“Burrneshat” e Kabulit, historia e vajzave që vishen si djem

Jul 22, 2016 | 12:47
SHPËRNDAJE

Ato i quajnë “bacha posh”. Janë vajza që vishen dhe rriten si djem. Një lloj varianti i burrneshave shqiptare, me dallim që ato qëndrojnë të tilla deri në moshën e pubertetit e më pas i nënshtrohen jetës së një gruaje të zakonshme, martohen, bëhen me fëmijë Por ka edhe nga ato që dëshirojnë dhe ia arrijnë të mbeten të tilla për gjithë jetën.

Mehrani, vajza e veshur si djalw  me dy motrat

Ato janë vajzat e fshehta të Kabulit, që zbulohen për lexuesin shqiptar përmes librit me të njëjtin titull, “Vajzat e fshehta të Kabulit”, të gazetares suedeze Jenny Nordberg, një botim i shtëpisë botuese “Morava”. “Megjithëse talibanët u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001, shumë nga ligjet e tyre lidhur me gratë vazhdojnë të zbatohen ende”, shpjegon deputete Azita apo “nëna rebele”, siç thotë Nordberg.

Përparimi i grave kufizohet vetëm në zonat urbane, kurse në zonat e largëta rurale pak gjë ka ndryshuar për gratë, të cilat përjetojnë vazhdimisht dhunën dhe abuzimet: “Janë ende si shërbyese. Si kafshë.

Do të kalojë shumë kohë para se gruaja të trajtohet si qenie njerëzore në këtë shoqëri”, Shtëpia botuese “Morava” sjell në shqip librin “Vajzat e fshehta të Kabulit” të gazetares Jenny Nordberg. Një kërkim në të fshehtat e Afganistanit dhe të bacha posh-eve, vajzave që vishen si djem, derisa martohen thotë ajo. Dhe në këto kushte dëshira e vajzave për të qenë djem është e kuptueshme. Në veshjet e një mashkulli ato mund të kenë lirinë që një vajzë/grua nuk mund ta ketë kurrë.

Kopertina Vajzat e Kabulit

Veshja e vajzave si djem, për arsye nga më të ndryshmet, është e njohur në Shqipëri, ndërsa për botën është ende një fenomen i rrallë, ndaj dhe botimi i librit të Nordberg do të tërhiqte fort vëmendjen e opinionit publik botëror. “Rrëfimi plot shpresë, por edhe zemërthyes i Nordbergut, ofron një pamje mahnitëse të jetës afgane. Ajo nuk është aspak gjykuese. Falë librit të saj, hidhet pak më tepër dritë mbi një vend dhe shoqëri pak të njohur”, shkruan “INDEPENDENT”.

“Ky studim i mrekullueshëm hedh një dritë të re mbi faktin se si është të jesh femër në një vend të deklaruar si më i rrezikshmi në botë për të qenë grua”, vëren “THE OBSERVER”.

LIBRI

Përballja me bacha posh-et ishte thuajse rastësore për gazetaren. Ndërsa priste të intervistonte mbi çështje të të drejtave të grave, Azitën, nënën e katër fëmijëve dhe pjesëtare e parlamentit afgan, ajo do të ishte dëshmitare e një bisede fëmijërore. Mehrani, gjashtë vjeç, hyri në sallonin e apartamentit të Kabulit, mori shenjë Xhenin me pistoletën lodër dhe qëlloi. “Vëllai ynë është vajzë”, thanë ngadalë teksa pohonin me kokë tri motrat.

“Po, sigurisht”, mendoi Xheni. Më vonë, teksa shfletonte albumin e familjes, Xheni zbuloi misterin e bacha posh-eve, “vajzat që vishen si meshkuj”, siç i quajnë afganët. Mehrani ishte një prej tyre. Nuk ishte e lehtë për Xhenin të mblidhte informacione, sepse afganët nuk flasin me të huajt për këtë gjë. “Segregacioni nxit krijimtarinë”, i kishte thënë dikush.

Shukira, whstw veshur si djalw deri nw moshwn 20 vjeç. tani whstw 36 vjeç dhe nwnw e tre fwmijwve

Janë të shumta këto vajza të fshehura, meshkuj për sy të botës, të detyruara të bëhen gra për t’u martuar dhe për të bërë fëmijë kur hyjnë në moshën e pubertetit. Disa prej tyre rebelohen dhe bëjnë çmos që të mbeten burra, si Shadedi që është pjesëtare e një trupe paraushtarake. Apo si Naderi, që nget motorin e makinën dhe që tani që mbushi 35 vjeçe, shpreson ta ketë kaluar moshën kur mund ta kërkojnë për grua dhe të mbetet burrë. “Jam e lirë. Nuk dua të hyj në burg”. Nordberg ndjek pikërisht historitë e tyre.

AUTORJA-GAZETARE

JENNY NORDBERG është shkrimtare dhe producente televizive, korrespondente në Shtetet e Bashkuara e gazetës suedeze “Svenska Dagbladet”, fituese e çmimit “Pulitzer”, që ka bashkëpunuar gjatë me “New York Times”. Për kronikat e saj gazetareske rreth çështjeve “me spec”, nga refugjatët irakianë te bumi bërthamor në Pakistan, ka marrë vlerësime të shumta.

“Vajzat e fshehta të Kabulit”, rezultat i pesë viteve punë hulumtuese, është libri i saj i parë, me historitë e disa bacha posh-eve, ku zë fill tregimi koral, emocionues e mbresëlënës rreth një qëndrese të nëndheshme dhe njëqind për qind femërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura