BRUNA NDREU: Tragjedia e familjes sime, 6 të pushkatuar dhe 150 internime

Feb 27, 2011 | 10:23
SHPËRNDAJE

Rrjedhën e jetës,askush nuk e ka në dorë. Kur ndryshimet vijnë për mirë janë të mirëpritura, por edhe në të kundërt, sado të përpiqesh ta evitosh rrjedhën e gabuar, nuk mund ta ndryshosh drejtimin e lumit. Sot, një javë pas 20-vjetorit të bustit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, mjekja Bruna Ndreu e vizitoi sërish Lubonjën, fshatin e Vlorës, ku kishte kaluar 20 vitet e para të jetës, si për të sjellë edhe njëherë në kujtesë peripecitë e një jete, së cilës fati deshte t’i vinte fundi. Për atë vet, nj vajz e re që ëndërronte veç studimet e larta, nuk ishte vonë. Kishte gjithë kohën përpara për të rikuperuar e për të arrirë ëndrrat që e linin netëve pa gjumë. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Studioi mjekësi, edhe pse jo lehtësisht. Asnjë lidhje nuk kishte me brezin e studentëve me të cilët studionte, bashkëmoshatarët e saj. Dhe jo sepse kishin diferencë moshe, por sepse jetesa që kishte bërë, ishte krejt e ndryshme nga e tyrja. Sa orë rrugëve kishte ecur vetëm për të mbërritur te shkolla e largët, sa herë e kishte parë të atin të pashpresë për fatin e të bijave. E kishte gjithnjë në kujtesë historinë që i patën treguar, për vajin që u dëgjua pas lindjes së saj sepse ishte vajzë e jo djalë. Por nëse të gjitha këto ajo mundi t’i kapërcente, për të atin e gjithë familjarët e moshuar të familjes Ndreu nuk kishin mbetur shumë vite lirie. Të plotë, Bruna na e risjellin pikërisht për këtë përvjetor historinë e familjes së saj.
Çfarë ndikimi pati klima “diktatoriale” e Shqipërisë para 20 viteve në jetën tuaj?
Shpesh thuhet se pasi e ke “përtypur” mirë një të shkuar të vështirë, të ndihmon të jetosh paqësisht të tashmen. Në një farë mënyre, ndoshta vetëm nëpërmjet intuitës, njeriu kërkon të bëjë zgjedhjet e veta utilitare vetëm për të rezultuar në atë që shpesh njerëzit e biznesit e quajnë “kosto efektive”. Por për t’u fokusuar tek analiza e asaj që ne sot e quajmë “festa”, apo 20-vjetori i përmbysjes së përmendores së diktatorit shqiptar, nuk di pse më vjen në mendje një lloj përcaktimi që do të tingëllonte si “shembje e idhujve” e akoma më tej, një përmbysje totale, e cila çuditërisht krijon efektet e kundërta që shkaktojnë përmbysjet – rikthimin në identitet. Me këtë rast, do të doja të falënderoja e të shprehja me konsideratë se ndihem e vlerësuar dhe e nderuar që më jepet rasti të flas sot pikërisht për këtë fakt, sepse prejardhja ime rrjedh nga një nga familjet, emri i së cilës ka qenë gjithnjë i lidhur me faktet e ngjarjet kryesore historike të Shqipërisë. Në raste të tilla përvjetorësh, vjen natyrshëm edhe një moment homazhi për ata që nuk janë më mes nesh. Vjen një moment ku ndonëse jemi ne po ata që kemi jetuar në vitet e errëta të Shqipërisë, teksa kthejmë kokën pas, me një ndjesi lodhjeje vërejmë se vuajtjet paskëshin qenë të stërmundimshme.
Cila ishte familja juaj?
Familja nga e cila rrjedh, është një nga më të përmendurat e më të mëdhatë të zonës verilindore të Shqipërisë. Megjithatë, paradoksalisht, kjo familje e madhe dhe e bujshme, jo vetëm u mënjanua nga pjesëmarrja e saj në ngjarjet historike që do pasonin zhvillimet e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, por akoma më keq, u bë pjesë e historisë së “errët” të saj. Familja jonë e madhe, e cila pas vitit 1946 filloi kalvarin e vuajtjeve nga regjimi komunist, u internua në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë. Një kalvar pafund vuajtjesh, të cilat nisën pas instalimit të sistemit totalitar të Enver Hoxhës, me një bilanc tragjik: 6 pushkatime, dhjetëra të burgosur politikë me mbi 10 vjet burg, shumë të tjerë që morën arratinë përtej kufijve të Shqipërisë për të mos u kthyer më, si dhe konfiskim të pronave, pasurive dhe objekteve historike të ruajtura prej brezash me radhë nga familja e madhe Ndreu. Si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shumë pjesëtarë u internuan e u shpërndanë nga regjimi në vende të ndryshme në Shtyllas të Fierit, Memaliaj, Kavajë, Çermë e Grabian të Lushnjës etj. Edhe prindërit e mi ishin të internuar po kështu në rrethin e Vlorës. Mbijetesa e djemve të Cen Elezit, përshtatja e nevojshme ndaj vuajtjes, shtypjes dhe persekutimit, etja për jetën dhe për të krijuar zinxhirin e vazhdimësisë së kësaj familjeje, kanë qenë faktori më thelbësor që nuk çuan në shpërbërjen dhe humbjen e vlerave të familjes më të madhe dibrane. Fillimisht ata ishin internuar pranë “Kripores” në Vlorë, në kushte ekstremisht të papajtueshme. Me pas, i dërguan në vende të tjera, derisa më në fund, i internuan në Lubonjë të rrethit të Vlorës. Megjithatë, këto vuajtje ishin të njëllojta edhe për shumë familje të tjera brenda fisit tonë. Do të doja të kujtoja me këtë rast xhaxheshën time Hyrie (Tonuzi) Ndreu, e cila edhe pse vetëm e fejuar me xhaxhain tim Rexhepin, erdhi të jetonte në ato kushte të pamundura së bashku me fisin Ndreu, edhe pse i shoqi ishte në burg. Ata nuk e kishin kryer ritin e martesës, por “besa” ruhej nga familjet dibrane edhe në kohën kur pabesia brenda sistemit që u instalua në Shqipëri ishte shndërruar në një institucion të jetës së përditshme.
Po kështu edhe vajza nga familje të njohura vlonjate si Murataj, Lamaj, Danushaj, Grabovaj e Agaj do të krijonin familje me ata djem të jashtëzakonshëm të fisit tonë, për t’i dhënë jetë atij zinxhiri vazhdimësie të familjes së madhe Ndreu.
Paraardhësit e mi, studentë të shkëlqyer në Firenze, do të përballeshin me situata të paimagjinueshme, dhe në kushtet e mungesës së strehimit, të detyruar të merreshin vetë me ndërtime fshatrave, duke ndërtuar banesa për vete dhe për fshatarët që gjetën aty. Ndër ta ishte dhe babai im, djali me i vogël i Cenit, që do të provonte të jetonte në kampet e përqëndrimit që kur ishte fëmijë 12-vjeçar në Bënçë të Tepelenës, Porto Palermo, Berat, etj., duke u kujdesur për nënën dhe motrat, deri kur mbërriti i rritur para kohe nga hallet në Lubonjë.
Cilat ishin arsyet e persekutimit të paraardhësve tuaj?
Familja e Cen Elez Ndreut mori pjesë aktivisht në Luftën Nacionalçlirimtare, si vazhdim i traditave patriotike dhe atdhetare. Menjëherë mbas çlirimit, Cen Elezi doli hapur kundër represionit komunist, mohimit të lirisë së individit, mohimit të pronës, vëllavrasjes në emër të luftës së klasave. Si rrjedhim, Ceni me 15 djemtë e tij morën malet, disa u arratisen, disa u dënuan me 15 vjet  burg. Babai im Bexheti që 12 vjeç u degdis kampeve të përqendrimit me nënën e tij dhe motrat, në Bënçë të Tepelenës, Berat, Porto Palermo, dhe në moshën 22 vjeçe do të përfundonte në Vlorë, ku pas një odiseje degdisjesh nga një fshat në tjetrin, përfundon në Lubonjë, fshat ku u përqendruan të gjithë djemtë e Cen Elezit, e që do të krijonin familjet e tyre me përpjekje të jashtëzakonshme rezistence.
Ku ndodheshit në kohën kur u përmbys përmendorja e diktatorit?
Në të vërtetë e kaluara e Shqipërisë, e kaluara jonë, e kaluara e të gjithë shqiptarëve, vjen e na përzihet ende me kryeneçësi edhe tani që ne festojmë përmbysjen, shembjen e saj. M’u desh të rikthehesha pa dashje në vite nëpërmjet kujtimeve të mia, apo të kujtimeve të rrëfyera nga të parët e mi, për të mbërritur tek dita e rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës, për të kujtuar se atëherë, kur ai “sundonte” sheshin në qendrën e Tiranës, unë isha diku në një fshat të humbur të Vlorës (Lubonjë), shpresëhumbur, harruar kërkundit së bashku me familjen time. Aty ku jetonim ne ishte ende diktaturë. Kishte ende “operativ” që paguhej për të survejuar, “sekretar partie”, “kryetar këshilli” dhe plot bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët e mbanin ende pezull mbi shpirtrat tanë atmosferën e dhunës totalitare. Megjithatë, ne, të internuarit e asokohe, e kuptonim mjaft mirë se ç’ndodhte. Kishim krijuar kodet tona nëpërmjet të cilave merreshim vesh, mbijetonim. Që t’i rikthehem 20 shkurtit 1991, mund të them se ka qenë një ndër kujtimet e mija më të bukura me babain… Ishim ende në Lubonjë, ai ishte asokohe 56-vjeçar, i sëmurë, por mbaj mend që unë rrallë bëhesha koshiente për sëmundjen e tij, sepse ai përpiqej ta mbante veten para të gjithëve. Unë isha në të 17-at e mia, ndërkohë që vazhdoja të lexoja shumë, ndoshta edhe me dëshirën e “vogël” se e bëja atë sadopak të kënaqur. Në mbrëmjen e 20 Shkurtit të vitit 1991 ishim ulur e gjithë familja para televizorit dhe shihnim se si turmat po e rrethonin “malin” e bronztë të stërmadh, dhe habiteshim nga kurajoja e njerëzve. Edhe pse lëkundej nga laku i vendosur në grykë, mezi po na besohej se përmendorja e madhe do të rrëzohej. Dhe nuk bëhej fjalë për rrëzimin e një objekti, por simboli.
Çfarë shije linte diktatura në Shqipëri, kur ju ishit ende në një moshë fare te re?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do thosha se edhe sot e kësaj dite e mbaj mend shumë mirë atë maturinë, të cilën mundohej të na impononte im atë, në mënyrë që të mos binim në kurthin e provokimeve të agjitacionit dhe propagandës. Madje kujtimet e mia zënë fill që në moshë fare fëminore. Ndoshta ishte një cilësi e veçantë e tim eti mënyra që ai dinte ta shndërronte transmetimin e së kaluarës tek ne fëmijët, si një rrëfenjë të bukur dhe krejt natyrshëm, një mënyrë e mençur kjo, për të na thënë se ishim në kampin e të mirëve dhe fisnikëve dhe jo spekulimet mbi simbolet dhe legjendat e sistemit, që detyroheshim të mësonim çdo ditë në shkollë.
Me pjekurinë e sotme, do thosha gjithashtu se konceptin se vuajtja të “komprimon” e të zvetënon, nuk e kam vërejtur kurrë tek ai njeri që nga vitet kur të gjithë e thërrisnin “gjigand” (sepse ishte i tillë dhe punonte si i tillë), dhe deri në sekondat e fundit të jetës tek përpiqej të mos i jepej asaj sëmundjeje të rrezikshme, parkinsonit.
Po në familje si jeni ndjerë mes shumë motrash?
Babai më tregonte sesi ditën e lindjes time, gjithë fisi, madje gjithë fshati kishin ardhur për ta “ngushëlluar”, sepse unë isha vajza e pestë e tij, pas 4 vajzave të tjera.
Pse shihej një fëmijë vajzë si gjemë?
Nuk mendoj se ky mentalitet vinte nga tradita jonë, por fakti i të qenit i internuar ta krijonte me këmbëngulje këtë ndjesi. Një djalë i fuqishëm e përballonte më lehtë urrejtjen klasore, punonte më lehtë në punët e mundimshme për ne të “munduarit”, në ato aktivitete, të cilat unë ende shoh se paskan mbetur të freskëta në memorjen time, si një axhendë rutinore e shpeshfolur nga motrat dhe kushërinjtë e mi. Por sidoqoftë, ndihesha shumë e “llastuar” në familjen time nga më të rriturit. Në memorien time të hershme, mbaj mend më së miri shumë të rinj e të reja kushërinj të mitë shumë të pashëm, që lexonin shumë, dëgjonin vjedhtazi muzikë perëndimore, dhe që po ashtu vjedhtazi, mësonin italisht dhe anglisht në mënyrë autodidakte, pa e shtruar kurrë pyetjen “për çfarë më duhen?”. Kurse të moshuarit, njerëz tepër diskretë, të mençur, por shumë të mbyllur e kishin traditë që mblidheshin për kafe në shtëpitë e njëri-tjetrit duke diskutuar për pleniumin e radhës, se si kishte qenë edhe më i ashpër për luftën e klasave, se si ishim harruar nga Fuqitë Perëndimore, vende që sipas bindjes së padiskutueshme të tyre, bënin politikën e gjithë botës. Fëmijët nuk lejoheshin në ato “oda” dhe shprehja që ka mbetur ende “lodhëse” në subkoshiencën time ishte shprehja më me “inflacion” e nënës sime “edhe muret kanë veshë”! Por mënyrën për të qenë njerëzore, bujare dhe tepër korrekte në shoqëri, prindërit tanë na e transmetuan dhe ne, ashtu natyrshëm, pa urdhra apo përsëritje këshillash. Dhe ne fëmijët u mësuam të bashkëjetojmë me fëmijët e bashkëfshatarëve tanë, u imponoheshim mësuesve edhe për arsyen se ne shkollën tonë vinin shumica mësues shumë të zotë, por me biografi të keqe. E në këtë natyrshmëri marrëdhëniesh, unë u mësova që edhe pse isha e para në klasë, nuk kishte rëndësi që nuk merrja kurrë “fletë nderi”, apo pse hiqesha në mënyre prepotente nga lista e valltarëve të shkollës. Madje u mësova dhe me të qeshurat keqardhëse të familjes, kur vërenin se unë ëndërroja herë baletin, herë kinematografinë, herë letërsinë…
Po më pas, si ishin për ju vitet ’90?
Në vitin 1992 do të zhvendoseshim në Tiranë. Fillova Fakultetin e Mjekësisë. Në të vërtetë nuk kisha një ide të qartë për të “nesërmen”, pa ditur se çfarë bëja më mirë, por e dija mirë se çfarë doja. Më kishte mbetur në mendje një personazh i A.Xh.Kronin në romanin “Vitet e Iluzioneve”. Ishte mjek. Mbase nga pasioni për letërsinë, kisha “gabuar” pa dashje në zgjedhjen time, kisha zgjedhur të bëhesha mjeke e në këtë lloj zgjedhjeje isha bërë pikërisht pjesë e kulturës kolektive shqiptare. Le të më çonte ku të donte e nesërmja. Sigurisht m’u desh një punë rraskapitëse për të kapur hapin e të tjerëve që nuk vinin në Universitet nga ajo shkolla e harruar në Peshkëpi, shumë kilometra larg shtëpisë, e ku më duhej çdo ditë të ecja po kaq kilometra me këmbë. Ishte viti 1994, kur unë dhe babai im do të bënim “udhëtimin pelegrinazh” pikërisht në Vlorë, duke “përshkuar” një zinxhir fshatrash, ku im atë kish harxhuar gjithë rininë e tij, duke ndërtuar shtëpi të reja, shkolla, kopshte, fabrika, pallate etj.
Megjithatë, pas gjithçkaje, ju jeni sërish në Vlorë, aty e keni ndërtuar jetën profesionale e familjare…
Është një “lodër” e bukur e fatit, fakti që unë jam rikthyer në Vlorë. Kam krijuar këtu familjen time, si dhe karrierën time në shërbimin shëndetësor. Ndihem natyrshëm te ky vend, ku 150 njerëz të familjes sime shpenzuan dekada jete, duke jetuar dhe punuar. Por natyrshëm, edhe pse sot ndihem e shpërblyer prej fatit, nuk mund të mos “rrëmoja” në kujtesën time këto ngjarje, të cilat gjetëm rastin dhe i sollëm në përkujtim të ditës së 20 shkurtit, që prej njëzet vitesh, mbetet një festë simbol për të gjithë.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura