Dallku dhe Teli: I bëjmë “mur” Francës

Aug 31, 2011 | 11:59
SHPËRNDAJE
Armend Dallku, gjatë një konference për shtyp

Franca do ta ketë të vështirë të kalojë mbrojtjen kuqezi. Të paktën në këtë kontekst janë shprehur që të dy mbrojtësit e skuadrës sonë përfaqësuese, Armend Dallku dhe Admir Teli. Në konferencën e djeshme për shtyp, që të dy e kanë vënë theksin më së shumti te loja e “gjelave” në përgjithësi, duke mos u ndalur te lojtarë të veçantë, të cilët nuk përbëjnë thelbin e 90- minutëshit të këtij takimi. Si Dallku, në rolin e një titullari gati të padiskutueshëm në Kombëtare, por edhe Teli, kanë pohuar se Benzema e Riberi do gjejnë një mur kuqezi para portës së Shqipërisë. “Riberi është një nga lojtarët më të mirë të Francës, por për fatin tonë të keq nuk është i vetmi. Franca ka edhe lojtarë të tjerë të mirë, ndaj do ishte fatale për ne nëse do mendonim që të ndalnim vetëm një lojtar. Unë gjykoj që këtë ndeshje duhet ta marrim në kompleks dhe të jemi të gjithë në bllok për të zmbrapsur këtë Francë. Jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë mund t’i marrim rezultat kësaj skuadre. Dihet që kur humbet një ndeshje, faji i mbetet vetëm mbrojtjes ose portierit; ndërsa kur fitohet, më së shumti lavdërohen sulmuesit, por unë realisht do të dëshiroja që pas këtij 90-minutëshi të mos thoshim që humbëm denjësisht. Humbja është humbje për mua, ndaj pak rëndësi ka nëse e pëson golin në fillim të ndeshjes apo në fund”, tha Dallku. Në një linjë me mbrojtësin kosovar ka qenë edhe shkodrani Admir Teli. “Gjykoj që çdo lojtar është koshient dhe jep më të mirën e tij, sidomos kur përballë ka një skuadër si Franca. Unë uroj që takimi të jetë sa më dinjitoz dhe të mos mbetet vetëm në këtë rang, pra vetëm dinjitoz, por të mund të marrim edhe një rezultat. Personalisht, nuk fokusohem aspak tek emrat. Benzema, Riberi, cilido qoftë, nuk është se na tremb. Lojtarë të tjerë të mëdhenj kanë ardhur në Shqipëri dhe nuk kanë mundur që të luajnë ose të japin më të mirën e tyre, kjo edhe për faktin se ka ndryshime loja kur luan në ekip kombëtar dhe kur luan në klub. Në këtë kontekst, unë do t’ia kisha më shumë frikën Francës në tërësi, sesa emrave të veçantë. Mendoj se nuk duhet të bëjmë llogari për ndeshjen ndaj Luksemburgut, kur nuk kemi luajtur akoma takimin e radhës. Them se duhet të bëjmë më të mirën me Francën, pastaj të shikojmë për takimin në transfertë”, tha Teli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura