Bylisi një “mur”, por Teuta nuk di të përfitojë

Apr 30, 2012 | 13:25
SHPËRNDAJE

Teuta-Kamza 0-0

Flamurtari shkatërron Dinamon.

Barazim burrëror në Ballsh, Skënderbeu nuk e lëshon kreun.

Skënderbeu ndalet në Ballsh në një barazim pa gola, por gafa vjen nga Durrësi, ku Teuta nuk përfiton duke barazuar po pa gola me Kamzën. Barazim edhe në sfidën e mbijetesës në Pogradec, ndërsa Laçi surprizën Kastriotin në Krujë.
Bylisi mund të konsiderohet pa frikë si makthi i ekipeve elitare. Pas Tiranës dhe Teutës, në “Adush Muçaj” ndalet edhe Skënderbeu, madje kampionët mund edhe të kishin humbur, nëse vendësit do të shfrytëzonin si duhet disa raste të pastra për shënim. Gjithsesi,  duhet thënë se barazimi i bardhë dje në Ballsh nuk u ka prishur shumë punë korçarëve, të cilët vazhdojnë të mbajnë kryesimin. Kjo për shkak të barazimit identik të Teutës në fushën e vet ndaj Kamzës. Në këtë këndvështrim, “muri” i krijuar nga lojtarët e Bylisit para portës së portierit Frashëri vlejti vetëm për ndershmërinë me të cilën u luajt kjo ndeshje, sidomos nga vendësit, pasi, fatmirësisht, ndalesa e Skënderbeut u ekuilibrua nga ana tjetër edhe nga stopimi i durrsakëve në fushën e tyre. Në përgjithësi u luajt një ndeshje burrërore, me ndërhyrje në limite, por me korrektësinë e duhur si nga ana e lojtarëve, dhe nga gjyqtari i takimit, Albano Janku. Që të dyja skuadrat patën raste për të shënuar, por si Shei nga njëra anë, dhe Frashëri nga ana tjetër arritën të mbanin të paprekura portat e tyre. Ndërkohë, humbi një tjetër shans për të rimarrë kreun Teuta, duke barazuar pa gola në “Niko Dovana” përballë Kamzës. Edhe më skeptiku nuk mund ta imagjinonte që durrsakët e etur më shumë se kurrë për 3 pikë, të linte në shtëpinë e saj dy pikë të çmuara. Barazimi 0-0 është i treti për të në këtë sezon, teksa kujtojmë atë me Skënderbeun në javën e 6-të dhe në javën e 17-të në transfertën ballshiote. Tifozëria durrsake largohet e dëshpëruar nga stadiumi, sepse ekipi i zemrës nuk shfrytëzoi mundësinë e mirë që kishte për të kapur edhe një herë kreun, aq shumë të lakmuar. Tanimë askush në Durrës nuk mundet që të “qajë” humbjen e javës së shkuar me Laçin, përderisa shansi për kreun u erdhi pikërisht dje dhe nuk u shfrytëzua si duhet. Ndërkohë nuk ka histori në Vlorë. Dinamo shpartallohet në takimin e ndaj Flamurtarit, duke pësuar pesë gola dhe duke qenë shumë pranë Kategorisë së Parë sezonin e ardhshëm. Progni, Pejiç e Selimi janë ata që nuk mund të markohen nga mbrojtja dinamovite, kalojnë lehtësisht portierin Osmani, i cili edhe pse me njërën dorë të krisur, si pasojë e një dëmtimi, sakrifikon shumë duke qenë në katërkëndëshin blu. Në takimin e djeshëm, ekipi i drejtuar nga Artan Mërgjyshi nuk tregon asgjë nga loja e tij e deritanishme dhe është i shthurur plotësisht. E vetmja shpresë e bluve për të siguruar zonën e “play-out”-it është që të fitojë dy ndeshjet e radhës, si dhe të humbasin rivalët e saj, Apolonia e Pogradeci. Nga ana tjetër, Flamurtari me trepikëshin e djeshëm dhe duke parë edhe humbjen e Kastriotit, ka siguruar një vend në kupat e Europës. Në sfidat e tjera të luajtura dje, bie në sy humbja e krutanëve në fushën e tyre nga Laçi, skuadër kjo që tashmë ka siguruar qëndrimin direkt në Superiore. Ndërsa Kastrioti i jep gati lamtumirën pretendimeve për vendin e katërt. Nuk bëri asgjë dje as Vllaznia, e cila u ndal në shtëpi nga Tomori. Ndërsa në “Gjorgji Kyçyku”, Pogradeci nuk shfrytëzoi faktorin fushë që të arrinte përfundimisht të paktën “play-out”-in. Liqenorët vetëm barazuan me Apoloninë, dhe tani rrezikojnë rënien direkt në të Parën.

Bylisi, 1 mijë dollarë për çdo lojtar
Korrektësia i ka tejkaluar limitet në Ballsh, pasi jo vetëm rrogat e futbollistëve nuk vonohen më shumë se 10 ditë, por pjesëtarët e FK Bylisit janë shpërblyer pas çdo rezultati pozitiv me premio të majme. Shifra të frikshme këto ndeshjet e fundit ka përdorur presidenti Besnik Kapllanaj, si për barazimet, edhe për fitoret e Bylisit brenda apo jashtë fushe. Duket se me këtë barazim ndaj Skënderbeut, mallakastriotët matematikisht kanë shpëtuar nga zona “play-out”. Për këtë takim, që u luajt dje në “Adush Muçaj”, lojtarëve u ishte premtuar një shifër prej 1 mijë dollarësh për barazimin dhe shumë më tepër për fitoren.

Superiore
Java e 24-t

Bylisi-Skënderbeu    0-0
Flamurtari-Dinamo    5-0
Shënues: Progni 1’, 60’, 69’, Pejiç 34’, 45’
Teuta-Kamza    0-0
Tirana-Shkumbini    1-1
Shënues: Cikalleshi 70’/ A.Magani 88’
Kastrioti-Laçi    0-1
Shënues: Emurllai 12’
Pogradeci-Apolonia    1-1
Eminhazeri 9’/ Ndoni 6’
Vllaznia-Tomori    0-0

Renditja
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P
1. Skënderbeu    24     15     6     3     40     15     51
2. Teuta    24     15     5     4     26     14     50
3. Tirana     24     14     5     5     31     21     47
4. Flamurtari    24     12     6     6     39     20     42
5. Kastrioti     24     11     4     9     35     27     37
6. Laçi     24     11     6     7     26     27     33
7. Vllaznia    24     9     4     11     32     29     31
8. Bylisi    24     8     7     9     35     34     31
9. Shkumbini    24     8     6     10     33     38     30
10. Tomori     24     8     3     13     29     39     27
11. Kamza     24     7     5     12     21     30     26
12. Pogradeci     24     6     4     14     21     39     19
13. Apolonia    24     4     6     14     21     39     18
14. Dinamo    24     3     7     14     18     35     13
SHËNIM: Dinamo -3 pikë, dënuar nga FIFA. Laçi – 6 pikë dhe Pogradeci – 3 pikë, dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura