Deklarata e ambasadorit gjerman për fillimin e negociatave Shqipëri-BE: Ka hapa përpara, por duhen…

Oct 21, 2020 | 8:19
SHPËRNDAJE

Për ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, Shqipëria ka bërë shumë hapa pozitivë në rrugën e saj drejt fillimit të negociatave për anëtarësimin në BE, por sërish për ta nisur këtë proces do të duhet të plotësojë kushtet që u vendosën fillimisht nga Bundestagu dhe që më pas u aprovuan edhe nga Komisioni Europian. peter zingraf

Në prononcimin e dhënë nga qyteti i Shkodrës, Peter Zingraf theksoi se përqendrimi i presidencës gjermane të Bashkimit Europian në çështjen e pandemisë së COVID-19 ishte një gjë shumë e mirë për Shqipërinë. Diplomati gjerman theksoi ndër të tjera se vendi i tij do të vijojë të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e reformave, pasi sipas tij, ato nuk bëhen as për Brukselin dhe as për Berlin, por për vetë qytetarët shqiptarë. Më tej, në deklaratën e tij, Zingraf theksoi edhe në këtë klimë pragzgjedhore që është Shqipëria, është mundësia që të punohet për të bërë hapa pozitivë për vendin në rrugën europiane. “Shqipëria ka bërë hapa përpara. Ka marrë ‘po’-në për bisedimet për anëtarësimin në BE. Kancelaria dyert për Shqipërinë i ka të hapura dhe ne po punojmë intensivisht për këtë temë.

Unë mendoj që përqendrimi i presidencës gjermane te COVID dhe kjo situatë nuk ka qenë negative për Shqipërinë, por pozitive. Një BE e fortë, një partner me i fortë për Shqipërinë. Shqipëria ka shumë për të bërë. Janë kushte për t’u plotësuar, siç është Gjykata e Lartë dhe kushtet e tjera. Këtë gjë nuk duhet ta bëjë për Brukselin apo Berlini, por për vete. Jemi në mes të një fushate elektorale dhe në këto kohë gjenden përherë arsye pozitive për të ecur para”, deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, dje pas një vizite që zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

15 kushtet e Bundestagut për negociatat e Shqipërisë

Në marsin e këtij viti, Shqipërisë iu dha zyrtarisht drita jeshile për të nisur procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Por para se grupi negociator i ngritur nga Shqipëria të ulet në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, duhet që të plotësojë disa kushte. Reforma Zgjedhore dhe bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese janë dy kushte që Tirana zyrtare duhet t’i ketë plotësuar para tryezës së parë. Por edhe pas këtij momenti, për të avancuar me hapjen e kapitujve të negociatave, apo edhe me mbylljen e tyre, për Shqipërinë janë shtruar 15 kushte, që nga funksionimi i sistemit të drejtësisë, ndëshkimi i krimeve zgjedhore, çështjet me emigrantët, ligji për pronat apo edhe ai për mediat, që ndryshe është quajtur si “paketa antishpifje”. Vlen të theksohet se me metodologjinë e re të negociatave, mund të bëhen edhe hapa pas në proces, nëse vërehet një mosplotësim i kushteve, apo zvarritje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura