“Çdo deklaratë nga qeveria për ndryshime, kundër konsensusit”- PPE: Reforma Zgjedhore të miratohet sa më shpejt. Të fillojë ndjekja penale për akuzat në dosjet…

Jul 7, 2020 | 17:20
SHPËRNDAJE

Grupi Parlamentar i Partisë Popullore Europiane, kërkoi sot miratimin e Reformës Zgjedhore, sipas marrëveshjes së arritur më 5 Qershor mes palëve në Këshillin Politik.

Zëdhënësi i grupit, që mbulon çështjet e politikës së Jashtme, Michael Gahler, tha se reforma duhet të miratohet pa ndryshime,  ndërsa i tërhoq vëmendjen mazhorancës që  “të mos bëjë veprime që shkojnë kundër konsensusit të arritur”.

gfjfj-675x450

Ky konsensus ka qenë një kusht kryesor i BE për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ai duhet të ndiqet nga zbatimi i sinqertë i Ligjit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale”, thuhet në deklaratën e Gahler.

Po ashtu ai kërkon edhe fillimin e ndjekjeve penale lidhur me akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.

Deklarata e plotë:

Ne, grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, urojmë palët në Këshillin Politik shqiptar, në të cilin, pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, u ra dakord për paketën e amendamenteve për zgjedhjet. Ne vlerësojmë konsensusin mes palëve, që përfshinte Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur.

Ky konsensus ka qenë një kusht kryesor i BE për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ai duhet të ndiqet nga zbatimi i sinqertë i Ligjit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.

Në mars, Këshilli Evropian, kërkoi që Shqipëria të qartësojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Fakti që bashkitë në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e kundërshton nocionin themelor të një demokracie pluraliste.

Këto janë tre kushte të rëndësishme nga 15 që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Opinionet e kohëve të fundit të Komisionit të Venecias për lirinë e medias dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht në frymë dhe në gërmë, në mënyrë që të korrigjojnë devijimet e mëparshme dhe të ecet përpara.

Gjithashtu, duhet të fillohet ndjekje penal lidhur me akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.

Të 15 Kushtet u vendosën në Mars nga Këshilli Evropian dhe u konfirmuan muajin e kaluar në Parlamentin Evropian nga një shumicë e madhe ndërpartiake.

Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura