Debati i munguar i shqiptarëve në Maqedoni

Apr 23, 2016 | 12:34
SHPËRNDAJE

Arsim-SinaniARSIM SINANI

Nëse i ikni ballafaqimit, kjo nuk do të thotë se keni arritur ta shmangni problemin, por ta shtyni agoninë, e cila do t’ju ndjekë nga pas deri sa t’ju gjejë në fund. Me këtë thënie timen po e nis kolumnen, të cilën e kam titulluar debati i munguar i shqiptarëve në Maqedoni. Pse debati i munguar, çka dëshiroj të hedh në dritë nëpërmjet këtyre mendimeve do e elaboroj në mënyrën time, duke e marrë për bazë rastin e demokracisë së qelqtë në Maqedoninë e cila po zien.

Problemi më i madh në Maqedoni është se njerëzit frikësohen t’i ballafaqojnë konceptet, idetë dhe t’i shkëmbejnë mendimet, kjo është sëmundja nga e cila vuajnë shqiptarët në Maqedoni. Përveç kësaj, problem shumë i theksuar është frika nga ballafaqimi me të vërtetën. Prandaj, pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë me dy të vërteta, të vërtetën që e servir pushteti aktual dhe e vërteta, që është e kundërta e vërtetës së pushtetit. Frika në të vërtetë e ka kapluar një kohë të gjatë qytetarin, i cili duke mos pasur zgjidhje, e ka pranuar faktin në heshtje duke mos polemizuar me politikanët, të cilët e kanë kapur demokracinë dhe gjithçka që quhet opinion publik dhe e vërteta e hidhur.

Kjo sëmundje po e mban në gjendje të mjegullt opinionin publik shqiptar, i cili me të drejtë nga ajo sa di unë kërkon ndëshkimin e politikave të dështuara që përfaqësojnë dy partitë politike shqiptare. Për të qenë më e madhe histeria, pushteti ka instaluar megafona të mëdhenj, të cilët e kryejnë pjesën praktike të punës, e kjo është shpëlarja e trurit që i bëhet opinionit publik. Ky lavazh politik nuk është në gjendje të ofrojë asgjë, përveçse ua lan pa ndalë trurin qytetarëve, në mënyrë sistematike, për të fshehur dështimet e veta pushteti dhe suita që i shkon pas. Ky rreth vicioz i ka fut shqiptarët e Maqedonisë në një ferr të vërtetë dhe assesi të lirohen nga megafonat dhe lavazhet që i keni gjithandej.

Nëse nuk pajtoheni me idetë e pushtetit, me veprimet e tyre, me mekanizmat që ata i kanë ngritur, ju përfundoni i vetmuar në një botë të izoluar, e cila është e frikshme, për të gjithë ata që s’e kuptojnë frikën e rrejshme që e ka ngrit pushteti si kurth. Kompromisi që gazetarët lipset mos ta bëjnë është që mos ta pranojnë rolin e luftëtarit të lavazhit që lan gjithçka, pisllëqet që shqiptarët i mbajnë të robëruar. Debati i munguar është një përpjekje për të parë dritën e vërteta e dhimbshme me të cilën kjo klasë politike dhe megafonat e saj nuk e kuptojnë se, jo gjithnjë mund t’ua mbyllni gojën 1 milion qytetarëve, thënë figurativisht.

Por ky pushtet kullën e vet e ka ndërtuar me një moto: gjithsecili me dikë është, kështu që ata u sugjerojnë nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit publik e jopublik se më mirë me ne, se kundër nesh. Një frazë që e shter debatin, i cili do lipsej të hapte një çështje që është shumë e rëndësishme e kjo është: Pse shqiptarët në Maqedoni kanë debat, por ky debat ka shenja që simbolizon kontrollin mbi mendimin e lirë, mbi të vërtetën, e cila dhemb për ata që jetën tonë e kanë shndërruar në ferr?

Konica do të thoshte “Ç’është liria”, mbi këtë koncept gjeneratat e reja dhe të gjithë ata që mendojnë ndryshe, lipset ta mundin frikën dhe ta hapin debatin, i cili do të përmirësonte gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe do të rrëzonte kullën e rërës që e kanë ngritur politikanët e kapur për bishti nga shteti maqedonas. Mesazhi im i fillimit dhe i fundit është ky: Nëse i ikni ballafaqimit, kjo nuk do të thotë se keni arritur ta shmangni problemin, por ta shtyni agoninë, e cila do t’ju ndjekë nga pas deri sa t’ju gjejë në fund.

*Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura