Burgaj: Në 2012, Policia strukturë të re kundër krimit

Dec 30, 2011 | 11:42
SHPËRNDAJE
Kreu i Policisë, Hysni Burgaj

TIRANE – Në vitin 2012 Policia e Shtetit do të vendosë në zbatim një strukturë të re, me më shumë inspektorë dhe efektiva në terren, të cilët do të kenë për detyrë parandalimin e krimeve. Ristrukturimi i policisë tashmë është hedhur në letër, ndërsa vitin që vjen do të vihet në zbatim, duke sjellë një risi në formën e policimit në komunitet. Informacioni për strukturën e re të Policisë së Shtetit iu transmetua dje gazetarëve nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë pritjes që ai kishte organizuar me përfaqësuesit e medias, me rastin e festave të fundvitit. Burgaj pranoi si një “defekt” të policisë, mosmarrjen në konsideratë të të gjitha informacioneve që transmetohen nga qytetarët, duke u shprehur se është e domosdoshme hetimi dhe nisja e procedimit penal për çdo denoncim që vjen në polici. “Besimi i qytetarëve te policia është rritur ndjeshëm, kjo shihet edhe te telefonatat që ata kryejnë në sallën operative, por duhet ende punë për parandalimin e krimeve”, u shpreh Burgaj. Ai iu referua rastit më të fundit të krimit në familje, në Ndroq të Tiranës, kur burri në gjendje të alkoolizuar vrau me automatik gruan. “Rasti i Ndroqit duhet të shërbejë si një mësim për policinë. Banorët e fshatit deklaronin se dëgjonin pothuajse çdo natë të shtëna armësh nga shtëpia e autorit dhe nga policia nuk ishte bërë asgjë që një person i tillë, që ka probleme me alkoolin dhe mbi të gjitha, që mban një armë zjarri në shtëpi, të arrestohej në kohë, para se të kryente krimin në familje. Ajo ngjarje mund të ishte parandaluar, në rast se policia do të ishte më vigjilente”, deklaroi Burgaj. Gjithashtu, drejtuesi i Policisë së Shtetit ngriti si një problem mjaft shqetësues mbledhjen e provave për arrestimin e autorëve të ngjarjes. “Është mjaft problem sigurimi i provave të nevojshme për autorët e implikuar në krime të ndryshme. Në rrugë operative ne mund të kemi informacione konkrete për autorësinë e një ngjarje, por deri në një moment që nuk kemi prova të mjaftueshme, nuk mund të bëjmë asgjë për ta arrestuar autorin”, shtoi Burgaj.

Janinë, kapen 80 kg drogë nga Gjirokastra
JANINE – Droga e Lazaratit ka kaluar sërish për në Greqi në orët e para të së enjtes. Një sasi prej 80 kilogramësh marijuanë është kapur në 5 km thellësi të territorit të tyre, afër Janinës, duke vënë në pranga dy të rinj shqiptarë. Sipas policisë greke, dy djemtë janë kapur duke transportuar marijuanën në një automjet me targa greke të vjedhur një javë më parë në zonën e Kifisias. Mekanizmi që përdorën të rinjtë për të kaluar drogën ishte i mirëkoordinuar. Ata kishin hyrë në territorin grek nga Kakavija me një automjet me targa shqiptare së bashku me marijuanën. Pasi kanë mundur ta kalojnë në doganën shqiptare dhe greke pa u pikasur ata kanë ndërruar automjet në hyrje të tokës greke, me qëllim humbjen e gjurmëve. Por pas disa kilometrash, një postbllok policie i ka ndalur, duke zbuluar dhe drogën. Sipas policisë, po hetohet për të zbuluar bashkëpunëtorët e trafikantëve.                        p.n

Kalimtari, shkak i aksidentit me dy të vdekur
Tiranë – Një kalimtar ka qenë shkaku i aksidentit të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ku dy persona gjetën vdekjen pas përplasjes së dy automjeteve. Aksidenti i rëndë ndodhi pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, pasi makina tip “Opel” e drejtuar nga 22-vjecari Ergys Shaqa, ka humbur drejtimin dhe ka kaluar trafikndarësin duke dalë në anën tjetër të rrugës me sens të kundërt lëvizjeje. Policia ka thënë se makina “Opel” ka devijuar drejtimin e lëvizjes për shkak se një qytetar i ka prerë rrugën. Policia ka bërë të ditur dje se automjeti tip “Opel”, me targa AA 237 BI, me drejtues shtetasin Ergys Skënder Shaqa, 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili lëvizte në drejtim kryqëzimi Laprakë – Sheshi Rilindja, si pasojë e humbjes së kontrollit, ka kaluar trafikndarësin dhe është përplasur në korsinë tjetër me automjetin tipi “Benz”, me targa TR 6431 I, me drejtues shtetasin Reshit Tasim Sinakoli, 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili lëvizte me drejtim Sheshi Rilindja – Laprakë. Si pasojë e aksidentit, dy drejtuesit e mjeteve gjetën vdekjen, ndërsa u plagos një pasagjer i mjetit tip “Benz”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura