“Miqtë e padukshëm (2)”/ Një tregim i këndshëm për vaksinat virale! Betejat e ashpra brenda në trup midis viruseve të dobësuara të vaksinës, trupave mbrojtëse dhe antikorpeve të rinj të sapolindur

Jun 21, 2020 | 14:25
SHPËRNDAJE

Flamur Topi

Foto FT

Në garë me kohën, ethshëm dhe me intensitet të lartë, vendet e zhvilluara po punojnë për zbulimin e vaksinës kundër viruseve të Sars Cov 2.

C’janë në tërësi vaksinat kundër viruseve? Si përgatiten? Si veprojnë?

Tregimi është shkëputur nga vëllimi i suksesshëm me të njëjtin titull i mjekut dhe shkrimtarit Flamur Topi. “Botimet Enciklopedike”

MIQTË E PADUKSHËM (2)

Brenda shiringës së vaksinës “Vaxigrip”, miliarda viruse ndjeheshin gjithnjë e më keq! U duhej të shtrëngoheshin fort në një hapësirë të ngushtë, të pa ajër, që të merrte frymën. Që prej një muaji, qëndronin pezull, si të varura, në një përzierje uji, sodiumi e potasiumi, që po ua nxinte jetën dhe u vinte kapak vuajtjeve të tyre të mëdha, që kishin nisur kohë më parë atje, në Lionin e largët.

Aty i kishin torturuar pa mëshirë! I kishin lënë pa ngrënë, pa pirë, i kishin lodhur e stërmunduar fizikisht, vetëm e vetëm që t’i dobësonin e tjetërsonin me çdo mënyrë. Madje, i tresnin aq shumë sa u numëroheshin brinjët e s’kishin pikën më të vogël të fuqisë, as për të qëndruar më këmbë e jo më për të sulmuar frikshëm dikë…(por edhe që t’ua zbutnin shpirtin e egër, hakmarrës e katil, t’ua ulnin hundët dhe krenarinë prej pushtuesish të përbotshëm)…

Si të mos mjaftonin tërë këto, gripalët kishin edhe një peng të madh: shkencëtarët ua kishin hedhur. Ngaqë u duhej ta rrisnin numrin e tyre në miliarda, në fillim i kishin marrë me të mirë, i kishin transportuar tërë kujdes e me merak të madh në Mbretërinë e Bardhë te Vezëve, që të hanin e të pinin sa të zhdepeshin dhe të shumëzoheshin pa fund. Pastaj, kur ia arritën qëllimit, s’kishin lënë torturë pa u bërë, aq sa viruset mallkonin me të madhe ditën dhe orën e lindjes së tyre.

Një pjesë e viruseve gripalë të vaksinës kishin rënë në dëshpërim të thellë! Gjykonin se, sido të vinin punët, mirë a keq, fati i tyre tashmë qe i paracaktuar! Brenda shiringave “Vaxigrip”, s’do të mund të jetonin veçse një vit, plot 365 ditë e netë! Pas kësaj, do të vdisnin dhe shiringat, brenda të cilave ndodheshin, do t’i hidhnin kushedi se në ç’kosh plehrash. Por kish edhe një rrugë të dytë, një mundësi tjetër më të volitshme: t’i injektonin, brenda trupit të një fëmije e mbase atje, mes të mirash me bollëk, do t’i zgjasnin ditët e jetës së tyre aq të mundimshme gjer atëherë…

 

***

Mund të përfytyrohet lehtë jeta e 12 miliard viruseve brenda një hapësire prej 0.5 mililitra të shiringës! Një llahtarë e vërtetë! Ca më keq akoma, banorët mikroskopike as që e kuptonin njëri-tjetrin, as që mirreshin vesh, thjesht sepse nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Merreni tani me mend se ç’rrëmujë, ç’përshtjellim e anarki e vërtetë mbretëronte në atë ngrehinë të qelqtë virusesh ndërkombëtare: B/Hong Kong/ 330/ 2001, A/ Moscoë/Io/ 99(H3N2) /A/NeëCaledonia/20/99(HINI)!…[1]

Një zallamahi e vërtetë, një përzierje e pabesueshme gjuhërash aq të ndryshme e të largëta nga njëra-tjetra, që nga can-ceni kinez, në ovët e ojët rusë, e gjer tek shëllët e shulët e kaledonasve të largët!…

Dhe ish një fjalë e vetme, që shquante ndër të tjerat, që përsëritej ngultazi parreshtur, ditë e natë, tërë dëshpërim e shpresë, nga të gjithë dhe që s’kish nevojë të përkthehej: Ushqim! Ushqim! Ushqim!

Si çdo qënie e gjallë e kësaj bote, edhe viruset kërkonin përvuajtshëm, plot ngulm e dëshirë, të ushqeheshin, të hanin e të pinin diçka, përndryshe,…përndryshe do të mbaronin, do të vdisnin!…

Por vetëkuptohet, askush s’i dëgjonte, askush s’ua vinte veshin! Fati i tyre qe paravendosur muaj më parë atje, në Institutin Pastër, në Lion të Francës! Sa kohë do të qëndronin të burgosura brenda për brenda kështjellës së qelqtë të Shiringës-Vaksinë, qenë të dënuara të mos pinin dhe të mos hanin asgjë…

Ndaj, luteshin tërë përgjërim që të futeshin sa më shpejt brenda Trupit të një fëmije, ku të shpërndaheshin mizëri dhe të hanin e pinin sa të pëlcisnin…

 

***

 

Gjithçka ndodhi papritur dhe frikshëm, si në një tërmet të beftë! Një çast, gjithçka përreth u zbardhëllua, u bë plot dritë, aq sa ata mbyllën fortë sytë. Gjigandi “Pistoni i shiringës”, nisi të zbresë vrullshëm drejt tyre, duke ua bërë të mundimshëm shtrëngimin, që sa vinte e po bëhej edhe më i madh, edhe më i padurueshëm. Të ngjeshura si sardele, mënd duke u asfiksuar, me presion të skajshëm, u shtynë përmes tunelit të ngushtë të ages së shiringës dhe tërë forcë u përplasën në një truall kuqërrem, të butë e të lagësht. S’qe e vështirë ta kuptonin. Kishin hyrë brenda trupit të një fëmije!…

 

***

 

Qenë aq shumë të uritur e të etur sa, nuk menduan gjatë, nuk pritën e nuk duruan sadopak, por nisën të shpërndaheshin si të babëzitur në të katër anët e Trupit… Qenë vënë në garë të heshtur e të pafjalë se kush më shumë se tjetri do të hante e do të pinte! Viruset hongkonër më kot përpiqeshin me ato shkopinjtë e tyre të vegjël (që ata i përdornin në vend të lugëve) t’ua kalonin viruseve moskovitë e ca më shumë atyre kaledonas. Kur u bindën se me ato shkopinj primitivë prej xunkthi s’ua hidhnin dot rivalëve, i flakën tutje dhe nisën të hanë me duar e grushte, me sa mundnin…

Mbrojtësit leukocitë i ndiqnin nga larg, të vemendshëm e plot përqëndrim, duke u kujdesur të mos binin në sy. Urdhëri që u kishin dhënë eprorët qe i qartë dhe i prerë: të vëzhgonin parreshtur lëvizjet e të huajve, të zbulonin qëllimet e tyre, t’i njihnin nga afër gjer në imtësi dhe të prisnin urdhëra e porosi të tjera…

 

***

 

Më në fund u muar vesh! Qenë thjesht viruse të dobësuara të Vaksinës së Gripit, “Vaksigrip AVENTIS PASTEUR 2003-2004”, që mjekët i kishin futur enkas në trup. Mbrojtësit pa përvojë luftarake do të ndesheshin me ta dhe do të fitonin doemos (aq shumë të drobitur e ligështuar ishin). Në luftë e sipër do të lindnin repartet e reja specialistë të mbrojtjes ndaj viruseve Gripit të vërtetë, Gripit të rrezikshëm, të fuqishëm, të egër e dinak…

Mbrojtësit i lejuan viruset të endeshin lirshëm nëpër Trup, të hanin e të pinin, të zhdëpeshin, të futeshin madje gjer në brendësi të vetë qelizave, (duke dëshmuar gjithsesi rrezikshmërinë e tyre të skajshme) dhe pastaj, pasi i njohën mirë, u lëshuan mbi ta.

Nuk qe e vështirë dhe as e rrezikshme të ndesheshe me ata skeletër të gjallë që mezi mbaheshin në këmbë! Por mbrojtësve të rinj të Trupit aq u duhej, për aq u nevojitej ajo ndeshje! Të mësonin mënyrën e luftimit të armiqve, pajisjet, armët, taktikën, gjithçka është e nevojshme për një luftë të vërtetë, në të ardhshmen…

Beteja me viruset e dobësuar të Vaksinës zgjati dy ditë e dy netë. Viruset hongkongas, rusë e kaledonas, u asgjesuan tërësisht dhe mbarë Trupi festoi e gëzoi lindjen e armatave të reja të mbrojtjes ndaj kryegjeneralit Grip…

***

Përqark tryezës së gjatë të mbledhjeve të shtabit që kryegjenerali Grip i kish dhënë enkas formën e arkivolit, për t`u kujtuar të ftuarve simbolin dhe qëllimin e jetës së vet, por edhe për të ushtruar shantazh mbi ta), kishin zënë vend e qenë kapardisur gjeneralët e mëdhenj Moska, Hong Kong e Kaledonia!

– Si zogjtë, bijtë e mi, do të shtegtoni aty nga fundi i Nëntorit e fillimi i Dhjetorit, për në Europë! Do të sëmurni atje sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, sa më shumë fëmijë e pleq, sidomos! Nga epidemia e sivjetshme pres të paktën 50 000 vdekje në tërë Europën! Por meqë Epidemi nuk mund të ketë kurrë ndonjëherë pa atë, që unë e quaj thjesht “I sëmuri i parë”, i sëmuri numër një, menduam të sulmojmë një fëmijë të pavaksinuar. Duke sëmurur fëmijën, sëmurim familjen e tij, familja sëmur familje të tjera të lagjes, lagjia sëmur lagjet, lagjet qytetin, qyteti qytetet, qytetet shtetin, shteti shtetet dhe shtetet mbarë kontinentin! E kështu, rrufeshëm, bëhemi epidemikë dhe ca më shumë pandemikë!

Thuajse instinktivisht, të ftuarit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën plot zjarr e emocion komandantin e tyre famëmadh.

– Por…para se të lëshoj urdhërin për marshimin e vdekjes, desha të sigurohesha edhe njëherë, në sy e vesh të të gjithëve! Zoti Moska, si njohës i vjetër dhe i regjur i këtij vendi, a jeni krejt i sigurt se fëmija i përzgjedhur, me emrin e shëmtuar Bledi, nuk e ka bërë vaksinën “Vaksigrip 2004”?..

– Mëse i sigurtë Imzot! Zbuluesit e mi, dhe ju e dini përvojën e shkëlqyer që trashëgojnë, kanë të dhëna të sakta! Djali shqiptar i përzgjedhur u trembet shumë gjilpërave dhe vaksinave! Shumë prej vaksinave të detyrueshme për çdo kalama, nuk i ka bërë! Është fëmija më i pambrojtur i vendit, pra edhe më i përshtatshmi!…

– Bukur! Atëherë ejani më afër! Do t`ju njoh imtësisht me planin taktik të mësymjes sonë, mjetet me të cilat do të udhëtoni për në vendin e vogël e të largët, rrugët e hyrjes për në Trup, karakteristikat më thelbësore të mbrojtësve dhe informacione të tjera të rëndësishme…

Kryegjenerali shpalosi qetësisht mbi tryezë një cilindër të gjatë pej kartoni të zhubravitur dhe dalëngadalë në sytë e gjeneralëve u zbulua e plotë skema topografike e një Trupi njerëzor.

– Tani, vini vesh mirë e dëgjoni, ngulini sytë e shikoni, kijeni mendjen e mendoni! Ja Trupi i mallkuar njerëzor, Trupi i fëmijës me emrin Bledi!…

I kujdesshëm për të mos u perceptuar nga forcat e kundërzbulimit armik trupësor, kryegjenerali Grip e uli zërin dhe gati-gati duke përshpëritur, nisi t`u përshkruajë udhën që do të bënin, ndërsa shkopi tregues lëvizte dridhshëm, plot tension, mbi skemat shumëngjyrëshe të Trupit njerëzor…

 

***

 

– Mallkuar qofsh, o gjeneral Moska, mallkuar! – thirri plot pezm gjenerali Hong Kong, teksa kqyrte me dylbi armatat e trupave mbrojtës, që në formacione të rregullta luftarake, po i pritnin tutje, në horizontin e largët të Trupit. – Ndryshe nga ç`the në shtab, ndryshe nga ç`sigurove Mbretin tënd, fëmija e paska bërë Vaksinën! Të bësh mijra e mijra kilometra përmes mundimeve e rreziqeve të pasosura dhe të ndeshesh papritur në një realitet kaq tragjik, është e pafalëshme! Sepse s`është kurrë, kurrë njëlloj, të hysh brenda një Trupi të vaksinuar dhe një të pavaksinuari, pra të papërgatitur për mbrojtje!…

E megjithatë, gjenerali Hong Kong s`mund të bënte mbrapsht. Qenë futur tashmë brenda Trupit të fëmijës dhe s`kish rrugë tjetër veç fundit të dhimbshëm të ushtrisë së vet ose sëmurjes së fëmijës…

– Përgatituni për betejë tejet të ashpër e të vështirë! – iu drejtua Hong Kongu komandantëve  të vet. – Gjenerali Moska ka dhënë një informacion të vjetër, o ndoshta të vonuar, ku ta dish!… E megjithatë, mbahuni fort, fort bijtë e mi! Ne do të fitojmë, doemos do të fitojmë!…

Pas pak, mizëria e pasosur e miliardave virusë, me në krye gjeneralin emërmadh Hong Kong, nisi marshimin për në fushat e gjëra të të dy Mushkërive, atje ku do të zhvillohej beteja e egër finale për jetë a vdekje…

 

***

 

Të ngrysura, të heshtura, të tensionuara, ushtritë e viruseve ndërkombëtare dhe të mbrojtësve të Bledit qëndronin ballë për ballë njëra-tjetrës. Vështroheshin me inat e plot urrejtje sy më sy! Secila palë e dinte mire se përplasja s`kish për të qenë aspak e lehtë, përkundrazi, shumë e ashpër dhe e egër. Pikërisht sepse e njihnin mjaft mirë njëri tjetrin në planin ushtarak.

Nga emblema që mbanin në gjokse dalloheshin mjaft qartë formacionet luftarake viralë “B-Hong Kong” dhe “A-Neë Caledonia”, sikurse nga emblemat e kundërta dalloheshin qartë repartet e mbrojtësve antigripalë “Anti – HONG Kong” dhe “Anti Caledonia”. Shumë miliarda nga ana virale dhe disa qindra milionë në anën tjetër.

Nuk qe e vështirë që, në mesin e forcave kundërshtare, të dalloje edhe prijësit e tyre: gjeneralët e famshëm Hong Kong e Kaledonia, veshur e stolisur si për paradë festive dhe komandantët Leukos e Limfo, të thjeshtë, gati të padallueshëm nga ushtarët e vet.

Një çast, Leukosi e Limfoja u panë sy më sy. I buzëqeshën njëri-tjetrit.

– I qetë, apo jo?! – pyeti Leukosi, duke i rënë shpatullave të gjëra, miqësisht.

– Plotësisht!- u përgjigj me një fjalë të vetme Limfoja. – Është besimi, siguria që na ka dhënë Vaksina e Aventis Pasteur, “Vaxigrip”!…

– Për fat të mirë, më në fund fëmija u bind dhe u vaksinua në kohë![2] – tha komandanti Leukos. – Uroj që kundërzbulimi armik të mos e ketë mësuar këtë fakt.

– Ka pak mundësi, shumë pak mundësi që të mos e kenë kuptuar! Fakti që ne u ndodhëm në fushë-betejë, ballë për ballë e krejt të përgatitur për luftë, diç u ka thënë të mallkuarve virusër…

– Kujdes! – briti papritur Leukosi, duke mënjanuar me një lëvizje të shkathët komandantin Limfo, nga drejtimi i një shigjete të helmët, lëshuar drejt tij.

Shigjeta u ngul thellë në truall, diku tutje. Bishti i saj i flakëruar u tund disa herë, sa majtas e djathtas, nga forca e madhe e goditjes. I zbehtë, Limfoja mori frymë thellë, paksa i befasuar dhe i tronditur.

– Ata e dhanë të parët kushtrimin për luftë. Na hodhën dorashkën e sfidës! Ne ç`do të bëjmë?! – pyeti Leukosi, pa e hequr vështrimin e mprehtë nga të huajt.

– Ushtarë të Mbrojtjes Antigrip, Anti-Hong Kong dhe Anti-Kaledonia! Në sulm, në sulm drejt pushtuesve barbarë! Urra!…

Kjo qe përgjigja për pyetjen që iu bë dhe Limfoja priu vetë i pari në betejë. E ndoqën pas miliona të tjerë, që u vërsulën sypatrembur drejt të huajve…

 

***

 

Forcat kundërshtare hynë shpejt brenda njëra-tjetrës, u përzien frikshëm dhe për ca kohë qe e vështirë të përcaktoje fatin e luftimeve. Shpatat e mbrojtësve limfocitë qëllonin parreshtur majtas e djathtas, në pikat e dobëta të parzmoreve virale. Rradhët e ushtarëve sulmues, por edhe ata të mbrojtjes, po rralloheshin me të shpejtë, si t`i kosiste një dorë e padukshme dhe e pamëshirshme. Deri në mbrëmje vonë askush nga palët nuk qe në gjendje të shpallë fitoren e bujshme!

Por është krejt tjetër gjë të sulmosh në një terren të huaj armik dhe tjetër të mbrohesh tërë shpirt e vetmohim brenda Trupit tënd, të cilin e njeh pëllëmbë për pëllëmbë! Kështu dalëngadalë, por me siguri, aty nga mesnata, gjërat nisën të qartësoheshin…

 

***

 

Fusha e pamatë e luftimeve në Pulmone nxinte nga pirgjet e viruseve të vrarë, por edhe nga ato të limfocitëve. Trupat e ndërkombëtarëve viralë Hong Kong e Kaledonia qenë çorganizuar e çorientuar krejt. Shpesh shigjetat, heshtat e çomaget e tyre të helmëta, goditnin nëpër errësirë të vetët. Të shurdhoheshin veshët nga thirrjet e sokëllimat e egra të luftuesve viralë që nuk dorëzoheshin, por edhe nga rënkimet e të plagosurve rëndë dhe të atyre që jepnin shpirt…

Atëherë, kur askush s`e priste, fort i tronditur dhe i dëshpëruar, Hong Kongu nxitoi të heqë rrobat e shtrenjta e të rënda të gjeneralit, t`i hedhë tutje pa turp, të vishej si një ushtar i thjeshtë dhe t`ia mbathte me të katra, kuturu nëpër Trup, si i dalë nga mendtë.

Por, a kishte gjë që mund të ndalte fundin tragjik e të sigurt të ushtrisë virale?!…

Ja kështu, në mbrëmjen e ditës së dytë të luftimeve, ushtritë gjigande të viruseve Hong Kong dhe Kaledonia u shpartalluan e u asgjesuan tërësisht! Në betejën e egër e të përgjakshme nuk mundi të shpëtojë as edhe një ushtar i vetëm i kryegjeneralit Grip! Por edhe humbjet e mbrojtësve heroikë nuk qenë të pakta. Miliona dëshmorë dhane jetën e tyre për jetën e fëmijës…

 

***

 

Në Trup u bë festë e madhe, gëzuan i madh e i vogël! Gjëmuan topat e fitores, u hodhën fishekzjarre shumëngjyrëshe, u ngritën dolli pafund, u përqafuan fort luftëtare e banorë te Trupit, brohoritën, kënduan, hodhën valle…

 

***

 

Bledi nuk ndjeu asgjë, nuk kuptoi kurrgjë nga të gjitha këto! Edhe gjatë ditëve të betejave të mëdha që zhvilloheshin brenda Trupit të vet, djali shkoi si zakonisht në shkollë, mësoi, vrapoi, hëngri, piu, luajti në piano, pa televizor, fjeti, ëndërroi…pa e ditur, pa i vajtur ndonjëherë ndërmend, pa mundur të kuptojë, se miqte e vet të vegjël e të padukshëm qenë ndeshur ashpër, deri në flijim për të, në emër të dashurisë për jetën…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura