Buxheti për Shëndetësinë/ Rama: Rritje pagash për mjekët e infermierët dhe investime në spitale. PD: Standarde afrikane

Nov 20, 2018 | 18:52
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka premtuar rritje pagash për mjekët e infermierët vitin e ardhshëm.

“Ka ndryshuar në dy drejtime pagat e mjekëve dhe infermierëve: Rritjes e pagës dhe uljes së taksave. Përsëri ne do rrisim pagën për infermierët e mjekët. Janë 17.864 punonjës që do kenë një rritje page prej 7 përqind nga tremujori i dytë i vitit të ardhshëm. Një rritje e konsiderueshme besoj që përmbush objektivin tonë për pagën e infermierëve dhe që rrit edhe shpërblimin e mjekëve”, tha kreu i qeverisë, gjatë aktivitetit të prezantimit të Buxhetit për Shëndetësinë, për vitin 2019.

rama

Kreu i qeverisë premtoi rritje të buxhetit për rimbursimin e barnave dhe investime në spitale.

Lidhur me rimbursimin e barnave, Rama tha se, “kemi kaluar në 100 mln dollarë barna të rimbursueshme, ndërsa për vitin 2019 do rimbursojmë 104 mln barna. Pesë vite më parë ishte thuaje 30 mln dollarë më pak”.

Shefi i ekzekutivit tha se do të rindërtohen “me themel 80 qendra shëndetësore brenda këtij viti dhe 100 në vitin e ardhshëm”.

“Janë në plan 5 maternitete të reja si ai i Sandales, që është një model kuptimplotë i shëndetësisë që duam. Do financohet në Berat e Korçë me buxhetin e këtij vitit e më pas Lezha, Mati dhe Kukësi”, tha Rama.

PD: Standarde afrikane

Deputeti demokrat Tritan Shehu e quan buxhetin e Shëndetësisë për vitin e ardhshëm, “buxhetin e Varfërisë Afrikane”.

“Aktualisht Ministria e Shendetesise e Ceshtjeve Sociale po ‘paraqet’ me pompozitet Buxhetin e Varferise Afrikane. Financimet per shendetesise ngelin perseri ne reth 130 E per fryme ne vit, kur mezatarja europiane eshte reth 2000. Mjafton kaq per te kuptuar gjendjen e ketij sektori jetik. Dhe me shume se kaq paguajne qytetaret direkt nga xhepat e tyre. Gjendje thellesisht antisociale kjo e nga nje dikaster, qe mbulon edhe ceshtjet sociale!! Asnje term perspektive apo permiresimi. Dhe pastaj ‘habiten’ pse mjeket jane kthyer me nje ‘specie ne zhdukje’! Dhe Rilindja sot po trumbeton ne nje aktivitet per buxhetin deshtimet per suksese, pikerisht me nje “skenar”, qe do t’i shkonte per shtat vetem Kim Jong Un-t”, shprehet ish-ministri i Shëndetësisë në një shënim në Facebook.

/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura