Çështja “Kajolli”, edhe Gjykata e Apelit rrëzon ekstradimin

Jun 30, 2012 | 14:06
SHPËRNDAJE
Fatmir Kajolli

VLORE – Gjykata e Apelit në Vlorë i thotë jo ekstradimit të Fatmir Kajollit, këshilltarit fierak i kërkuar nga Drejtësia italiane me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Dy javë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, e cila refuzoi kërkesën e palës italiane për ekstradim, edhe Gjykata e Shkallës së Dytë la në fuqi të njëjtin vendim. Sipas saj, vendimi i marrë nga Gjykata e Faktit në Fier është i drejtë. Çështja është shqyrtuar të enjten në Apelin e Vlorës, duke u shprehur konkretisht se qëndron argumentimi që në letër-porosinë për ekstradimin e Kajollit ka parregullsi. Në këtë mënyrë, refuzohet për herë të dytë brenda muajit qershor kërkesa për ekstradim e Fatmir Kajollit, këshilltarit të Partisë Republikane në Fier, njëkohësisht biznesmen i njohur në këtë qytet. Prej datës 11 qershor, kur Gjykata e Fierit rrëzoi kërkesën për ekstradim, u shfuqizua dhe masa e sigurisë “arrest shtëpiak” ndaj tij. Fatmir Kajolli u arrestua në Fier për llogari të Drejtësisë italiane, pasi dy gjykata, ajo e Romës dhe e Milanos e kishin dënuar atë me 24 dhe 16 vjet heqje lirie. Gjatë shqyrtimit të çështjes, në seancën e datës 11 qershor, trupi gjykues në Gjykatën e Fierit deklaroi se, në bazë të dokumenteve të mbërritura në Shqipëri, ekstradimi cilësohet i paligjshëm. Sipas argumentit të mbrojtjes, në letër-porosinë e palës italiane nuk deklarohet nëse do të respektohet parimi i specialitetit, çka lë në dyshim faktin nëse ndaj Kajollit do të ekzekutoheshin vendime të tjera të marra nga Gjyqësori i atjeshëm. Argumentimi u bazua në dosjen e mbërritur për këshilltarin bashkiak, ku figuron vetëm një vendim i reduktuar në 6 vjet nga Gjykata e Milanos. Pas këtij vendimi, nuk ka ndonjë reagim nëse do të të ankimohet në Gjykatën e Lartë.                                  q.b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura