Çfarë pres nga studentët e ardhshëm të filozofisë në UET?

Sep 16, 2018 | 15:04
SHPËRNDAJE

klementin-mileNga Klementin Mile

Licencimi i degës së filozofisë në Universitetin Europian të Tiranës është lajm i mirë, mbi të gjitha, për të rinjtë e apasionuar pas dijes filozofike. Kjo ngjarje më sjell ndërmend shumë studentë të viteve të shkuara, të cilët, në pamundësi për të ndjekur studimet për filozofi në UET, regjistroheshin në degë të tjera. Tashmë ky ngërç burokratik është kapërcyer dhe UET po bëhet gati t’i mirëpresë studentët e filozofisë.

Po cili është profili i një studenti filozofie? Nuk mjafton të thuash që duhet të studiojë sistematikisht, pasi kjo vlen për studentët e cilësdo degë studimi. Studenti i filozofisë duhet të jetë i ndryshëm prej të tjerëve, ashtu siç është radikalisht e ndryshme filozofia prej degëve të tjera. Filozofia, në fakt, as nuk mund të krahasohet me degët e tjera, pasi ato janë degë, ndërkohë që filozofia është rrënja mbi të cilën qëndrojnë ato degë. Kjo është vetëdija me të cilën duhet t’i qaset filozofisë studenti.

Nga studentët e ardhshëm të filozofisë në UET pres të jenë të shqetësuar, jo indiferentë. Për të bërë mirë filozofi studenti duhet të shqetësohet se cilat janë përgjigjet e vërteta për pyetjet e filozofisë. Po të jetë indiferent ndaj së vërtetës, ky qëndrim nuk do ta lejojë studentin të ecë përmes kërkesave dhe vështirësive të procesit filozofik.

Së dyti, pres të jenë të guximshëm, jo të druajtur. Guximi nevojitet për t’u përballur me të vërtetën filozofike. Është normale të besosh si të vërtetë atë që përkon me ndjenjat dhe dëshirat. Por studentit të filozofisë nuk i kërkohet të jetë normal – ai duhet ta ndjekë të vërtetën deri në fund, edhe pse ajo mund të jetë jo ashtu si do të donte të ishte.

Së treti, pres të jenë të hapur, jo të mbyllur. Studenti i filozofisë duhet të jetë i hapur ndaj kritikave dhe alternativave. Ai duhet ta kapërcejë besimin dogmatik dhe të vërë në pikëpyetje gjithçka që funksionon si konvencion. Por të qenurit i hapur nuk do të thotë të mos kesh një opinion tëndin dhe as t’i pranosh si të vërteta të gjitha opinionet e kundërta.

Së katërti, pres të jenë mirënjohës, jo të mëritur. Studenti i filozofisë nuk duhet të ketë mëri ndaj atyre që i kritikojnë besimet dhe i paraqesin alternativa. Ai duhet të jetë mirënjohës ndaj tyre. Kjo sepse përmes mekanizmit të arsyetimit do të ketë mundësinë të arrijë në besime më solide dhe më bindëse për atë vetë dhe të tjerët.

Së pesti, pres të jenë pohues, jo pasivë. Studenti duhet t’i shprehë mendimet për çështjet filozofike, pavarësisht nëse është apo jo konfident për vlerën e mendimeve të tij. Pohimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse objektivi i filozofisë është të arrijë tek e vërteta e gjërave, jo shmangia e të qenurit gabim. Mënyra më e sigurt për të mos gabuar është të mos pohosh asgjë. Por kjo pagabueshmëri nuk e realizon aspak objektivin e filozofisë. Studenti i filozofisë në UET do të inkurajohet të pohojë, pasi prej pohimeve do të vijë mundësia për t’i eliminuar përgjigjet e gabuara dhe për t’i zëvendësuar përgjigjet e dobëta me përgjigje të forta, në rrugëtimin për t’iu afruar gjithnjë e më tepër së vërtetës.

*Pedagog në UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura