Buxheti 2016, konsolidimi, dhe cilësia e shpenzimeve

Nov 29, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

anastas_angjeliANASTAS ANGJELI

Projektbuxheti i vitit 2016, i cili ndodhet në Parlament për diskutim dhe më pas për miratim, ka si karakteristikë kryesore të tij konsolidimin fiskal dhe mbështetjen e reformave të nisura në vend, me synim vazhdimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Kjo veçori diktohet si nga zhvillimet e brendshme ekonomike e financiare, ashtu edhe nga ato të jashtme, si dhe nga rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe BE-së. Rritja ekonomike në vend ka shënuar kthesën dhe është në rrugën e rritjes. Kështu, në vitin 2013 ajo ishte 1.5%, në 2014-n 2.1%, i pritshmi për vitin 2015 2.7% dhe sipas parashikimit për 2016-n, pritet të jetë 3.4%.

Megjithatë, ky vit që po lëmë pas, po konsiderohet jo i lehtë financiarisht (borxhi publik 72.6% e GDP-së, Deficiti Buxhetor 4.1% e GDP-së dhe të ardhurat e pritshme nën performancë, ndonëse më të mëdha se ato të realizuara në këta dy-tre vjet). Ndërkaq, edhe zhvillimet ekonomike të jashtme për këtë vit që po mbyllet, po korrigjohen me ulje të rritjes ekonomike globale, nga 3.3% në 3.1%. Njëhërshi, kjo karakteristikë, ky synim shumë ambicioz, është dhe në funksion të zbatimit të marrëveshjes së Qeverisë me FMN-në dhe plotësimin e kriterit ekonomik të progres-raportit të fundit të BEsë, të bërë publik tri javë më parë, në të cilin theksohej se:

“Shqipëria e ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Është arritur progres në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik, perspektivat e zhvillimit janë përmirësuar dhe ka nisur reforma e menaxhimit të financave publike. Megjithatë, ende mbeten sfida të mëdha. Shqipëria duhet të synojë veçanërisht konsolidimin fiskal, të përmirësojë kuadrin e menaxhimit të buxhetit, të trajtojë nivelin e lartë të huave joperformuese dhe të përmirësojë mjedisin e biznesit, duke forcuar shtetin ligjor…”.

KONSOLIDIMI FISKAL

Pse është i rëndësishëm konsolidimi fiskal? Megjithëse konsolidimi fiskal ka qenë objektiv dhe dy vitet e kaluara, duket se treguesit e mësipërm ekonomikë dhe financiarë (po të kthejmë kokën pas, kur kjo maxhorancë erdhi në pushtet dhe të gjykojmë me gjendjen e sotme) do të na “kënaqnin” më shumë sikur buxheti i vitit 2014 të ndërronte vend me këtë të 2016-s. Por kjo s’ka se si të ndodhë. Prandaj Konsolidimi Fiskal është rruga e duhur. Ky është i nevojshëm, si për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, ashtu edhe për të menaxhuar me efektivitet financat publike, si dhe kjo do të jetë një bazë e mirë për “shëndetin” financiar të vendit për të ardhmen.

Për ndryshe…?! Nisur nga ky gjykim, tre janë treguesit kryesorë që dëshmojnë faktin se Buxheti 2016 (duke qenë më konservator dhe më realist në krahasim me buxhetin e vitit 2015) synon për këtë vit konsolidimin fiskal. Së pari, pas marrjes në kontroll, për herë të parë fillon ulja e borxhit publik, duke hedhur hapin e madh në garantimin në terma afatmesëm dhe afatgjatë të financave publike. Borxhi publik do të fillojë në mënyrë të sigurt trajektoren rënëse, duke zbritur në nivelin 70.9% në 2016-n, nga 72.6% në 2015-n. Së dyti, deficiti buxhetor për vitin 2016 parashikohet të ulet në nivelin 2.2% të PBBsë, nga 4.1% e PBB-së që ishte në 2015-n, me një ulje prej 23.8 miliardë ose 40.9% në raport me Aktin Normativ 2015.

Kjo ulje e ndjeshme tregon një angazhim të fortë për të reduktuar nivelin e borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Në aspektin e financimit të deficitit buxhetor, ky buxhet programon që mbështetja për financim nga tregu i brendshëm të jetë minimale, me rreth 26.1 mld lekë (nga rreth 41.6 mld në 2015), duke lënë në këtë mënyrë thuajse të gjithë hapësirën për kredi bankare drejt sektorit privat. Së treti, ky buxhet programon një balancë primare me suficit prej 0.3% të PBB-së, ndërkohë që pothuajse në të gjitha vitet e dekadës së fundit (përjashtuar 2010) buxhetet janë programuar me deficite primare, mesatarisht -2% të PBB-së çdo vit.

Buxheti 2016, fal politikave të të ardhurave dhe shpenzimeve, borxhit, deficitit dhe suficitit primar të përmendur më sipër, materializon më tepër se çdo vit tjetër përgjatë dy dekadave të fundit (përjashtuar 2008) parimin e të ashtuquajturit “rregulli i artë” i buxhetit. Natyrisht që këta tregues të rëndësishëm, dëshmi e synimit të konsolidimit fiskal të pritshëm, nuk arrihen thjesht nga dëshira dhe shifrat e deklaruara, të vendosura në ketë projektbuxhet për vitin 2016. Por, ky objektiv është i lidhur dhe i ndërvarur nga një sërë faktorësh dhe treguesish të tjerë, ekonomikë e financiarë, nga politikat e prioritetet e zhvillimit ekonomik, nga politikat fiskale dhe veçanërisht nga realizimi i objektivave të të ardhurave dhe nga injektimi i ekonomisë.

Po, nga injektimi i ekonomisë përmes shpenzimeve buxhetore (me financim të brendshëm dhe të huaj) dhe ato që do të kryen nga biznesi dhe, në veçanti, në këtë situatë ekonomike e financiare, një rëndësi merr cilësia dhe eficienca e këtyre shpenzimeve. Çdo cenim i treguesve të më- sipërm do të ndikojë negativisht dhe çdo përcaktim realist dhe i prioritizuar drejt dhe, për më tepër, realizim i tyre dhe me cilësi dhe eficiencë, do të ndikojë pozitivisht në synimin e konsolidimit fiskal dhe do të mbajë të pacenuar standardet e procesit dhe mënyrës së buxhetimit. Sa u përket të ardhurave të projektuara për vitin 2016, të cilat janë në shifrën 387.0 miliardë lekë ose 26.8% e PBB-së, edhe pse janë parashikim më realist në këta tre vjet, pa dyshim që kërkojnë një angazhim më të madh se kurrë, me masa të qarta për të arritur objektivat e vitit 2016.

Një angazhim i tillë buron edhe nga nënperformanca (mosrealizimet) e këtij viti që jemi në të ardhurat tatimore e doganore. Njëhershi, objektivi i vitit 2016 për të ardhurat, edhe pse shoqërohet me një paketë fiskale thuajse neutrale në ndikimin në buxhet, ku nga zerimi i taksimit të biznesit të vogël deri në kufi xhiroje pesë milionë lekë (masë kjo ekstremisht pozitive, nga ku përfitojnë 83.000 biznese, e cila mund të ishte edhe në një shumë minimale si shifër kontrolli) do të duhet të mbështetet në vazhdimësi si nga lufta kundër informalitetit ,evazionit, kontrabandës e korrupsionit, ashtu dhe nga një plan aksionesh, që të mbrojnë sistemin, ku ndryshimet cilësorë në eficiencën e administratës doganore e tatimore duhet të konsiderohen mirë, si dhe nga një përmirësim i klimës së biznesit dhe zgjerim i mëtejshëm i lirisë ekonomike.

Këto masa, në funksion të kompensimit të të ardhurave që do të mungojnë nga taksimi zero i biznesit të vogël dhe “mbrojtjes së sistemit” nga tronditjet. Ndërkaq, në këtë situatë konservative buxhetore të pritshme për vitin 2016, do të duhet një vëmendje më e madhe te cilësia dhe eficienca e shpenzimeve buxhetore…

CILËSIA E SHPENZIMEVE

Fakti që shpenzimet në përgjithësi dhe ato për investime në veçanti, të projektuara për vitin 2016, janë më të ulëta se viti 2015 (për vitin 2015 shpenzimet në total janë parashikuar 417.7 miliardë lekë, ose 27.3% e PBB-së, shpenzimet për investime arrijnë shifrën 76 miliardë ose 5.1 % e PBB-së). Kjo si rrjedhojë e mospërfshirjes në to të shumave për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit (praktikë e realizuar në vitin 2014 dhe 2015) dhe objektivit për konsolidim fiskal, duhet të na kthejë vë- mendjen me shumë te cilësia dhe eficienca e shpenzimeve publike. Kjo bazuar në një analizë të thellë të korrelacionit mes rritjes ekonomike me zhvillimet fiskale (multiplikatorit që lidh këto dy aspekte).

Pra kjo analizë do të mund të na japë një panoramë nëse ky veprim (shlyerja e borxheve të prapambetura) në vitet 2014-2015; çfarë efekti pozitiv pati në veprimtarinë ekonomike, në zhvillimin dhe si do të ndikojnë në vitin 2016 dhe më pas? Pra, duke ditur se si këto shpenzime u përdoren dhe mund të përdoren më pas, për t’u investuar në ekonomi, a kanë ndikuar në punësim, në shlyerjen e kredive dhe të detyrimeve tatimore që kompanitë patën, mund të bëhet një vlerësim, një matje e ndikimit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në ekonomi.

Kjo do të ndihmonte më shumë në analizën e dinamikës ekonomike në Shqipëri, dhe efektin në situatën fiskale të saj, për të tashmen dhe të ardhmen. Gjithashtu, pa diskutim që konsolidimi fiskal do të ketë ndikim në veprimtarinë dhe zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, analiza e rritjes ekonomike që bëhet për vitin 2016 e që konsideron efektin e rritjes së kërkesës së brendshme, nuk mund të moskonsiderojë në të njëjtën kohë, edhe atë, që ulja e shpenzimeve e parashikuar për vitin 2016, do të bëjë presion negativ ndaj kësaj kërkese…

Bazuar në sa më sipër dhe duke marrë parasysh se buxheti 2016 parashikon një konsolidim fiskal drastik, por të nevojshëm për të ulur nivelin e borxhit, ndërsa rritja ekonomike parashikohet në nivelin më të lartë në 5 vitet e fundit (pse jo dhe në rajon!), çështja shtrohet se cilat janë shpenzimet, sidomos ato për investime, që do të mbështesin rritjen ekonomike, në cilat prioritete orientohen ato dhe çfarë cilësie dhe eficience do të realizojnë ato në vitin 2016? Të gjitha këto për të mbajtur në nivelet të dëshirueshme e të pranueshme treguesit kryesorë, në kontekstin e garantimit, të konsolidimit fiskal.

Kësisoj, cilësia e shpenzimeve lidhet me prioritetin, me përcaktimin dhe selektimin e projekteve prioritare, nisur nga roli dhe rëndësia që ato kanë në ndikim të shpejtë dhe më të madh në oportunitetet që krijon në zhvillimin sipas territorit dhe popullsisë (Fondi i Zhvillimit Rajonal), në rritjen ekonomike, punësimin dhe uljen e varfërisë. Prandaj është rasti që këtë analize ta thellojmë më tej, tani gjatë diskutimit të këtij projektbuxheti. Cilësia dhe eficienca e shpenzimeve rritet dhe ndikon për mirë në ekonomi kur ka një harmonizim të drejtë midis shpenzimeve për zhvillim dhe atyre mbështetëse të këtij zhvillimi. Dhe kjo lidhet gjithnjë me prioritetet.

P.sh.: A janë më të leverdishme disa shpenzime për investime infrastrukturore në ndihmë të bujqë- sisë dhe agrobiznesit që afrojnë më shumë prodhimet me qendrat e tregtimit e të përpunimit, apo ato infrastrukturore që afrojnë më shumë qendrat e zhvilluara me pikat turistike dhe plazhet (turizmi), mbështetja e zhvillimeve në porte e në sektorin energjetik (siç parashikohet), në arsim, shëndetësi etj.? Sot ne jemi në gjendje që të programojmë shpenzime që nuk mbulojnë panikun social, por që stimulojnë fort zhvillimin e qëndrueshëm.

Njëhershmi kjo lidhet dhe me rritjen e disbursimit të investimeve të huaja, transparencës së prokurimeve publike dhe më tej me zbatimin korrekt ligjor dhe teknik të projekteve që kontraktohen, probleme këto të lidhura drejtpërsëdrejti edhe me menaxhimin e financave publike (çështje që kanë të bëjnë me kontrollin, supervizionin rigoroz të mënyrës se si shpenzohet dhe ku shpenzohet, çfarë përfitohet nga ky shpenzim). Ndërkaq, për t’iu përshtatur më mirë dinamikes së realizimit të shpenzimeve dhe zhvillimit, do të duhet një rishikim sistematik (gjatë vitit) i shpenzimeve publike, për të motivuar një konsolidim fiskal më të përshtatshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura