DEBATI/ Legalizimet pas ‘09, Lame: Përfitojnë 60 mijë familje

May 27, 2015 | 14:37
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim projektligjin e qeverisë, që synon legalizimin e banesave të ndërtuara nga viti 2009 e në vazhdim. Nisma e maxhorancës “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” do të prekë rreth 40 deri në 60 mijë objekte, të cilat do të mund të përfshihen në procesin e legalizimit.

Artan Lame ne Komisionin e Ligjeve

Gjatë prezantimit të projektligjit, drejtori i përgjithshëm i ALUIZN-it, Artan Lame, tha se projektligji i qeverisë duhet të miratohet së bashku me nismën e tre deputetëve, që amniston personat e dënuar për ndërtime pa leje. Lame tha se me hyrjen në fuqi të ligjit të vitit 2009, një pjesë e objekteve mbeten jashtë procesit të legalizimit.

“Kjo kategori mbeti e penalizuar, por edhe pse nga pikëpamja morale ishte e njëkohshme me kategoritë e tjera, por për shkak të këtij freni ligjor nuk mund të përfshihej në proces. Pra, kjo masë qytetarësh vërtitet në këto shifra në rreth 40 deri në 60 mijë ndërtime dhe, duke pasur parasysh dhe faktin e informacionit të dalë publikisht nga komisionet për ekzistencën e vullnetit të deputetëve për të bërë një amnisti për një kategori të tyre, menduam t’i bashkonim gjërat për ta zgjidhur përfundimisht këtë kategori”, tha Lame.

KORRUPSIONI
Sipas drejtorit të ALUIZNit, ndërtesa e mbetura jashtë procesit të legalizimit ishin shndërruar në objekte të lëna jashtë ligjit, për të cilat prokurorë dhe policë kërkonin ryshfete.

“Me këtë masë ndërtimesh, më vjen keq ta them, por kanë mbetur në mëshirën e punonjësve të Policisë apo të Prokurorisë, të cilët sa herë donin, i përdorin si kontingjente korruptimi. Në shumë raste kanë shërbyer si të tilla, sepse kanë qenë pa mbrojtje ligjore. Nuk po bëjmë legalizimin e tyre, por përfshirjen në procesin e legalizimit si gjithë kategoritë e tjera. Pastaj është ligji ai që vendos kriteret nëse legalizohen apo jo”, tha dje Lame.

Drejtori i ALUIZNI-t u shpreh më tej se janë 200 mijë objekte për legalizimin, që do të synohen të përfundohen brenda vitit 2017, ndërkohë që pjesa tjetër e mbetur do të trajtohet mandatin tjetër.

DEBATI
Bashkim Fino: Ka 10 vjet që ne po bëjmë legalizime, nuk keni faj ju Lame, se ju 18 muaj keni në krye të ALUIZN-it. Po pyetja ime është, kur mbarojnë legalizimet në Republikën e Shqipërisë? Ka ndonjë afat? Ky ligj, sipas zotit Lame krijon mundësitë për legalizimin e 40 deri në 60 mijë objekteve.
Artan Lame: Nga 427 mijë legalizime që përfundoi censusi më i plotë, po të heqim objektet që kanë deklaruar nga 2 herë dhe 3 herë në të gjitha fushatat, mbeten rreth 350 mijë objekte. Po të heqim 50 mijë legalizimet që janë bërë nga 2006 deri më sot, mbeten rreth 300 mijë objekte. Pjesa më e madhe ndodhen në zonat informate, rreth 200 mijë objekte, sepse këto do të legalizohen të parat. Legalizimi për këto zona informale, sipas planifikimit të qeverisë, duhet të përfundojë brenda këtij mandati, duke lënë për mandatin tjetër ndërtimet e veçanta.
Oerd Bylykbashi: Ju kërkonit dhe të vendosnit barrën hipotekore ndaj banesave…
Fatmir Xhafaj: Në qoftë se ka një proces që ju nuk duhet të ndërhyni, është legalizimi… Unë, të isha në vendin tuaj, nuk do vija fare te legalizimet.
Artan Lame: Nga takimet me njerëzit, sidomos ata që janë në tokë me pronarë, thonë që dua ta paguaj tokën se nuk dua t’u lë bela kalamajve.
Oerd Bylykbashi: Ju premtuat legalizimin fals, pra të mos paguajë asnjë lek qytetari. As për truallin, paguaje ti si shtet. Kështu e premtuat.
Pandeli Majko: Pse, edhe truallin ky ta paguajë?
Fatmir Xhafaj: Këta e kuptojnë dhe vetë që e kanë djallosur fare. Zoti Lame ka një ftesë për opozitën, që kur të shpërndajmë certifikatat, të jenë të pranishëm, që t’i shikojnë qytetarët në sy.
Bashkim Fino: Ju thatë që nga 2005 deri më sot, janë 427 mijë objekte. Nga ato që janë deklaruar 2-3 herë, ngelën 350 mijë. Nga 350 mijë objekte, janë bërë 50 mijë legalizime. Që do të thotë nga 2006-ta deri në 2015 janë legalizuar vetëm 50 mijë, ndërkohë mbeten 300 mijë. Nga 50 mijë në 18 muaj, sa keni legalizuar ju?
Artan Lame: Janë 21 700 objekte të legalizuara deri në 2013-ën dhe 32 mijë e 200 në 18 muaj.
Oerd Bylykbashi: Sa prej tyre gjetët gati?
Fatmir Xhafaj: Lëre, se i ra sheqeri tani…
* * *
Bashkim Fino: Me këtë nismë kemi bërë një punë shumë të mirë, sepse po ecim tamam në drejtimin e duhur. Ju as dinjitet s’keni me mënyrën si e keni lënë Shqipërinë. Opozita të reagojë dhe të kërkojë ndjesë e të thotë që do e votojmë edhe ne…
Gent Strazimiri: Mos bëni karta falco në komision, mediat janë aty, dilni në konferenca në korridor! Fatmir Xhafaj:Po ua keni marrë dorën korridoreve ju, vazhdoni!

Majko: Procedura të çuditshme me legalizimet

Deputeti i PS, Pandeli Majko, ka ngritur si shqetësim procedurat që ndjek ALUIZN-i, ku sipas tij qytetarëve u pranohen dokumentet dhe i merret pagesa, ndërkohë që në një fazë tjetër refuzohet legalizimi. “Ajo që s’kam kuptuar asnjëherë, është që institucioni juaj ka marrëdhënie të çuditshme ndonjëherë me banorët, të cilët kanë bërë letrat për legalizim. Ju keni pranuar letrat e legalizimit, keni pranuar dhe pagesat përkatëse që janë goxha të kripura dhe në një moment të dytë apo të tretë i thoni nuk bëhet legalizimi. Unë shteti të pranoj letrat, të marr paratë edhe të refuzoj”, tha Majko.

Duke marrë rast konkret ndërtesat në zonën ku kalon Unaza e re, sipas tij qytetarëve u është legalizuar shtesa, por jo banesa që ka qenë para viteve ‘90. “Ju e dini që ka raste të natyrave të çuditshme për sa i përket legalizimit, ku një qytetari që e ka shtëpinë te Njësia nr.5, e ka shtëpitë te zona ku do kalojë Unaza e madhe, i është legalizuar shtesa që pas viteve ’90 dhe godina që ka para viteve ’90, nuk i legalizohet për efekte të dëmshpërblimit. Apo rasti tjetër që unë kam bërë shtëpinë me komshinjtë e mi, që pasi kam bërë pagesën dhe letrat, mua më thuhet që këtu do të kalojë një projekt dhe, si pasojë, nuk të takon të bësh legalizimin. Unë e kam paraqitur së bashku me komshinjtë e mi kërkesën për legalizim, por se qenka një projekt hipotetik që s’dihet kur do të bëhet. Ndërkohë që mund të ndodhte ndryshe, unë mund të legalizohesha dhe, kur të vinte momenti i shpronë- simit, të paguhesha sipas rasteve”, tha dje Majko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura