Debati i plotë në KQZ me drejtorin e Kadastrës/ Celibashi: Si u gjendën certifikatat në duart e deputetit?! Qalliu: Mund të jetë takuar me çunat gjatë…

Jan 12, 2021 | 13:26
SHPËRNDAJE

Arben Qalliu, drejtori i Kadastrës në Lushnje është zyrtari i parë, i cili jep llogari përpara KQZ-së si subjekt i aktit për veprimtaritë e ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve.

celibashi-qalliu-shkelje

Komisionari shtetëror e pyeti z. Qalliu se si lejet e legalizimeve të prodhuara nga zyra që drejtohej nga ai kishin rënë në duart e deputetit të PSsë, Bujar Çela, dhe ishin shpërndarë te banorët. Qalliu, i cili kishte në atë detyrë vetëm 4 muaj mohoi që t’ia kishte dorëzuar vetë lejet e legalizimeve deputetit.

DEBATI

Ilirjan Celibashi: Ne nuk e kemi për momentin numrin e certifikatave të shpërndara për muajin dhjetor?

Arben Qalliu: Janë prodhuar në muajin nëntor 130 leje dhe aktualisht që flasim mund të ketë leje të pashpërndara.

Ilirjan Celibashi: Sa prej tyre janë shpërndarë?

Arben Qalliu: Mund të jenë shpërndarë 40% e lejeve që kemi prodhuar për muajin nëntor. Një pjesë e lejeve që ne përpunojmë janë për shqiptarët emigrantë. Mënyra e dërgesës bëhet kështu.

Ilirjan Celibashi: Si janë gjendur këto certifikata në dorën e deputetit?

Arben Qalliu:
Shpjegimet mund t’i japë dikush tjetër shumë mirë. Shpjegimi është shumë i thjeshtë. E thashë edhe në fillim, nëse do të ishit të vëmendshëm. Unë punoj me zona kadastrale dhe tani jam në zonën kadastrale Izgjokaj.

Ilirjan Celibashi: Nuk ka rëndësi kjo.
Arben Qalliu: Ai e dinte shumë mirë që unë kam punuar në atë zonë, sepse ai është gjithë kohës në terren për punët e veta.

Ilirjan Celibashi: Nga informacioni që ne kemi, këto leje janë shpërndarë nga deputeti. Tani mund të na thoni si kanë përfunduar në dorën e deputetit?

Arben Qalliu: Ja pra, shpjegimi është ky që mendoj unë. Ai është në dijeni që unë prodhoj leje për atë zonë dhe ai mund të ketë takuar çunat gjatë kohës që kanë shpërndarë, por që të ketë ardhur në zyrën time dhe t’i kem thënë na këto leje e shpërndaji, se unë nuk e bëj dot, kjo nuk ka ndodhur.

Në rast se Komisionari Shtetëror pas seancës dëgjimore do të vendosë se deputeti socialist ka shkelur vetëm vendimin e KQZsë dhe nuk ka kryer vepër penale, atëherë Bujar Çela do të mund të gjobitet me gjobë nga 3000-90000 lekë.

Por, masës administrative nuk do t’i mund t’i shpëtojë as drejtori i Kadastrës, i cili mund të ndëshkohet me një masë administrative nga 10000-50000 lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura