“Ç’lidhje ke me vëllanë e burrit tim?”/ Flet motra dhe gruaja e dy prej të akuzuarve për atentatin ndaj biznesmenit: Policia të gjejë…

Oct 24, 2020 | 15:11
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për katër personat e arrestuar për atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Andon Dhima.

Në burg është lënë shtetasi Grid Lena, i dënuar më herët me 6 vite burgim për vjedhje me armë në Gjermani, Altin Hoxha, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë edhe dy bashkëpunëtorët Mariglen Matohiti, 30 vjeç, dhe Enea Hoxha, 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Ngjarja, për të cilën katër të rinjtë akuzohen, ka ndodhur më datë 15 tetor, në orën 22:08 të darkës. Sipas Prokurorisë, Grid Lena dhe Altin Hoxha, të maskuar me maska silikoni dhe të pajisur me armë, ndoqën deri në hyrje të pallatit biznesmenin Dhima për ta vrarë.

Por misioni i tyre nuk përfundoi dhe ata janë larguar me shpejtësi nga pallati ku banon Andon Dhima. Ka qenë vetë ky i fundit që ka denoncuar ngjarjen në media dhe Policinë e Tiranës, duke sjellë më pas edhe zbardhjen e një krimi të mbetur në tentativë.

Ndërkohë, ditën e djeshme, në ambientet e Gjykatës ka qenë e pranishme edhe motra e njërit prej të akuzuarve.

Gerta Matohiti, motra e Mariglen Matohitit dhe gruaja e Grid Lenës, i pari i arrestuar si bashkëpunëtor, kurse i dyti si autor në atentatin e dështuar ndaj Andon Dhimës, pretendon se asnjë nga këta persona s’ka të bëjë me këtë ngjarje.

Matohiti u shpreh për media se vëllai i saj, natën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë në restorantin e saj duke punuar, duke thënë se për këtë fakt ka dëshmitarë dhe prova të pakundërshtueshme.

DEKLARATA

“Kam nxjerrë në faqen time të ‘Facebook’-ut një video ku shihet se në atë moment burri im dhe familjarë të tjerë kemi qenë në një ditëlindje, ndërsa vëllai im ka qenë aty kamerier. Ai ka qenë në lokal duke punuar. Videot i kam parë kur kam qenë në komisariat dhe në atë orë ata kanë qenë në lokal, ku ka pasur edhe 20 dëshmitarë të tjerë. Jam shumë e prekur se i kanë nxjerrë si vrasës të paguar.

Grid Leno ka qenë 17 vjeç kur është dënuar në Gjermani dhe ka paguar për këtë, ata nuk kanë asnjë lidhje me Andon Dhimën. Policët kanë ardhur në restorant, i kanë marrë fëmijën nga dora dhe e kanë qëlluar me çelësa. Kam lënë fëmijën 2 vjeç, ndërsa isha në rajon, se më futën në statusin e së dyshuarës, më thoshin se do më arrestonin si bashkëpunëtore dhe fëmijën do t’ia kalonin jetimores, çfarë janë këto, ju duken normale? Ne merremi me restorantin që kemi, ndërsa vëllai im punon kamerier aty.

Asgjë nga Policia nuk është e vërtetë. Videon që kam, nuk e kanë marrë ende si material hetimor. Unë kam bërë të pamundurën për të folur për mediat dhe t’i paraqisja këto video dhe nuk kanë pranuar. Vëllai dhe burri im nuk e njohin fare, nuk kanë lidhje fare. I bëj thirrje zotit Dhima, nëse pranon, unë e takoj dhe dua ta pyes, se ç’lidhje ka me këta të dy? Ai nuk ka faj se ndihet i kërcënuar, por atentatorët e pretenduar mund t’i ketë akoma jashtë”, deklaroi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura