“Buzëqesh” Milani për rikuperimet, ja gjendja e skuadrës përpara sfidës ndaj Mançester Junajtid

Mar 9, 2021 | 13:33
SHPËRNDAJE

Ndeshja e fituar në Veronë, ndonëse me një “ushtri” me mungesa, ka bërë që vetëbesimi në radhët e Milanit të jetë në nivelet stratosferike. “Djalli” sivjet duket se ka energji të pashtershme, ndonëse për momentin numëron një infermieri të mbushur plot duke nisur nga Teo Hernandez dhe për të vazhduar më pas me Ante Rebiçin, Hakan Çalhanoglunë, Zlatan Ibrahimoviçin, Sandro Tonalin, Mario Manxukiçin dhe Ismael Benaserin. Prandaj, sytë e Stefano Piolit janë të drejtuar nga infermieria dhe nga mrekullitë që mund të bëjë stafi mjekësor kuqezi, duke parë se deri në pauzën e kombëtareve më datë 21 mars, në program janë ndeshjet me Mançester Junajtidin (dy të enjte radhazi) në Ligën e Europës, por edhe Napoli e Fiorentina në kampionat.

ibra milan6665

Prandaj, ajo që shpresohet është që grupi të nisë të plotësohet, me shpresën se për duelin e kthimit të 1/8-ave në arenën kontinentale, në program me 18 mars, në “San Siro”, trajneri kuqezi do të mund t’i ketë të gjithë të dëmtuarit në dispozicion.

 

RIKTHIME TË SIGURTA – Në pritje të ndeshjes së vajtjes në Mançester, janë tre lojtarë që japin shpresa për rikuperim të plotë. I pari është mesfushori Sandro Tonali, i cili është rikthyer dje të kryejë seancën e plotë, pas një ngurtësimi muskulor. Ndërkohë, edhe Teo Hernandez duket se e ka kaluar goditjen e fortë që ka marrë në kërci dhe do të jetë sot i gatshëm, por edhe Ante Rebiç e ka kaluar ënjtjen në muskujt e djathtë të ijëve.

AC-Milan-Players-Salaries-2020-Weekly-Wage-scaled

VRAPIME DHE TERAPI – Për sa u përket të tjerëve, Mario Manxukiç ka nisur dje vrapimet me regjim të plotë, por është e pamundur që ai të mund të jetë për ndeshjen e vajtjes së Ligës së Europës me Mançester Junajtidin. Por, ndoshta, për sulmuesin kroat mund të ketë shpresa që ai të jetë në stol me Napolin këtë fundjavë në kampionat. Të njëjtat kohë rikuperimi janë edhe për fantazistin Ismael Benaser. Edhe algjeriani po shton peshën fizike në stërvitjet në palestër, ka nisur vrapimet, por edhe për atë, Napoli, apo akoma më e sigurt, për të rigjetur edhe ritmin e ndeshjeve, do të jetë rikthimi për ndeshjen e kthimit me Junajtidin, më 18 mars. Ndërkohë, Zlatan Ibrahimoviç dje ka kryer kontrollin e parë nga stafi mjekësor, i cili ka konfirmuar se tabela e riaftësimit po ecën me ritme shumë të kënaqshme, por për suedezin duket ndeshja e javës së ardhshme me Junajtidin hipoteza më e mirë për ta parë në fushë. Në fund, Hakan Çalhanoglu, i cili duket disi më “rëndë” nga të gjithë emrat e tjerë. Për turkun kontrolli që mund të bëjë të kuptojë diçka më shumë do të jetë ai i kësaj fundjave, ndonëse më shumë sesa për ndeshjen e 18 marsit, duket ajo me Fiorentinën, fundjavën tjetër (21 mars), data më e sigurt për rikthimin në dispozicion.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/