Dashuria e pamundur në “Zemrën” e Nasho Jorgaqit

Sep 12, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Zemër” është novela e radhës që vjen nga shkrimtari e studiuesi Nasho Jorgaqi. Ky libër, edhe pse pakfaqësh, shpalon mes tij një botë të tërë shpirtërore, një galeri të tërë elementesh jetësorë, duke ngritur natyrshëm grackën e përjetimit deri në rrafshin shumë intim e individual të secilit prej nesh. Të sjellësh për lexuesin një ngjarje mbi dramën e individit e atë të shoqërisë në përgjithësi është një mision i vështirë, për shkak edhe të rrethanave në të cilat zhvillohet ajo, por Jorgaqi, me një penë të mprehur e stërvitur mirë, di t’ia gjejë anën kësaj rrëmuje sfilitëse.

FB_IMG_1473499551235

Gjergj Doda i Nasho Jorgaqit na parashtron në mënyrë të vetëdijshme një trajektore të ritmikës së dashurisë së vërtetë, asaj që përflak ato të paktat zemra që dinë t’i bëjnë ballë tundimit në jetën fizike që vazhdon. Për të hyrë më konkretisht në lëndën e kësaj novele, ato që shihen janë dy rrugë paralele që sillen si dy linja strukturore, njëra linjë, përshkrimi i një bote konservatore e të mbyllur, që ndrydhte e vriste pa mëshirë të bukurën, ngjyrat e dashurinë, dhe linja tjetër, ajo e sjelljes së një bote të trazuar të personazhit kryesor dhe luftës për të mbetur puritan deri në fund. Të dyja boshtet, kur bashkojnë rrugët, krijojnë një bukuri llahtar që të mban lidhur deri në pikën e fundit të kërshërisë për mbylljen, si një dilemë e përbotshme.

Gjergj Doda, nuk dashuron në terr, ai është i sigurt në atë që sheh e përjeton dhe shkon po aq i sigurt drejt altarit të dashurisë. Një intelektual, që të bukurën e shijon, e prek, e ngre në piedestal, arrin ta zbulojë deri në thellësi të universit dhe, pa dyshim, e lartëson atë. Autori e ka ditur mirë se të shpërfaqësh botën e pasur të një intelektuali, kërkon përqendrim dhe, përveç shijes, edhe një dhunti depërtuese deri në palcë të personalitetit të tij… dhe këtë e bën mrekullisht.

I shfaq nga pak, si petale tmerrësisht të ngjeshura, dimensionet e gjera të botëkuptimit të Gjergj Dodës, duke na e servirur atë një personazh simpatik e të dashur për lexuesin. Një malësor, që në kontrast me ashpërsinë e maleve të Veriut, ka një shpirt të butë, që dashuron deri në vetëflijim. Mosrealizimi i dashurisë së tij, pengesat e familjes së të dashurës së zemrës, e bëjnë Gjergjin përfaqësuesin më eminent të një brezi të tërë të djegur nga flakët e dashurisë e të rrënuar nga sistemet prapanike, të ngritura, të kohës. Kjo përplasje mes botëve nuk sillet thjesht e vetëm si një përplasje për dashurinë e humbur të dy të rinjve, misioni i autorit në këtë novelë kalon përtej kësaj.

Ai hedh të pacenuar atë botë të mykur, e cila fatkeqësisht vazhdon edhe sot të jetë prezent, duke ngritur për diskutim çështje me një përfshirje mbarëshoqërore, siç janë të ashtuquajturat tradita, në kurriz të të cilave abuzohet, duke bërë kurbanë çdo kohë, edhe sot e kësaj dite… Kjo është drama më e thellë në shoqërinë shqiptare. Edhe përshkrimi i mjedisit përreth, që bën autori, jepet, deri diku, i qëndisur me të dhëna që e përcaktojnë mirë gjendjen sociale e shoqërore të kohës. …Dhe ja, edhe pas shumë vitesh, ky i moshuar, dikur i ri, i zjarrtë, me mijëra dëshira që i rridhnin ndër deje, vijon të jetë një vatër e ndezur me kujtimin e përhershëm, deri në përjetësi, të ndjenjës për Gidën. Po çfarë e bëri profesorin të dashurohet me të?

Klasi, finesa, të dukurit e një zonjëze mondane? – Jo! Edhe këtu, autori jep tipare të Gidës, duke personifikuar në të vajzën e mirë shkodrane, atë të ardhur në tokë e brishtë, e lulëzuar, me freskinë e bukurinë e vajzës së thjeshtë, me sytë që i shkëlqenin e ndiznin mijëra ylbere. Autori jep atë vajzën e re e të dëlirë, me zërin mrekullues, që mbushte zemrën e profesorit të saj, i cili më pas, do të kthehej në mjeranin e dashurisë së pakurorëzuar, dështuar si kohë kolerash… Shkrimtari Nasho Jorgaqi e paraqet dashurinë e Gjergjit, të pashuar çdo kohë, jo thjesht si një dashuri, e cila, pa diskutim, mund të ishte si të gjitha të tjerat që kanë ose s’kanë fat të kenë një happy end, por si një rendje, deri në pikën e fundit, për t’i rikthyer botës dëshirën për të dashuruar, për t’i treguar udhët e dashurisë së përkorë, për t’i thënë botës që fizikja sfidohet nga kjo e përbotshmja… sepse kjo mbetet ndër qiej…

Madje, autori dhe personazhi, në këtë rast, duket se simbiozojnë brenda dimensioneve shpirtërore që mbarë bota kërkon te një burrë. Në mbyllje, trajtimi i besës së dhënë si nocion, përkufizim e përjetim, mbetet një nga dëshmitë më autentike në jetën e një malësori që nuk mund të anashkalohej nga shkrimtari, i cili bart me vete një përvojë të gjatë e të suksesshme shkrimore e studimore.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura