Buxheti i varfërisë pa perspektivë të shëndetësisë

Nov 25, 2017 | 12:54
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

Duke lexuar faqet e shum ta të projektbuxhetit të ri të paraqitur në Kuvend, nuk mund t’i shpëtosh një dhembjeje të fortë të kokës së bashku me një ndjenjë keqardhjeje të thellë për atë që paraqitet. Kjo sepse ai buxhet qëllimisht apo edhe nga mungesa e profesionalizmit është paraqitur i tillë, konfuz, pikërisht për t’u kuptuar .sa më pak, me sa më shumë vështirësi, pa kolona, me shumë sofizma.

tritan-shehu

Dhe këtu do rendisja disa probleme të tij si shterpësinë në ide, në prioritete, në stimuj zhvillimi, në progres sektorial e ekonomik në tërësi të vendit. Për këtë gjë janë koshientë edhe vetë anëtarët e Qeverisë, duke filluar nga Kryeministri, të cilët edhe në debatin në parim në Kuvend, ose bojkotuan tërësisht sallën, ose u përpoqën ta devijojnë diskutimin në disa “batuta” e lojëra fjalësh, pa thënë asgjë konkrete e optimiste të faktuar. Kjo është esenca e këtij buxheti, që nuk premton asgjë të mirë, një pjesë e madhe e “investimeve” të të cilit janë të pambështetura në financime, pa afate realizimi, pra surrealiste.

Natyrshëm këtyre tipareve të përgjithshme nuk mund t’u shpëtonte as buxheti i shëndetësisë, që për hir të së vërtetës zë vendin e parë midis sektorëve si për varfërinë e thellë të tij, mungesën e vizionit zhvillues, të optimizmit perspektiv, ashtu edhe për “akrobatllëqet” e përdorura në fshehjen e këtyre të vërtetave të hidhura, që ai përmban për sektorin e popullatën.

Kjo fillon që nga bashkimi i shëndetësisë me çështjet sociale e deri me ish-të përndjekurit politikë në një mega dikaster, që jo vetëm nxjerr shëndetësinë në plan të dytë, por shton edhe konfuzionin drejtues, si dhe maskon realitetin e financimeve e zhvillimit. Megjithatë nga buxheti i paraqitur për shëndetësinë mund të kuptosh se ky sektor do të vazhdojë të jetë më i varfri në Europë, duke rritur diferencat me të, si dhe ndër më të nënfinancuarit në botë.

Ai përfaqëson në vlerë absolute rreth 85 euro për frymë popullsie në vit, gjë që është rreth 22 herë nën mesataren europiane, duke përfaqësuar kështu rreth 2% të GDP.

Për ta “shtuar” sadopak këtë vlerë të nivelit “afrikan”, në material përdoren dy “spekulime” foshnjarake. Kjo shifër deklarohet abuzivisht rreth 2,9% duke shtuar rreth 1% të GDP që vijnë nga sistemi sigurativ, pra nga kontributet direkte të qytetareve, që janë krejt të ndryshme nga ajo që vjen nga Buxheti i shtetit, ndryshe e thënë nga taksimi i përgjithshëm.

Kjo vlerë mund të llogaritet te shpenzimet për shëndetësinë, që është diç- ka tjetër, për të cilën do flas me poshtë, por jo te fondet publike për atë. Së dyti, llogariten aty financimet për spitalin e traumës edhe njësinë e helikopterëve që shkojnë rreth 0,08% e GDP, por që në mënyrë absurde tashmë i kanë kaluar për administrim Mbrojtjes dhe duhet të llogariten vetëm atje në buxhet.

Po kështu edhe shpenzimet për shëndetësinë sipas nëntekstit të buxhetit (ai nuk i përmend), priten të jenë në këto nivele mizerjeje edhe vitin që vjen, si dhe krejt të deformuara e shumë larg jo vetëm gënjeshtrës “shëndetësi falas”, por edhe një sistemi shëndetësor thjesht social. Jam i bindur se ajo që do të ketë rritje të ndjeshme në këto shpenzime është vetëm pjesa e pagesave direkte të popullsisë, për trajtim te privati brenda apo jashtë vendit etj.

Kjo vjen nga mosgjetja në sektorin publik shqiptar jo vetëm të standardeve bazale europiane, por edhe nga mungesa tërësore e një numri të madh specialitetesh, duke i dhënë shëndetësisë sonë kështu tiparet e vendeve të prapambetura. Konkretisht, përveç të ardhurave nga buxheti prej rreth 85 euro për frymë, do të shpenzohen edhe rreth 38 euro për frymë nga sistemi sigurativ, që paradosalisht rilindasit deklaruan më 2013 se do t’i eliminonin (premisë kjo e “shëndetësisë falas”), si dhe mbi 120 euro nga pagesat direkte të popullsisë, pa llogaritur këtu shpenzimet që qytetarët do të realizojnë për mjekime jashtë vendit.

Kështu arrihet në një tablo shpenzimesh jo vetëm kryekëput antisociale me 245 euro për frymë, por që na rendit në vendin e fundit në Europë, si edhe 2,5 herë nën nivelin e Maqedonisë, gjë që përbën një gjendje katastrofike të financimit të sistemit. Kjo është njëra anë e “tablosë”, ajo e varfërisë ekstreme të sistemit shëndetësor.

Faqja tjetër, ndoshta dhe më negative se e para, është se ky projekt, tashmë që edhe rilindasit e pranuan se “shëndetë- sia falas” nuk ekziston më, qoftë kjo edhe si koncept i financimit të sistemit vetëm nga buxheti (gjë për të cilën do të duheshin së paku 2000 euro për frymë popullsie në vit), nuk dizenjon asnjë strategji afatmesëm apo afatgjatë për rritjen e financimeve shëndetësore, gjë kjo jetësore. Pra, realisht jemi përpara jo vetëm buxhetit të varfërisë së thellë të këtij sistemi, por edhe të stanjacionit të plotë, që në të vërtetë përkthehet për shëndetësinë në regres.

Dhe ky regres thellohet edhe nga fakti se vazhdohet të ecet me kokëfortësi në rrugën e disa mega shpenzimeve nga buxheti në formë “PPP”, që jo vetëm janë të ekzagjeruara financiarisht për efektet në sistem dhe te qytetarët, por edhe që bien ndesh me parimet e decentralizimit të sistemit, spitalit ndërmarrje, konceptet e unitetit klinik e menaxherial të tij, si edhe krijojnë monopole korruptive kombëtare të financuara nga fondet publike për operator të vetëm privat.

Vlerat e tyre kapin shuma gjigante duke varfëruar më tej sistemin tonë shëndetësor. Pa dyshim i pari këtu renditet famëkeqi Check up, jo vetëm për shumën e lartë të financimit, por edhe për rentabilitetin e ulët kliniko-financiar, që në fakt askush nuk po e përmend, sepse unë gjykoj se nuk ekziston.

Të gjitha këto japin pasoja negative të gjera, jo vetëm për nivelin e shërbimit të institucioneve shëndetësore, personelit, por edhe ndaj barnave që hyjnë në Shqipëri, prodhuesve të të cilave kërkohet veçse t’u imponohen arbitrarisht çmime më të ulëta se realiteti i medikamenteve të standardit europian. Kjo që lexohet midis rreshtave edhe në atë material, ka çuar e do çojë në largimin e kompanive serioze, duke vënë në dyshim sigurinë medikamentoze në treg.

Në fund të fundit janë qytetarët që e pësojnë këtë nivel të ulët shërbimi mbi veten e tyre në shëndet apo duke paguar te privati a jashtë vendit për cilësi më të lartë. Në të gjithë këtë analizë, apo çfarëdo ballafaqimi të realizuar del e do të dalë se për sistemin tonë shëndetësor ky buxhet nuk transmeton asgjë veçse varfërisë, mungesës së perspektivës e alternativave, pesimizmit për të ardhmen. Këto elemente janë diametralisht të kundërt me atë çfarë i duhet shëndetësisë e qytetarëve tanë.

Veçanërisht tashti që nuk përmendin më “shëndetësinë falas”, do të ishte shumë e rëndësishme si domosdoshmëri objektive e sistemit që edhe rilindasit të pranonin përpunimin e alternativave të qarta e realiste për të rritur financimet në shëndetësi, si dhe për të menaxhuar sistemin në mënyrë të pajtueshme me karakteristikat e një vendi, që bazohet mbi ekonominë e tregut.

Këto jo vetëm janë e vetmja rrugë e zhvillimit e rritjes së cilësisë së shërbimit, por do të shërbenin edhe si mesazhe optimiste ndaj qytetarëve, apo dhe ndaj punonjësve të shëndetësisë, të cilët po braktisin vendin me mijëra, duke e çuar kështu atë drejt një kolapsi të plotë. Sot kemi arritur te 1.12 mjekë dhe 2,4 shtretër spitalorë për një mijë banorë, këto disa herë më të ulëta se mesataret europiane, duke na renditur në fund të saj, pra në prag të rrënimit të sistemit e të krahasimit të tij me vendet e Afrikës Qendrore.

Dhe tashmë në fund të këtyre rreshtave pyetja e natyrshme përsëritet: cila do të jetë platforma, modeli a sistemi i financimit e menaxhimit mbi të cilën do mbështet shëndetësia jonë, për të rritur sa më shpejt këto vlera monetare mizerabile të paraqitura si obsion në këtë buxhet, për të përmirësuar eficiencën e nivelin e shërbimit të tij?

Fatkeqësisht në material nuk gjej as edhe një përgjigje të tillë, sado e përgjithshme të ishte ajo, ndaj kësaj pyetjeje të madhe e thelbësore për të sotmen e të ardhmen. Unë gjykoj se pa dyshim modeli i përzier i financimit i filluar që më 1993, duke rritur shpejt komponentin kontributiv të tij, pra atë sigurativ, e shoqëruar kjo me financime të mundshme nga buxheti në rreth 3,5% të GDP, do të ishte rruga më racionale dhe e vetme për të krijuar bazën e zhvillimit e të shpresës për të ardhmen e sistemit tonë shëndetësor.

Pa dyshim kjo duhet shoqëruar me ndryshime të thella vizionesh menaxheriale, decentralizim, liberalizim, konkurrencë, raporte të reja publik-privat, indekse bashkëkohore kostoje e cilësie etj., për të siguruar eficiencën e financimeve. Këto janë elementet që duhet të shprehë një dokument i vërtetë buxheti, veçanërisht për kushtet e sistemit tonë shëndetë- sor, që kërkon ndryshime drastike, përndryshe, siç transmeton ky buxhet, jepen vetëm mesazhe negative e të rreme, duke treguar se në këtë rrugë pa krye e nesërmja e sistemit tonë shëndetësor do të jetë shumë më e keqe se e sotmja e errët e tij. Atëherë si mund të mos kesh dhimbje koke e shpirti kur lexon këto faqe të shkruara në mënyrë kaq amatoreske dhe spekulative?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura