De Rada, tragjiku më i pandreqshëm i letrave shqipe

Jun 30, 2014 | 12:30
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

  Te De Rada, midis shumë perlave, meritave, dimensioneve,  vlerave, domethënieve, kulmeve të krijimtarisë dhe jetës së tij, ajo që bie më shumë në sy është përmasa e tragjizmit dhe pesha e elementit tragjik.
Në një mënyrë ose tjetër, në një formë të vjetër apo të re, nga një vepër në tjetrën, ky tragjizëm është gjithmonë aty; herë rri nën rreshta e herë qëndron pas hijeve të personazheve.
Herë shfaqet pas pak ditëve të lumtura e të qeta jetësore të poetit e herë del dukshëm i përshkruar brenda unit të tij poetik.
Herë shpërndahet harmonishëm, në rrjedhat e ndjenjave dhe të ngjarjeve kulmore dhe herë shpërthen në konflikte të mprehta pa kufij.
Herë është lirik dhe herë-herë është dhe me nuanca komike. Madje shpesh, ai narratohet dhe del e fiton përmasë si protagonisti i vërtetë i ngjarjeve.
Tragjizmi duket se pushton kështu, me sukses, si hapësirën emocionale e mentale të autorit, ashtu dhe dimensionet poetike  krijuese të tij.
Kjo ndodh edhe kur poeti dalldiset në kulmet e lirizmit dhe kur kërkon të zbulojë dramacitetin domethënës të historisë, por edhe kur kërkon të gjejë paqe në monotoninë e prozaizmit të shkallëzuar.
Thënë ndryshe, ai përfton brenda korpusit të tij, aq peshë estetike, poetike e kuptimore, sa arrin gati të eklipsojë dhe personazhet më të spikatur të De Radës, duke u shndërruar më shumë me dashje sesa rastësisht, në epiqendrën nga ku motivohen zulmet dhe betejat e dashurisë dhe krenarisë, të ndjenjës dhe detyrës, të atdheut dhe të ekzistencës personale, në epiqendrën nga ku nisen dhe marrin vlerë gjykimet dhe vlerësimet tona, për majat e arritura nga një poet e shkrimtar me fat cilësisht tragjik.
Kjo “staturë unike” e tragjizmit deradian, fiton kumtin e një lloj personazhi, i cili në një bashkëlidhje universale të veprave të tij, ndoshta mund të konsiderohet, nga një këndvështrim shumë abstragues, si personazhi më kryesor i De Radës.
Është ai, pikërisht tragjizmi i tij, që i jep kuptim dhe bashkon në një, si Milosaon, ashtu dhe Bozdarin, si Serafinën, ashtu dhe Sofonisbën, si Skënderbeun, ashtu dhe vetë De Radën dhe të gjithë këta me njëri-tjetrin.
Artistikisht, ai është filli i Arianës, që lidh në një unitet veprimi dhe shpjegon justifikueshëm, të gjithë atë të cilën, studiues të ndryshëm e kanë konsideruar si të metën më të madhe të këtij autori të shquar, fragmentarizmin e krijimeve.
Megjithëse në konsideratat e tij për artin, De Rada, konkretisht në veprën e tij “Parimet e Estetikës”, poezinë e vendos për mbi artet e tjera, sepse sipas tij ajo mund ta pasqyronte më mirë dhe më bukur botën në sajë të pranisë së harmonisë, nuk i shpëton dot tundimit të talentit, për të na dhuruar një krijim artistik në prozë, për më tepër të një zhanri si tragjedia e cila, për nga forma dhe përmbajtja klasike që ofron autori, impononte më shumë vargun sesa prozën.
Aq më tepër, e gjithë fillesa e tragjedisë, apo dhe e dramës së letërsisë shqiptare, e cila në kronologji mund ta vendosë “Sofonisbën” e De Radës në variantin e saj të parë të vitit 1846 “Numidët”, si të parën vepër të gjinisë dramatike të letërsisë shqiptare jo në gjuhën shqipe, shënohet e krijuar në vargje. Kemi në konsideratë këtu tragjeditë “Geroboamo” e “Neomenia” të Santorit dhe “Ines De Kastro” të Ëngjëll Baziles, të shkruar në italisht dhe dramën e “Emira”, të po Francesk Anton Santorit të shkruar në gjuhën shqipe.
Pasioni i De Radës për tragjiken e tragjizmin, duket se lidhet, jo thjesht me një lloj instinkti tërheqës ndaj asaj që shoqëroi dhe rrugëtimin e fatit jetësor personal dhe politik të tij, si dhe me tendencën për të respektuar normat e parimet e drejtimit letrar së cilit i përkiste.
Më shumë se kaq, ai fiton përmasën e një zgjedhjeje proceduese, një përftim ky estetiko-letrar, përtej të qenit një deus ex machina apo truk momental artistik.
Dimensionet, nëpër të cilat lëviz dhe shfaqet tragjizmi te veprat e De Radës, i shërbejnë autorit njëkohësisht, për t’i mëshuar fort artistikisht, qëllimit ndriçues të veprës së tij, për të dhënë mesazhe të qarta patriotizmi të pakufij dhe dashurie të pathënë për atdheun dhe për të pasqyruar në tërë thellësinë dhe gjerësinë e tij konfliktin romantik midis ndjenjës dhe detyrës, midis lumturisë personale dhe rënkimit të atdheut.
Pa tragjizmin e thellë, lirizmi i figurës së Milosaos, nuk mund të ishte aq prekës dhe njerëzor dhe dashuria e tij për vendin dhe kombin do ishin në intonacion minor, pa ekzistencën e përmasës së thellë të fajit dhe të fatit tragjik.
Serafina do të dështonte në madhështinë e saj, n.q.s nuk do të  merrte me vete gjurmët e tragjizmit të sakrifikimit të pasionit dashuror dhe sprovave të humbjes së të dashurve.
Ndërsa Skënderbeu i tij, pa tragjizmin historik që mbarti, nuk mund të zbulohej në tërë apoteozën e plotësisë dhe adhurimit të merituar.
Dhe sigurisht, ky tragjizëm si patos tërësor, si element strukturor me rëndësi primare, si procedim vepërformues dhe si personazhi virtual më i përkëdhelur i tij, do të shfaqet i plotë dhe me tërë universin e dimensionit të tij në tragjedinë “Sofonisba”. E kritikuar dhe e lavdëruar ndër kohëra të largëta, nga emra të njohur të kulturës botërore, e lënë shpesh për dekada në harresë dhe e neglizhuar me dhjetëra vite me qëllim dhe pa qëllim, kjo lloj tragjedie ka mbartur në vetvete një formë ekzistence për koincidencë tragjike, që sot i transpozohet asaj si një vlerë e shtuar.
Referuar ndryshimeve të varianteve paraprijëse, “Numidët”, të botuar më 1896 dhe “Masilët”, të mbetur në dorëshkrim, dëshmohet se shtysa kryesore e De Radës për t’iu rikthyer tragjedisë ka qenë, krahas të tjerave, për mendimin tim, e lidhur ngushtë me cilësimin dhe rritjen e tronditjes tragjike të veprës, për të vënë këtu, herë pas here, kate të rinj në lartësimin e tragjizmit dhe tragjikes, në sinkron të plotë me zbulimin e cilësive dhe figurës komplekse të heroinës kryesore.
Aq i dhënë është De Rada pas këtyre elementeve, sa neglizhon të respektojë dhe unitetet e kërkuara skenike të vendit, kohës dhe veprimit dramatik, të destinuara teorikisht si të domosdoshme për një vepër të tillë.
Por, këtu pretendoj se nuk mund të flitet për lajthitje artistike apo mosdije poetike e as për revoltë ndaj metodës krijuese, pasi De Rada e ka dëshmuar saktë, me punimet e tij teorike që i njihte mirë parimet klasike të ndërtimit të veprës dramatike.
Ajo që e ka shtyrë më shumë De Radën, në këtë mosrespekt, duket se është tendenca e tij për të bërë qendër lidhëse dhe organizuese të veprës, pikërisht pasionin më të madh artistik të jetës së tij, që i dha hope të papritura dhe hidhërime të njëpasnjëshme- tragjizmin, të cilin kërkon ta çojë gradualisht, brenda kësaj vepre, në pikën më maksimale, duke u shfaqur kështu si tragjiku më i pandreqshëm i letrave shqipe.
Te De Rada në realitet, ka një tërheqje fatale për ta joshur dhe për ta shijuar përjetimin e tragjikes, qoftë si jetësim personal dhe qoftë si përjetim artistik.
Ngjarjet në vepër, lëvizin brenda një kohësie relativisht të gjatë, në kundërshtim me atë çka kërkon ky zhanër. Por ajo që e zeron psikologjikisht, tek lexuesi ose spektatori potencial, këtë efekt kohëzgjatës, është pikërisht intensiteti tragjik, brenda së cilit tendosja e tragjizmit duket lineare dhe që thjesht pret të arrijë fundin realizues, pa pasur nevojë për numërim kohor sepse gjithçka e mat jo koha, por dimensioni i thellësisë së tragjizmit: Tragjizmi është po ashtu dhe ai që fshin pothuaj dhe kufijtë hapësinorë, brenda të cilëve lëvizin ngjarjet në Tragjedi. Megjithëse, ato duket qartë se kalojnë nga Kartagjena në Spanjë e më pas në Afrikë, në fushimin në Asdrumet e në pallatin Kirte, krijohet iluzioni si të dhëna në respekt të unitetit të vendit. Arsyeja është se përmasat e tragjizmit, të shprehura nëpërmjet situatave e kolizioneve tragjike, bëjnë domosdoshmërisht lidhjen organike të duhur, duke shfajësuar kështu mungesën e këtij elementi thelbësor. Është po ky dimension i tragjizmit, ai që arrin të kapërcejë dhe fragmentarizmin e veprimit brenda akteve, duke sfumuar diferencat e aksioneve dhe duke fshirë në këtë mënyrë pavarësinë e episodeve të përshkruara.
Ruajtja dhe rritja e intensitetit të tragjizmit, përgjatë sekuencave të veprimit dramatik, bën lidhjen organike të veprës në mënyrë të kënaqshme dhe domethënëse. Vetë Sofonisba e De Radës, sipas përshkrimit që jep dhe Tit Livi (libri XXX) “me një harmoni perfekte të të gjitha pjesëve të trupit, bashkonte në një lulen e rinisë, një njohje të thellë të letrave e të muzikës, një shpirt plot mirësjellje dhe mirësi. Me një fjalë, ajo kishte kaq shumë sharm dhe butësi sa i mjaftonte të shqiptonte një fjalë të vetme për të zbutur dhe zemrat më të ashpra” është mbartëse dhe shprehëse e një tragjizmi të katërfishtë: Faji i parë i saj tragjik, është se për shkak të dashurisë për Masinisën, i cili konsiderohet tradhtar i Kartagjenës dhe vrasës i vëllezërve të saj, ajo humbet stimën prindërore, sidomos të nënës së saj.
Faji i dytë është sakrifikimi i dashurisë së saj për Masinisën, për shkak të interesave të atdheut, Kartagjenës, duke pranuar kësisoj martesën me Sifacin, rrëmbyesin e fronit të Masiljes. Në këtë pikë ajo realizon aktin e vetëvrasjes shpirtërore pas së cilës Sofonisba në raportin emocion-mendim i qaset më shumë këtij të fundit. Faji i tretë tragjik është se për shkak të besnikërisë bashkëshortore, ajo nuk pranon ofertën e dashurisë së dikurshme. Në këtë rast ajo fshikullon vetveten për vrasjen që i bëri dashurisë. Faji i katërt tragjik është se për shkak të robërimit të atdheut nga romakët, refuzon rehatinë e qetësinë personale, duke u vetësakrifikuar dhe fizikisht, gjë të cilën nuk e bëri kur humbi fillimisht dashurinë për Masinisën!
Siç shihet, tendosja e tragjizmit duket lineare, pasi heroina që në fillim është pa rrugëdalje, por thellësia e tragjizmit të saj sa vjen e rritet cilësisht, për t’u shpalosur si finalitet, në aktin e vetëvrasjes.
Përgjatë kësaj kohe, ajo mbetet e njëjta -krenarja, e bukura, dinjitozja Sofonisbë, viktimë pa faj e intrigës politike dhe viktimë e vetëzgjedhur në emër të dashurisë për vendin, ndërsa zbulesa e shkallës së cilësive të saj na ofrohet në përpjesëtim të drejtë me rritjen e dimensionit të tragjizmit, për ta çuar atë në aktin e sakrificës sublime. Madhështia e saj, është po aq e lartë sa dhe tragjizmi i saj.
Në fakt kështu ishte dhe vetë fati dhe rrugëtimi i De Radës -një rrugëtim ky, tragjik, që e bëri atë figurën më madhështore të Rilindjes, por dhe më tragjiken njëkohësisht, sepse më mirë se të tjerët, ai e kuptoi që ne jemi një komb me fat tragjik të pandryshueshëm.
(*Pedagog i letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura