuajta të dytën dhe shënova gol. Kjo shkaktoi shumë të qeshura në studion televizive ku gazetarja po raportonte, ndërkohë që Karbonero u përpoq ta kalonte këtë gjë me humor. Por, pas gafës, të shumta ishin komentet dhe shakatë e spanjollëve në rrjetin social “Twitter”. Komentuesit nuk i kanë kënaqur shikuesit spanjollë, të cilët kanë kërkuar më shumë profesionalizëm.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura