Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme ka miratuar tri kandidatura të reja për ambasadorë në Sllovaki, në Hungari dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministria e Jashtme ka propozuar ambasadore në Sllovaki Enkeleda Mërkurin, një nga negociatoret e paktit detar me Greqinë në 2009, që u kundërshtua nga Partia Socialiste në atë kohë në opozitë, duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe rrëzuar atë. Mërkuri ka qenë specialiste në drejtorinë e Ballkanit në Ministrinë e Jashtme.
“Ne duhet të kishim një rregullore si Komision i Jashtëm për të ditur se çfarë procedurash keni ndjekur për katër kandidaturat e fundit që keni paraqitur për ambasadorë”, tha Islami. Tri kandidaturat e djeshme, Enkeleda Mërkuri, për ambasadore në Sllovaki, Arian Spasse, për ambasador në Hungari dhe Ermal Dredha, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, vijnë nga stafi i Ministrisë së Jashtme me gradën e këshilltarit. Islami në përfundim të mbledhjes, në një debat me anëtarët e këtij komisioni, tha se po propozohen ambasadorë, jo njerëz karriere në diplomaci, por persona me mbështetje politike.
“Ravesa Lleshi, kandidatja për ambasadore në OSBE-së, u propozuar vetëm pse ishte vajza e Ismail Lleshit. Ne duam të çojmë njerëz karriere dhe jo fëmijët e njërit dhe tjetrit. Të gjithë kemi fëmijë, por nuk i propozojmë në këto poste”, u shpreh Islami. Nga ana e tyre, kandidatët për ambasadorë premtuan se do të forcojnë shkëmbimet ekonomike me vendet ku do të shërbejnë, por dhe do të punojnë për njohje të mëtejshme të Kosovës.
© Panorama.al
Comments are closed.