DEBATI/ Bie Matura, notë mesatare për t’u futur në universitet

May 26, 2015 | 14:23
SHPËRNDAJE

Studentët garues për në universitete për vitin e ardhshëm akademik 2016-2017 do të kenë kriter kryesor pranimi notën mesatare, që do të përcaktohet me vendim qeverie. Ky fakt u bë publik nga vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë prezantimit të ligjit të ri për arsimin e lartë në Komisionin e Edukimit.

Nikolla dje ne Komision

“Nota mesatare vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar, por ajo do të jetë në varësi të programeve të ndryshme”. Sipas ministres, do të jenë vetë universitetet, që me ligjin e ri fitojnë pavarësinë e përcaktimit të kuotave dhe studentëve që do të rekrutojnë në mesin e tyre.

Kjo, sipas Nikollës, do të bëhet duke vendosur notë mesatare të ndryshme për programe të caktuara, bazuar në cilësinë e studentëve që duan të zgjedhin. “Besojmë fort që duke orientuar sistemin drejt performancës, nxisim gjithnjë e më shumë që institucionet e arsimit të lartë të jenë drejt tendencave jo vetëm për të zhvilluar procese mësimdhënieje cilësore, por edhe drejt tërheqjes në programe apo profile të caktuara”.

Dilema e komisionerëve, nëse kriteret e pranimeve do të jenë të njëjta si për universitetet private dhe ato publike, mori këtë përgjigje: “Qeveria merr përsipër gjithçka që ndodh në institucionet e arsimit të lartë. Por, nga ana tjetër, nuk vendosim rregullat që lidhen me përzgjedhjet që bëjnë, pasi është kompetencë e atyre institucioneve”, vuri në dukje Nikolla.

Ndërkaq, ligji parashikon dy instrumente për të verifikuar cilësinë e universiteteve. Do të jenë sondazhet publike për matjen e performancës dhe letra e prioriteteve që përcakton ecurinë e punësimit të studentëve, që dalin nga institucione të caktuara publike e private.

TITUJT DHE GRADAT
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, kompetencën e lëshimit së titujve dhe gradave do ta marrin institucionet e arsimit të lartë, ndërsa qeveria vendos standardet në rang kombëtar. Ishte kjo risia e prezantuar sot në Komision, që ngjalli mjaft debate në raport me njohjen e tyre nga universitete të ndryshme.

“Titujt i lëshojnë universitetet, ndërsa më pas njohja e tyre nga institucionet e arsimit të lartë është kompetencë e brendshme”, sqaroi Aleksandër Xhuvani, një nga komisionerët e reformës së arsimit të lartë. Por kjo nuk do të përcaktojë aspak marrëdhënien e punës së mbajtësit të titullit me universitetin ku jep mësim.

“Ligji thotë: nëse një titull i dhënë nga Universiteti i Tiranës i pëlqen ose jo Universitetit të Shkodrës është punë e tij dhe nëse do e punësojë dhe anasjelltas. Gjithashtu, do të ketë dhe një komision burokratësh, që verifikojnë nëse zbatohen standardet në lëshimin e këtyre titujve.

Debati në Komisionin e Edukimit

Mimoza Hafizi: Departamentet e universiteteve private mund të financohen me fonde publike?
Aleksandër Xhuvani: Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, si publike, edhe private, mund të marrin pjesë në garën e projekteve kërkimore-shkencore në rang kombëtar. Se si i bëjnë punët është çështje tjetër. Pjesa e doktoraturave është e diferencuar. Ata marrin pjesë në garën kombëtare, projekteve shkencore, pasi rezultati i tyre mund të ketë ndikim kombëtar dhe nuk mund t’i përjashtojmë.
Mimoza Hafizi: Unë i ndaj universitetet publike nga ato private, sepse në frymën e ligjit ato publike janë tërësisht të kontrolluara nga shteti që jep financimet. Kush më garanton që financimi publik të shkojë në destinacionin e duhur?! Ju nuk keni përfaqësues të institucionit që mbron financimet publike që është shteti, se keni anëtarë të bordit të universiteteve private. Më thoni, çfarë mekanizmi do të gjeni?
Aleksandër Xhuvani: Jo, nuk thashë atë. Asnjë universitet nuk ka të drejtë të njohë apo të mos njohë një titull. Punësimi është çështje e brendshme, por nuk ka të bëjë me njohjen e titullit.
Myqerem Tafaj: Statusi i pedagogut, çështje e pazgjidhur.
Aleksandër Xhuvani: Në ligj thuhet se shteti garanton lirinë akademike. Personeli akademik ka disa të drejta… Statusi i tij në ligj nuk mund të detajohet më shumë.
Myqerem Tafaj: Unë të ftoj të marrësh ligjin francez, meqë je shkolluar në Francë. Nëse ti e konsideron të zgjidhur problemin e statusit të pedagogut me çështjen e lirisë akademike, unë nuk mendoj se kjo ndodh në të vërtetë. Hajde ta bëjmë statusin e pedagogut, në mënyrë që ai të ketë dinjitet. Të lutem, mos më lexo mua lirinë akademike për të treguar statusin e tij. Liria akademike nuk garanton atë. Duhet shumë më tepër garanci për ta.
Lindita Nikolla: Është një nen i veçantë për statusin e personelit akademik, ku thuhet se ai gëzon status dhe trajtim të veçantë. Dhe në pikat përkatëse thuhet se institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë në trajtimin e veçantë financiar për personelin akademik, krahas përfitimeve nga buxheti i shtetit. Pra, ligji garanton përmes kritereve të qarta dhe të plota se si realizohet procesi i punësimit dhe aty ka risi që lidhen me një procedurë më të ndërlikuar për largimin nga puna të një pedagogu apo profesori nga institucionet e arsimit të lartë.
Myqerem Tafaj: Nuk mjafton, duhet shumë më tepër.
Luçiano Boçi: Ministrja e Arsimit nuk guxon të japë përgjigje për rritjen disafish të tarifave të studimit për studentët sipas këtij ligji. Ajo shmang edhe përgjigjen për shumën e bursimit të studentëve dhe numrin e vogël të përfituesve, refuzon të argumentojnë qëllimin dhe arsyen e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë të pavarura publike dhe nuk na jep asnjë rast anglosakson të këtillë. Po ashtu, ministrja injoron kundërshtimet e fakulteteve për kreun XII, që ligjëron ILAPP-et, ndërsa gënjen kur deklaron se asnjë
para publike nuk do të shkojë te privati. Sepse këto, sapo bëhen të pavarur publikë, sipas këtij ligji, rrëmbejnë pjesën e luanit nga buxheti i shtetit. Ligji që na paraqet ministrja, sanksionon rrëzimin e autoritetit akademik përballë atij administrativ. 
Myqerem Tafaj: Ky ligj nuk garanton asnjë lloj gare mbi bazën e meritës, që është gjëja thelbësore. Meritë është nëse krijohen grupet dhe garohet me kualitet akademik. Departamenti nuk funksionon në Shqipëri, ai do 30 vjet të instalohet. Nuk mund të sfumojmë fakultetin duke menduar që të ngrihet departamenti kaq thjesht. Modeli ku fakulteti shumohet dhe departamenti nxirret më në pah është utopi. 
Lindita Nikolla: Kur të vijë diskutimi nen për nen, diskutojmë me qetësi. Mendoj se ligji u jep fund historive mbi rangjet që janë bërë në vite me dhënien e titujve. Doktoratura në shkencat politike e juridike që jepej nga fakultete që s’kishin fare lidhje, departamente apo nuk zhvillonin programe me këto lëndë e kështu me radhë…, në momentin e duhur do të bëjmë transparente gjithë këtë situatë. Ligji i ri adreson konform
standardeve të vendeve më të përparuara edhe titujt akademikë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura