Çfarë do të paralajmërojë kryediplomatja britanike? Mesazhet e forta ndaj Rusisë nga Bosnje-Hercegovina

May 26, 2022 | 10:58
SHPËRNDAJE

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pritet të paralajmërojë kundër “qasjes së butë” ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në një fjalim që do të mbajë në Bosnje-Hercegovinë më 26 maj.

trus

Ajo pritet të deklarojë po ashtu që aleatët e Perëndimit nuk duhet të zvogëlojnë ndihmën për Ukrainën.

“Qasja ndaj agresionit rus në Ukrainë nuk duhet të zbutet. Duhet të ketë përgjigje të fuqishme”, pritet të thotë Truss në vizitën e saj në Sarajevë.

Truss do të shfrytëzojë fjalimin që t’iu bëjë thirrje aleatëve për më shumë sanksione kundër Moskës, dhe që të gjithë “duhet të mësojnë nga historia” në përballje me Putinin, për t’u siguruar për humbjen e tij në Ukrainë.

“Ne nuk duhet të lejojmë një konflikt të zgjatur dhe shumë të dhimbshëm në Ukrainë… Ne duhet të jemi të pamëshirshëm për t’u siguruar që Ukraina të fitojë përmes ndihmës ushtarake dhe sanksioneve ndaj Rusisë”, pritet të thotë ajo.

Kryediplomatja britanike do të shfrytëzojë fjalimin për të garantuar përkushtimin e shtetit të saj për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor “përballë ndikimit të dëmshëm rus”.

Truss pritet të bëjë një hap në këtë çështje duke bërë të ditura synimet për mobilizim të 100 milionë dollarëve amerikanë për investime të mbështetura nga Britania e Madhe në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2025.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura