Kush (nuk) e do Memorialin për Viktimat e Komunizmit?

Aug 23, 2018 | 23:42
SHPËRNDAJE

Jonila godole shkrim

DR. JONILA GODOLE/

Dita Europiane e Kujtesës së Viktimave të Regjimeve Totalitare na jep shkas të kthejmë sytë nga vetja dhe të pyesim: Çfarë kemi bërë ne për viktimat tona të terrorit komunist gjysmëshekullor? Shqipëria vazhdon të jetë vendi i fundit i ish-bllokut komunist, i cili akoma nuk ka trajtuar me seriozitet dhe  në mënyrë sistematike çështjen e së kaluarës së errët komuniste. Shkolla, sheshe, rrugë dhe objekte të tjera vazhdojnë të mbajnë emrat e atyre, që kanë qenë përgjegjës në mënyrë direkte ose indirekte të vrasjeve, persekutimeve, internimeve, torturave dhe vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anembanë vendit.

Sistemi arsimor në Shqipëri nuk ofron edukim të plotë dhe të drejtë mbi trashëgiminë totalitare dhe nuk informon në mënyrën e duhur brezat e rinj mbi krimet e regjimit më brutal komunist në Europën Lindore. 23 gushti është një ditë ndërkombëtare kujtese që na kujton se jetojmë në demokraci, por nuk kemi ende ditën tonë kombëtare ku të nderonim viktimat e diktaturës komuniste dhe qëndresën që iu bë atij regjimi. Diktatura komuniste nuk duhet të bjerë në harresë, së bashku me mijëra njerëz që vuajtën pasojat e saj, u shpronësuan, u vranë, u persekutuan, u burgosën dhe u shkatërruan shpirtërisht dhe materialisht.

Në një ditë si kjo, kujtojmë që kemi pak objekte simbolike që dënojnë regjimin komunist dhe bëmat e tij. Ato u kushtohen kryesisht ngjarjeve ose grupimeve të caktuara, si: memoriali i Lushnjës në kujtim të familjeve të internuara në këtë zonë; pllaka përkujtimore në Tamarë në respekt të Prek Calit dhe luftëtarëve të tij; në Shkodër planifikohet të ngrihet së shpejti një memorial për viktimat dhe qëndresën, në partneritet me bashkinë e qytetit. Por nuk kemi një memorial zyrtar që t’i kujtojë TË GJITHË këto gra, burra e fëmijë, viktima të diktaturës shqiptare 1944-1990, në një shesh qendror në kryeqytet.

A nuk ka pasur kërkesa nga grupi i interesuar i ish-të përndjekurve? Patjetër që ka pasur. Prej vitesh ata po kërkojnë ngritjen e një memoriali përkujtimor në qendër të kryeqytetit, që të shërbejë si një simbol i ndarjes sonë me të shkuarën si shoqëri dhe si reflektim i vullnetit politik të të gjitha palëve. Me këtë rast, më kujtohet një takim më 22 qershor 2016 i grupeve të interesuara për këtë temë, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës premtoi vullnetin e bashkisë për të kontribuar në mënyrë direkte në ndërtimin e tij.

Pyetja që vetë Veliaj ngriti në 2016-ën qëndron ende në fuqi: “Si shpjegohet që në një vend ku është folur aq shumë për antikomunizmin e ku janë ngritur buste për sa e sa personazhe, herë kontroversë e herë anonimë, nuk është gjetur deri më sot mundësia për të bërë atë që duhet të ishte gjëja më elementare: ngritja e një monumenti, një objekti fizik që të simbolizojë vuajtjet dhe respektin për të përndjekurit?” Ai madje propozoi të ngrihej një përfaqësi, e cila bashkë me bashkinë, si pjesë e një komuniteti që vlerëson idetë që vijnë nga artistë, arkitektë dhe urbanistë të gjenin një hapësirë të përshtatshme për memorialin. Përse atëherë, po vonohet ky proces?

Kush nuk e do memorialin kombëtar për viktimat e komunizmit? Apo nuk gjendet dot një shesh i përshtatshëm në Tiranë? “Piramida”, e para, mund të ishte kthyer prej kohësh nga një muze i madhështisë së diktatorit, në një muze të terrorit të diktaturës, ku mund të jetonin bashkë aspekti historik dhe multifunksionaliteti kulturor. Nuk mund të mburremi që po përballemi me të shkuarën me projekte artistike, kur po zhdukim gjurmët e së shkuarës duke shkatërruar godina dhe simbole historike apo duke i lënë ato të rrënohen deri në atë masë, sa shembja e tyre të bëhet e pashmangshme.

Edhe Rusia, ku ende vërtitet fantazma e Stalinit, përuroi së fundmi Muzeun Kombëtar për Gulagun famëkeq mu në qendër të Moskës. Sheshi i rikonstruktuar “Skënderbej” u promovua si “qendra ku dikur ka qëndruar diktatori dhe sot është vendosur njeriu i thjeshtë”, por nuk gjen asnjë shenjë që tregon sesi u rrëzua me dhunë diktatori në bronz dhe u tërhoq zvarrë nga mijëra shqiptarë.

Një pllakë e thjeshtë përkujtimore do t’u kujtonte kalimtarëve revoltën popullore dhe rënien e tiranit. Statuja e diktatorit ka qenë aty ku sot ndodhet ashensori, që zbret në parkingun nëntokësor. Ku më mirë se në këtë vend, se në këtë shesh historik, mund të qëndronte memoriali i qëndresës ndaj diktaturës së egër shqiptare dhe i viktimave që ajo shkaktoi? Ku më mirë se aty ai mund të vizitohej përditë nga shqiptarë dhe të huaj, nga ata që e kanë provuar në kurriz dhe nga ata që kanë lindur pas 1990-ës ose nuk e njohin fare historinë e Shqipërisë?

Sikur në këtë memorial të skaliteshin edhe gjithë emrat e personave që janë persekutuar, pushkatuar dhe burgosur nga regjimi, atëherë do të kishim vërtet një “Mur Kujtese” në qendër të kryeqytetit. Memoriali do të ishte gjithashtu efikas në dy drejtime. Nga njëra anë do të vizitohej nga shtresa e të përndjekurve, që ende jetojnë dhe familjarët e tyre, të cilët do të fitonin respektin e munguar shoqëror ndaj padrejtësive që u janë bërë. Dhe nga ana tjetër, memoriali në shesh nuk do të mund të evitohej as nga bashkëpunëtorët e atij sistemi.

Pjesa më e madhe e tyre përfituan nga tranzicioni dhe mungesa e shtetit ligjor për të fshehur apo transformuar biografitë e tyre dhe natyrisht gjëja e fundit që u shkon në mendje është përballja pas kaq vitesh me viktimat që kanë shkaktuar vetë. Kjo përballje është e domosdoshme dhe shumë e vonuar. Në 28 vite “demokraci funksionale” nuk kemi dëgjuar një rast të vetëm kërkim faljeje, as nga ata që ishin në pushtet deri në vitin 1991, as nga pasardhësit e tyre në politikë. Jemi dëshmitarë të mohimit publik të së kaluarës, të shfaqjes po aq publike të simboleve komuniste në përvjetorë të ndryshëm, ndërkohë që helmimi i popullatës me “krijimtarinë artistike të së kaluarës së lavdishme” është i përditshëm përmes kanaleve mediatike.

Nga ana tjetër, po ashtu jemi dëshmitarë të mbingopjes së opinionit publik me “dosjerë”, “dëshmi”, “dokumente sekrete”, të cilat hidhen në tregun mediatik në mënyrë josistematike, për të mpirë publikun dhe si “shashka” për vëmendje mediatike dhe jo për të dokumentuar krimet e kryera nga regjimi komunist. Apo të iniciativave ad-hoc të institucioneve shtetërore, që dublojnë aktivitetet e shoqërisë civile, duke e dobësuar qëllimisht rolin e saj, në vend që të kryejnë detyrat, për të cilat janë ngritur. Fokusimi te kultura simbolike e kujtesës është vetëm njëra anë e ballafaqimit tonë me diktaturën, të cilën as këtë nuk e kemi bërë siç duhet, pale t’i afrohemi thelbit të saj, të drejtës së viktimave për drejtësi?!

Një memorial kombëtar në një shesh qendror vërtet u kushtohet viktimave, por do të na kujtonte të gjithëve, vazhdimisht, pushtetin shkatërrues të sistemit shoqëror në real-socializmin shqiptar. Në të gjitha vendet e tjera të Bllokut Lindor viktimat nderohen, në Pragë, në Budapest, në Sofje apo në Moskë. Tri dekada pas rënies së regjimit komunist, ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të ketë një vend të tillë përkujtimor. Jo i fshehur në periferi, por në qendër të kryeqytetit dhe me mbështetje të posaçme nga Parlamenti shqiptar, për të transmetuar mesazhin se ne po e tejkalojmë me sukses diktaturën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura