Cirku i Tiranës, turne shfaqjesh në Kosovë

May 20, 2011 | 10:44
SHPËRNDAJE

Shfaqja e Cirkut të Metropolit “Përpëlitje në mjegull”, pas një suksesi në Tiranë, po vazhdon rrugëtimin e saj edhe në Kosovë. Bëhet fjalë për një rrugëtim në Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, për të shpalosur vlerat e një arti sa të vështirë, aq edhe të bukur. “Përpëlitje në mjegull” bashkon talentin dhe eksperiencën e brezave më të vjetër të artistëve të cirkut si mjeshtrat e mirënjohur: Ali Jucja, Alush Iliani, Bajram Kurti, Brunilda Koka, Gentian Dollaku, Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Loreta Lika, Pavli Sallata, Stela Blloshmi, me energjinë e shkathtësinë e akrobatëve të rinj tepër të talentuar, të cilët do të shfaqen me figura të reja si ajri, ashtu edhe numra me kafshë, xhonglim dhe plastikë si dhe pjesëmarrja e të kudondodhurve klounë, Vilson Gjonçaj dhe Novruz Hyseni, që nëpërmjet klounadave afrojnë spektatorin e vogël në arenën e cirkut, duke i bërë shpeshherë pjesëmarrës të këtij arti popullor. Risi në këtë shfaqje është edhe prania e akrobatëve të rinj të studios së fëmijëve të Cirkut të Tiranës, të moshës 5-15 vjeç, të cilët prej disa vitesh po ushtrohen nën drejtimin e mjeshtrave të cirkut. Kjo shfaqje është realizuar me  regji të Armela Demaj, kostume të Florinda Zonjës, skenografi të Holta Çikës dhe koreografi të Amela Agës. Pas Kosovës, mendohet që trupa e Cirkut të Tiranës të zhvillojë një tjetër turne në Maqedoni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura