DEBATI/ PD akuza për Xhafajn, Beqiri i PS: Mos bëni të virgjrin për drogën

Jun 8, 2018 | 19:26
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Opozita ka bllokuar dje sërish punimet e Komisionit Parlamentar të Mediave, duke i lënë afat maxhorancës edhe 23 ditë kohë për të larguar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në rendin e ditës së komisionit ishte thirrur në seancë dëgjimore kryetari i AKEP-it, Ilir Zela, i cili do fliste për vendimin për të mbyllur portalin satirik, “kryeministri.com”.

vokshi1

Por duke qenë se Zela nuk u paraqit në mbledhje, demokratët e kanë shfrytëzuar këtë mbledhje për të bërë sërish debat politik. Demokrati Luçiano Boçi tha se qeveria po përgatit bazë ligjore që të mbyllë të gjitha portalet kritike dhe me mbylljen e portalit satirik, po i mat pulsin opozitës dhe opinionit publik. “Nuk mund të thoni që është projekt pilot, se të ishte i tillë, duhet të mbylleshin 30 portale”, ka thënë socialistja Milva Ekonomi. Por për Albana Vokshin, AKEP duhet të mbyllte “ERTV”-në, sepse ka përmbajtje të dëmshme për qytetarët.

beqiraj

“Pse nuk mbyllet ‘ERTV’, është i paligjshëm, ka përmbajtje të paligjshme dhe përmbajte të dëmshme. Ka monopolizuar tregun. Është pa licencë”, ka thënë Vokshi. Debati ka vijuar më pas për drogën, ku deputeti i PS-së, Ismet Beqiri, u ka kërkuar demokratëve të mos bëjnë të “virgjrin”, pasi droga është mbjellë prej 27 vjetësh në Shqipëri.

“Ti duhet të distancohesh nga ministrat e Brendshëm të lidhur me drogën dhe krimin. Jeni për të ardhur keq. Keni vetëm 23 ditë kohë që të shkarkoni ministrin e Brendshëm”, iu është drejtuar kryetarja Albana Vokshi, socialistëve.

SHERRI TE KOMISIONI I MEDIAS

Albana Vokshi: Unë e quaj të paprecedentë dhe të pafalshme mospjesëmarrjen dhe refuzimin që zoti Ilir Zela i ka bërë Komisionit të Medias. S’mund të refuzohet një komision parlamentar në mënyrë kaq flagrante dhe po bëhet në mënyrë sistematike. Ne çdo javë kemi refuzime ose të kabinetit qeveritar, ose drejtuesve të institucioneve. Edhe të deputetëve sepse marrin urdhër direkt. S’mund ta tolerojmë këtë gjendje…

Luçiano Boçi: Është skandal mbyllja e faqes ‘kryeministri.com’ nuk është rastësi, por është projekt pilot. Është testim për median online, si do jetë reagimi i opozitës dhe reagimi i medias. Pas kësaj do vijnë dhe mbylljet e tjera. Është parapërgatitur nga ana ligjore..

Milva Ekonomi: Nuk mund të thoni që është projekt pilot se të ishte e tillë duhet të mbylleshin 30 portale..

Albana Vokshi: Nuk do lejojmë Edi Ramën të mbyllë portalet.

Milva Ekonomi: Nuk i mbyll Edi Rama dhe nuk i hap. Se Edi Rama i ka lënë të bëjnë ç’të duan.

Albana Vokshi: Pse nuk mbyllet “ERTV”, është i paligjshëm, ka përmbajtje të paligjshme dhe përmbajte të dëmshme. Pse nuk mbyllet?

Milva Ekonomi: “ERTV” është video-live në “Facebook”. Shko pyet Mark Zuckembergun.

Albana Vokshi: Të mbyllet, pse të mos mbyllet, është e dëmshme. Ka monopolizuar tregun. Është pa licencë.

Milva Ekonomi: Ju keni frikë nga ndjekësit që ka “ERTV”. (Deputetët e PD-së qeshin)

Genc Pollo: Ilir Zela, me përgjigjen e tij, ia ka lënë fajin në derë zotit Kryeministër, Edi Rama. Ai thotë qartë që unë nuk e kam mbyllur me iniciativën time, por kam qenë i urdhëruar nga AKCES, agjencia e Kryeministrit. Sulmet ndaj kësaj faqeje nisën vetëm pasi u bë parodia për ministrin e Brendshëm të lidhur me krimin. Florion Mima: Është e qartë për të gjithë tashmë që negociatat nuk do hapen sepse nuk do Partia Socialiste. Unë kam bindjen që mes jush kolegë të maxhorancës ka njerëz që duan ta mbajnë kokën lart, një pjesë fare e vogël e lidhur me Rilindjen, ata mund të kenë arsye ta mbajnë kokën poshtë. Le ta mbajnë për këtë zarar të madh që po i bëjnë vendit. Cilat janë klanet? Shikoni rotacionin e klaneve në Ministrinë e Brendshme. Klani i marijuanës iku. Kreu misionin e vet, e kanalizoi vendin me një xhiro vjetore 9 miliardë euro, thotë EUROPOL. 4 miliardë është buxheti i shtetit. Në ikje e sipër është klani i kokainës, 2.5 miliardë e gjysmë euro, thotë OKB. Krimi më i madh është se 2.5% e popullsisë është e varur nga kokaina. Ka dhe një klan që po bëhet gati, është klani i heroinës, por edhe ai siç do vijë, do ikë shumë shpejt.

Ismet Beqiri: Sa për drogën dhe krimet e tjera, Shqipëria nuk u kanabizua për 4 vjet, por ka 27 vjet dhe zotërinjtë mos të bëjnë apologjinë, mos të bëjmë virgjërinë këtu. E dimë ç’është Shqipëria, e dinë Shqiptarët jashtë kësaj salle n.q.s ju keni ardhur dhe do ta vazhdoni deri në fund derisa të japë Europa vendimin përfundimtar për Shqipërinë. Unë kam shumë shpresë se mendojnë më shumë për shqiptarët se për ato ekipe politike, që janë dhe ikin në pushtet. Ne nuk i bëjmë mirë çështjes në këto momente, duke hedhur baltë dhe duke nxirë gjithë vetën tonë. Le ta shikojmë gotën gjysmë plot dhe jo vetëm gjysmë bosh.

Albana Vokshi: Ti duhet të distancohesh nga ministrat e Brendshëm të lidhur me drogën dhe krimin. Jeni për të ardhur keq. Keni vetëm 23 ditë kohë që të shkarkoni ministrin e Brendshëm dhe të tregoni që e keni seriozisht plotë- simin e kritereve. Po mbani peng një Shqipëri të tërë, po mbani peng rininë.

Ismet Beqiri: Rininë po e mbani ju peng ,me politikat që po bëni..Injektoni pozitivitet në mendjen e njerëzve, ju lutem.

Aldo Bumçi: Është mbyllur një portal kritik me qeverinë.

Milva Ekonomi: I paligjshëm..

Aldo Bumçi: Këtë e vendos Gjykata. Por sot nuk ekziston më Gjykata Kushtetuese, sepse e mbylli Edi Rama. Nuk mundet të mbyllet një institucion se anëtarët e saj nuk justifikojnë dot të ardhurat e tyre.. Institucioni ka më shumë vlerë se dy anëtarë, se me këtë logjikë, as doganat, as polici dhe asnjë institucion tjetër. Gjykata Kushtetuese është ajo gjykatë që na mbron të drejtat.

Albana Vokshi: O Ismet, ti e ke marrë sot rolin se pardje e kishte Fideli…

Fidel Ylli: Ça halli ke që provokon. Çfarë halli ke që provokon moj zonjushë? Pse ma përmend emrin..

Albana Vokshi: Thashë vetëm që bërë zhurmë herës tjetër.

Fidel Ylli: Nuk bëj zhurmë asnjëherë unë, flas me fakte. Dal me fakte me argumente. Ju kam thënë deri në datë 28 ne do ju durojmë, dhe do ju respektojmë. Na paskan vënë dhe përgjuesin se ça flasim ne me njëri-tjetrin, qenkemi të mërzitur nga qeverisja. Këta i dinë të gjitha.. Mos e streso veten. Albana vetëm di të provokojë edhe kur s’duam të flasim.

Albana Vokshi: Lexoni rregulloren dhe pastaj e respektojmë.

Fidel Ylli: E kuptoj unë dhimbjen që ke kur je në opozitë.

Albana Vokshi: Mos kini frikë nga fjala..

Klevis Balliu: O Ismet trimi..

Ismet Beqiri: Po, trim jam. Trim jam, ta dish ti…

Fadil Nasufi: Boll e ndotëm ambientin publik me akuza…

Albana Vokshi: Me drogën? Me drogën? Me drogën që mbushet gjithë Shqipërinë.

Fadil Nasufi: Drogë është dhe kjo mënyrë e të folurit dhe të përbalturit.

Albana Vokshi: S’mund të thuash ti për kolegët e mi që kanë ndodhur ambientin. Ju e ndotët me drogë. Është turp, tregoni respekt dhe etikë. Kemi miratuar Kod Etike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura