Çgjyqësorizimi i prokurorisë dhe gjyqtari i hetimeve

May 16, 2016 | 12:32
SHPËRNDAJE

florjan-kalajaFLORJAN KALAJA

Prokuroria është institucioni të cilit populli shqiptar i ka besuar pushtetin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq me Kushtetutën në fuqi. Megjithatë, ligji procedural penal i ka njohur edhe pushtetin që të gjykojë vetë nisjen e ndjekjes penale dhe të japë edhe drejtësi mbi të.

Thënë ndryshe, organit kushtetues ekskluziv të ushtrimit të ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq i është njohur edhe e drejta që të mos fillojë ndjekjen penale dhe, nëse e ka filluar atë, të pushojë çështjen. Rastet se kur vendoset kështu në ligj janë krejt të njëjta me rastet të cilat shërbejnë që gjykata të pushojë çështjen penale apo të shpallë të pafajshëm të pandehurin.

Institucionalisht prokuroria është ndërtuar sipas organizimit hierarkik, ku vendimmarrja e mosfillimit apo e pushimit të një prokurori të zakonshëm duhet të vistohet edhe nga drejtuesi i prokurorisë dhe, akoma më tej, kjo vendimmarrje e dy prokurorëve mundet të jetë objekt kontrolli edhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

E nëse kjo mënyrë kontrolli administrativ, procedural dhe hierarkik njëkohësisht është e pamjaftueshme, është parashikuar në ligj se subjekti i interesuar sipas rastit mundet ta bëjë vendimin e tre prokurorëve objekt kontesti gjyqësor. Kjo do të thotë se, megjithëse populli shqiptar në Kushtetutë prokurorisë i ka besuar ekskluzivisht ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, legjislatori shqiptar i ka lejuar vetes që, krahas misionit kushtetues, prokurorisë t’i besojë edhe misionin e dhënies së drejtësisë mbi çështjet penale.

Nga ana tjetër, populli shqiptar nëpërmjet Kushtetutës ka vendosur që pushtetin e dhënies së drejtësisë t’ua besojë ekskluzivisht gjykatave, në një kohë që legjislatori nëpërmjet ligjit procedural penal ka vendosur që pushtetin e dhënies së drejtësisë në çështjet penale t’ua besojë gjykatave, por edhe prokurorisë.

Më parë kjo pjesë e ligjit është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, duke u kërkuar që të shfuqizohen dispozitat ligjore që gjyqësorizojnë prokurorinë. Gjykata Kushtetuese vlerë- soi se prokuroria duhet të japë edhe drejtësi në vendimin e saj të atëkohshëm. Duket sikur kjo çështje është arkivuar në historinë e drejtësisë kushtetuese shqiptare, nga ky vendim që nuk arriti dot të rrëzojë prezumimin formal të kushtetutshmërisë së ligjit që prokurorisë i njeh kompetenca gjyqësore.

Kështu si rregull, kontrolli ex officio i ushtrimit të këtyre kompetencave gjyqësore prej kohësh në Shqipëri është konceptuar si kontroll i brendshëm, administrativ dhe hierarkik, dhe, si përjashtim nga rregulli, vetëm me ankimin e të interesuarve sipas rastit ndaj këtyre vendimeve mundet të ushtrohet edhe kontroll gjyqësor.

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka dështuar të ndreqë këtë mospërputhje të vullnetit të legjislatorit me vullnetin kushtetues të popullit, atëherë mbetet që shpresa për këtë përputhje të varet vetëm në reformën e sistemit të drejtësisë. Vlerësoj se reformimi institucional i prokurorisë është egzigjenca më e madhe në sipërmarrjen e Republikës sonë për reformën në sistemin e drejtësisë.

Centralizimi ekstrem ka krijuar jo prokurorë të zakonshëm, por nëpunës të zakonshëm, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ka krijuar disa prokurorë të gjithëpushtetshëm dhe perandorin e prokurorisë të mishëruar në Prokurorin e Përgjithshëm. Vlerësoj se në këtë mënyrë centralizimi të prokurorisë nuk mundet të ketë vend për prokurorë të pavarur dhe njëkohësisht edhe përgjegjës, pasi nga mënyra se si është formësuar institucioni, përgjegjësinë për çdo vendimmarrje e kanë ose prokurori titullar, ose shefi i gjithëpushtetshëm në majën e piramidës.

Ndaj vlerësoj se rikonceptimi i prokurorisë dhe marrëdhënieve drejtues-titullar dhe prokuror-titullar i çështjes është një nevojë kombëtare. Gjithashtu vlerësoj se modeli i decentralizuar i prokurorisë është formula më e mirë për të rivendikuar pavarësinë e prokurorëve të thjeshtë. Deri më tani drafti kushtetues e ka gjetur zgjidhjen e reformimit të institucionit të prokurorisë te modeli institucional i decentralizimit të pjesshëm.

Për këtë qëllim filozofia e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, e argumentuar në komentarin zyrtar të projekt-amendamenteve të reformës në drejtësi, vlerësoj se është e duhura, por e pamjaftueshme. Vlerësoj se, nëpërmjet decentralizimit institucional të pjesshëm, do të duhet të kuptohet që veprimtaria e ushtrimit të ndjekjes penale do t’i ikë kontrollit të brendshëm prokurorial dhe administrativ si atribut dhe do të duhet t’i kalojë pushtetit gjyqësor, si një veprimtari e mirëfilltë procedurale penale që lidhet me dhënien e drejtësisë.

Dhe për këtë qëllim eksperiencat e vendeve europiane e kanë gjetur zgjidhjen te figura procedurale e gjyqtarit hetues, e cila është një figurë e ndërmjetme midis prokurorit dhe gjyqtarit, por që në fund të ditës përfaqëson pushtetin ekskluziv të dhënies së drejtësisë dhe ka funksione të mirëfillta gjyqësore.

Vlerësoj se formula e stisur dhe artificiale që ka krijuar Kodi i Procedurës Penale në fuqi, për krijimin e gjyqtarit të hetimeve me kohë të pjesshme është krejt joefektive dhe krejt e dështuar, aq më tepër kur sjell në vëmendje se gjyqtarë të tillë, me arsyetimin e moskonsumimit, janë përzgjedhur dhe kanë shërbyer gjithnjë gjyqtarët e kolegjeve apo dhomave civile. Kjo figurë artificiale dhe e stisur gjyqtari nuk mundet të premtojë kurrsesi kontroll efektiv mbi ndjekjen penale.

Por sikur të mos mjaftonte kjo figurë e stisur procedurale, ligji procedural penal ka njohur kontroll të kufizuar në veprimet hetimore, duke specifikuar vetëm veprimet hetimore që mbartin rrezikun më të madh për cenimin e të drejtave të të përndjekurit penalisht për proces të rregullt ligjor. Vlerësoj se një gjyqtar i tillë hetues, sikurse duhet të projektojnë projekt-amendamentet e reformës në sistemin e drejtësisë, dhe era e re në këtë sistem, që po ndillet ethshëm të vijë, do të duhet të ketë shumë më tepër rol kontrollues gjyqësor.

Megjithatë për t’u vlerësuar është ideja e shmangies së kontrollit administrativ hierarkik mbi ushtrimin e ndjekjes penale dhe rivendikimin e kontrollit gjyqësor si formë kushtetuese kontrolli. Kjo erë e re në sistemin e drejtësisë duhet të çgjyqësorizojë prokurorinë, duke i rivendikuar asaj vetëm funksionet kushtetuese dhe natyrore.

Kështu, prokurorët, pavarësisht shkallës apo faktit nëse është titullar apo i zakonshëm, do të duhet të kenë si detyrë vetëm të ushtrojnë ndjekjen penale dhe të përfaqësojnë akuzën në gjyq dhe jo ta pushojnë apo të mos e fillojnë atë. Të dyja këto kompetenca janë atribute origjinale dhe natyrore të pushtetit gjyqësor, pasi në thelbin e tyre japin drejtësi mbi kallëzime apo ankime penale konkrete apo edhe kur ndjekja penale nis kryesisht.

Si të tilla, këto atribute nuk mundet të ushtrohen nga prokurori, i cili, sipas Kushtetutës, ka detyra të tjera, por vetëm dhënien e drejtësisë jo, për sa kohë ai është palë në ushtrimin e ndjekjes penale. Kështu duhet që reforma në sistemin e drejtë- sisë ta çgjyqësorizojë prokurorinë nëpërmjet krijimit të figurës së re dhe të mirëfilltë të gjyqtarit të hetimeve.

*Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura