Dekorimi i Rexhep Qosjen me “Yllin e Medaljes”/ Akademiku thirrje për rritje të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri: Kohezioni kombëtar na bën më të fortë! Nëse doni të mundni armikun…

Sep 27, 2021 | 14:37
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, dekoroi akademikun Rexhep Qosja me Yllin e Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohjen Publike.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, ku ishin prezentë kryeministrat Rama dhe Kurti, Rexhep Qosja vlerësoi nderimin e bërë ndaj tij dhe bëri thirrje për kohezion shoqëror dhe kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Qosja theksoi nevojën për rritjen e takimeve midis vendimarrësve shqiptarë dhe kosovarë me qëllim për të patur një njehësim të idealeve dhe qëllimeve politike të përbashkëta.

Kjo sipas tij do të krijojë një komb më të fortë për të përballuar më mirë sfidat e kohës dhe rreziqet që vijnë nga armiqtë.

“E ndiej veten shumë mirë dhe i privilegjuar që ky nderim mu bë sot këtu në Prishtinë. E ndiej veten mirë që ky nderim i veçantë u bë pas takimit të dy delegacioneve, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Edi Rama dhe Albin Kurti janë dy politikanë intelektualë, natyrisht të çmuar prej popullit, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, ua dha besimin. Nuk mund të mos e themi se kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë politikanë dhe intelektualë, njëkohësisht edhe të kritikuar, kur e kur me arsye, por shpesh edhe pa arsye.

Mund t’i dëgjojmë kritikat me të cilat mund të pajtohemi, por edhe ato kritika që janë pa të dhëna, pa argumente. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore, janë edhe të dobishme. Sjellin nxitje e frymëzime të reja për përkushtime e punë të reja.

Fjala intelektual është një fjalë e krijuar, diku nga fundi i mesjetës dhe fillimi i rilindjes evropiane në Itali. Atëherë kur është krijuar, fjala intelektual kishte kuptimin “koka e popullit”.

Pra, intelektualët janë trajtuar, konsideruar e çmuar si koka e popullit. Në mënyrë të veçantë kjo fjalë obligon ata që merren me politikë, pasi merren me jetën dhe të ardhmen e popullit. Në krijimtarinë time kurrë nuk i kam ndarë apo veçuar njërën prej tjetrës Shqipërinë dhe Kosovën. I kam parë bashkë, si një tërësi, të bashkuara në të kaluarën, siç kanë qenë, të bashkuara në të tashmen, dhe i kam ëndërruar të bashkuara edhe në të ardhmen.

Kam vërejtur se fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21 na kanë dhënë, na kanë premtuar, një gjasë, një shans historik për ta ndryshuar, për ta përmirësuar fatin tonë. Fati ynë ka qenë shumë i rëndë, një fat historik tragjik. Vetëm shqiptarët janë ata në Ballkan, që janë copëtuar në pesë shtete. Nuk ju ka ndodhur të tjerëve.

Këtë gabim fuqitë e mëdha filluan ta korrigjojnë në vitin ’99 dhe në Konferencës e Rambujesë.

Takimi i sotëm i dy delogacioneve mua më solli shumë gëzim, por i solli gëzim të gjithë shqiptarëve.

O sa bukur duket kjo pamje e politikanëve të Shqipërisë nga Kosova dhe Shqipëria, duket bukur dhe premton shumë. Mosha në të cilën jam unë, 85-vjeç më jep të drejtë morale t’i ftoj kryeministrin Rama dhe Kurti të takohen më shpesh.

Të takohen më shpesh qeveritë e tyre dhe në ato takime të bëjnë, të njehësojnë një ideal të përbashkët që na i kanë lënë Rilindasit që e kanë formuar burrat më të mirë dhe më të ndershëm të popullit shqiptarë.

Të njehësojnë qëllimet e tyre politike. Me njehësimin e idealeve dhe qëllimeve politike i kontribojnë një vlere të madhe që e quajmë kohezion shoqëror, kohezion moral, kohezion kombëtar dhe kohezion shpirtëror të një populli. Ku arrihet ky kohezion popujt e kanë mundur armikun. Kohezioni është fuqia e një populli. Me kohezion ne do të arrijmë të mposhtim rreziqet, provokimet dhe sfidat e ndryshme që na kanosen edhe sot.

Unë uroj që këta të punojnë dhe të kontribojnë me politikën e tyre në këtë kohezion”, tha Rexhep Qosja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura