Brokaj: Përplasja me Lamen për vrasjet e 2 prillit në Shkodër

Feb 28, 2014 | 13:25
SHPËRNDAJE

Sabit Brokaj
Rrëfimi i ish-ministrit: Nuk u zbardhën vrasjet e Shkodrës.

Brokaj: Përplasja me Lamen, i kërkova dorëheqjen për vrasjet e 2 prillit në Shkodër.

“Hetuesia toleroi krimin, u shkatërrua një Shqipëri e tërë që s’kishte të bënte me protestën kundër sistemit”

Rrëfimi për mbledhjen e Komitetit Qëndror në momentet kur po rrëzohej busti i Enverit.

Brokaj: Nano Kryeministër si tolerant e i papërgjegjshëm.

Ish-ministri i Shëndetësisë në qeverinë “Nano” në pranverën e 1990-s, Sabit Brokaj, në replikën e tij me ish-kryehetuesin e asaj kohe, Qemal Lame, i cilëson të pavërteta rrëfimet e tij në librin “Kur shembeshin themelet” në lidhje me ngjarjet e Shkollës së Bashkuar në Tiranë, vrasjet e 2 prillit në Shkodër etj. Brokaj shprehet se ish-kryehetuesi, i kompleksuar nga e kaluara e tij në shërbim të pushtetit komunist, mundohej të gjente mbështetje te Sali Berisha dhe Azem Hajdari, duke toleruar ndaj akteve kriminale dhe shkatërrimeve që pasuan rënien e sistemit komunist. Brokaj flet për strategjinë e Ramiz Alisë për krijimin e një qeverie të moderuar, jo ekstremiste, me qëllim zbutjen e zemërimit antikomunist të shqiptarëve në fillim të viteve ’90.

…vijon nga numri i kaluar
Nga buronte ky qëndrim i juaji kritik ndaj ish-kreut të Hetuesisë në atë kohë?
Në fakt po krijohej një situatë e turbullt dhe anarkie. Konkretisht, nuk po zbardheshin vrasjet e Shkollës së Bashkuar në Tiranë, por dhe ngjarje të tjera për vendin. E vërteta është se isha i ngarkuar ndaj Prokurorisë dhe Policisë sepse në shtëpinë time, pak net para se të bëheshin vrasjet në Shkollën e Bashkuar, ishte për vizitë një nga drejtuesit e lartë të Policisë. Mbi divan ai la radion. Polici, ose i plotfuqishmi i zonës, e informoi në radio se një furgon me armë dhe njerëz po zbret nga Unaza, hyri te Lagjja 4 në rrugën x, dhe përmendi madje edhe emra. Pra informacioni nga terreni ishte i detajuar. Në një situatë të tillë, mirë ky hetues apo policia nuk merrej me protestuesit paqësorë ose dhe agresivë, po me këto akte kriminale nuk duhej të merrej?! Në këtë pikë unë isha shumë i indinjuar dhe i rreptë me drejtuesit e Policisë dhe Prokurorisë. Ky ishte hetuesi që kishte zbuluar Ramiz Alinë si spiun i agjenturave të huaja në dëm të shtetit, por nuk mundi të zbulonte se çfarë po “gatuhej”?! Do të ishte e mira që ta shpjegonte që si pranoi ky person, i cili i kishte çuar letër Enver Hoxhës ku denonconte Ramiz Alinë si spiun i agjenturave të huaja, të ishte vartës i spiunit?! Të paktën për të larë gojën të jepte dorëheqje, për ta pasur shpirtin të pastër!!!
Po thoni se Lame i ka çuar letër Enver Hoxhës ku denonconte Ramiz Alinë?
E thotë vetë se i kam çuar letër Enverit për Ramiz Alinë se ishte spiun.
Spiun i kujt? Ku spiunonte Ramiz Alia?
Sipas tij ishte spiun i jugosllavëve, i rusëve dhe i perëndimorëve. Tani hajde gjeje se kujt i paska shërbyer Ramizi!!! Letrën ia ka çuar Haxhi Kroit, sekretarit personal të Enver Hoxhës, që me siguri e ka lexuar dhe Enveri, për çudi, as e thirri Lamen dhe nuk dimë se çfarë është bërë dhe me letrën.
Por në vend që të thirrej ky, ndoshta dhe të dënohej për shpifje, ose të dënohej Ramizi, ky vijoi karrierën e tij dhe u “gradua” për këtë “spiunim” si kryehetues nga Ramiz Alia për 10 vjet të tjerë, nga 1981-1992. Shtrohet pyetja: ky kryehetues, si e bëri pazarin me Ramizin, në dëm të Shqipërisë apo pro Shqipërisë?!
Çfarë ndodhi me Hetuesinë për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër?
Pra, për t’u rikthyer te çështja e Shkodrës, ky prokuror aty e ka burimin e qejfmbetjes, te kërkesa ime për dorëheqjen e tij, sepse gjë tjetër nuk më ka lidhur. Në atë qeveri me aq shumë probleme, dhe si “dorë e fortë” dhe “komunist i egër”, siç thotë kryehetuesi, si do më jepej mua viza për në Amerikë?! Kam qenë ministri i parë që kam hyrë në Departamentin e Shtetit që në 4-5 maj. Takimi i parë ka qenë me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Senat dhe takimi i dytë ka qenë me Fischer-in e famshëm, kryetarin e Helsinkit të SHBA, nga më të njohurit e politikës amerikane. Këtë e them jo për të treguar bëmat e mia, por për të treguar se unë nuk hyja te brezi i komunistëve të egër që “po u ikte pushteti dhe po ia merrnin armiqtë e popullit”.
Kishte një strategji nga Ramiz Alia për të krijuar një qeveri të butë për të ruajtur ish-Byronë Politike?
Qeveria e Nanos, por dhe e Ylli Bufit, nuk ishte një qeveri e fortë, por e butë, me një strategji të caktuar për të krijuar një mekanizëm zbutës mes reaksionit të madh që vinte nga poshtë dhe Byrosë Politike dhe qeverisë së saj, nga ana tjetër. Realisht ishte një manovër për kalimin e butë të pushtetit, gjë që dukej qartë dhe te njerëzit që ishin zgjedhur si ministra. Edhe Gramozi, që ishte arsimtar dhe u mor nga Tepelena, pasi kishte bërë nja dy detyra atje, nuk ishte dorë e fortë. Hijen mund ta kishte të rëndë, por asnjëherë, as atëherë e as më vonë, nuk tregoi ndonjë dorë të fortë për ta akuzuar. Ai ishte aq tolerant sa dhe të tjerët. Nano u zgjodh i studiuar mirë, për tolerancën, por dhe papërgjegjshmërinë e tij, sepse i tillë duhej në atë periudhë delikate për vendin, të kalimit të pushtetit. Ylli Bufi u bë Kryeministër pikërisht për natyrën e qetë, jo konfliktuale dhe për të krijuar një qeverisje pa tensione, edhe pse situata ishte shpërthyese. Një qeveri amortizuese që kishte përballë një opozitë të egër dhe një popull të varfër. Partia e Punës për këtë arsye vuri Nanon, Bufin dhe ne të tjerët, jo si ekstremistë dhe të egër, por si amortizues të asaj situate që mund të degjeneronte në luftë civile.   
Në rrëfimet e tij, ish-kreu i Hetuesisë e shfajëson veten në krye të këtij institucioni kur thotë se mungesa e dënimeve vinte nga puna e dobët e Policisë, e cila nuk mblidhte prova të mjaftueshme për të dënuar ata që arrestoheshin?
E vërteta është se kishte një gjë objektive dhe deri në një masë unë e justifikoj. Organet e diktaturës së proletariatit, pjesë kryesore e të cilave ishte ky hetues, që kërkon të na “shpëlahet” tani, u vunë në një pozitë të vështirë, mes zbatimit të ligjit të sistemit të diktaturës dhe aspektit politik që kërkohej të sillej në mënyrë më të moderuar. Nga ana tjetër, këta, duke qenë dhe në raporte personale, siç ishte ky me Saliun, Azemin apo dhe të tjerë drejtues, ishin nën dilemën se çfarë pozicioni duhet të mbanin për të ardhmen. Veçanërisht ky hetues afatgjatë, i cili qëkur ka mbaruar shkollën, hetim ka bërë dhe prokurorin, apo drejtues të Policisë, vuanin aktivitetin e tyre të viteve të shkuara. Ata e dinin shumë mirë që ndryshimi do të ishte rrënjësor dhe ata domosdo do të prekeshin nga ky ndryshim. Këta nuk dinin me kë të merreshin, me protestat paqësore që s’mund të merreshin dot, sepse ishin legalizuar tashmë, por, nga ana tjetër, këta po toleronin dhe krimin.
Pse e thoni këtë?
Sepse krimi u tolerua. U shkatërrua një Shqipëri e tërë që s’kishte të bënte me protesta kundër sistemit, por me shkatërrime dhe vjedhje vandale ordinere. Këta punonjës të ligjit në Shqipëri, që nga Policia dhe Prokuroria, nuk prekën njeri. Çdo lloj kërkese që t’u bëje, se çfarë po ndodh, nuk kishe përgjigje. Më kujtohet saktësisht kur kanë ndodhur djegiet në Laç. Në një mbledhje qeverie, Ylli Bufi, Kryeministër, me shejtanllëk, por që mua më pëlqeu për të dëgjuar direkt se cila është situata, la hapur me altoparlant telefonin kur komunikonte me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Laçit, i cili i thotë: “Turmat janë ndezur dhe po drejtohen nga kombinati. Më dërgoni policë”. Drejtori i parë i Policisë thotë: “I kemi çuar trupat e Mamurrasit”, që ishin trupat e ndërhyrjes së shpejtë më duket. Rreth 20 ministra të qeverisë e dëgjonim këtë bisedë. Kryetari i Komitetit thotë se nuk bëhet fjalë për 300 veta, se unë këtu kam vetëm katër policë. Ylli Bufi i thoshte drejtorit të Policisë se ku i ka njerëzit. Ai i përgjigjej Kryeministrit se trupat kanë shkuar në vendngjarje. Drejtori i Policisë kishte frikë të komandonte trupat e tij për të ruajtur pronën publike. Alarmi më i madh ishte se në Laç ishin depot e karburantit për të gjithë veriun e vendit dhe turma po shkonte drejt tyre. Uzina e Laçit shpëtoi jo nga policët, as nga forcat speciale, por vetëm nga roja i uzinës. Roja i Uzinës së Superfosfatit në Laç qëlloi në ajër, roje jo me uniformë policie, por civil dhe me armë, dhe turma nga frika u zmbraps. Më pas iu sulën depove të miellit. E vërteta është se kur hyra në mbledhjen e qeverisë, kryetari i SHIK-ut të atëhershëm më thotë se trazirat në Laç po i bën UDB-ja jugosllave. Unë i thashë: Thuaju këtyre në qeveri! Ai s’kishte kurajë të raportonte. Kjo tregonte kompleksimin nga e kaluara e tyre dhe mundoheshin të ruanin veten për të nesërmen. Por kjo përshtatje e tyre në fakt, solli shumë dëme. Ka një thënie që nuk e di saktë se e kujt është: “Të ashtuquajturit tolerantë, oportunistët dhe frikacakët, shkaktojnë më shumë gjakderdhje se sa diktatorët, sepse e fusin vendin në anarki”. Kjo thënie më vinte çdo natë në vesh në atë kohë, sidomos kur shkoja në mbledhjet e qeverisë. Ky Hetuers i Përgjithshëm ishte një nga ata. Tani na del të shkruajë broçkulla. Për mua mund të ketë ndonjë të vërtetë, por ngjarjet kryesore janë të manipuluara. P.sh. ajo e Ramizit, që i dërgon letrën Enverit duke e akuzuar si spiun të disa agjenturave, ky shpëton i gjallë dhe më pas e mban Ramizi për 10 vjet dhe punojnë bashkë, kjo është absurde. Gjëra të tilla nuk ndodhnin në atë kohë. Ne dimë që për akuza më të lehta janë zhdukur njerëzit. Ai regjim, kur bëje akuza të tilla, ose të likuidonte, ose të komprometonte e të bënte për vete.
Ky shprehet se nuk i tregon sekretet e spiunllëkut të Ramizit sepse ishin të rëndësishme dhe që lidheshin me sigurinë kombëtare. Unë pyes: Po ata që i dhanë Qemal Lames azilin politik, zbulimi gjerman, e ka marrë vesh prej tij sekretin e Ramizit si agjent i huaj?!!! Në ç’masë qëndron siguria kombëtare kur sekretet e këtij vendi i dinë të huajt dhe nuk i dinë të brendshmit?!!
Ish-kryehetuesi shprehet se ju dhe Gramoz Ruçi ishitg “dora e fortë”…
Manipulon pastër për të thënë ato që do dhe jo realitetin. Gramozi hijen e kishte të rëndë, se “dorën e fortë” Gramozit nuk ia kanë parë as atëherë kur ishte ministër, e as më pas. Asnjëherë s’ka qenë dorë e fortë. Ky ishte realiteti. Ministria që drejtonte Gramozi mund të kishte hije të rëndë, por jo dorë e fortë e ministrit. Gramozi u provua dhe në gjyqin e Shkodrës, kur ai vajti dhe vetë atje burrërisht dhe dëshmoi për orë të tëra. Unë apo qoftë dhe Gramozi s’kishim se çfarë të vuanim nga e kaluara jonë. Në atë kohë që flet ky hetues unë e kisha parë botën në 5-6 vende dhe e kisha kuptuar se Shqipëria po shkonte drejt ndryshimit, ishte vetëm çështje kohe. Ajo që mua më lëndonte ishte pse ky ndryshim po bëhej me krim, me trauma dhe me shkatërrim. Kurse këta ishin realisht të kompensuar nga e shkuara e tyre dhe nuk dinin se çfarë karrige do të zinin. Dhe këtu ndodhi. Ky hetues është përgjegjës që shumë krime që u bënë, vrasje dhe shkatërrime, mbetën të pazbardhura dhe të pasaktësuara që nga viti 1991 dhe që krijuan psikozën e kompleksit dhe komprometimit në Prokurori e që vazhdoi për vite të tëra për ta pasur mirë me pushtetin dhe jo me ligjin.   
Në një moment në librin e tij, Lame shprehet se Ramiz Alia ka urdhëruar të qëllohej mbi protestuesit kur rrëzohej statuja e Enverit. Keni dijeni për këtë?
Edhe kjo është një nga trillimet e tij të ulëta. Unë kam qenë në sallë si ministër dhe nuk është e vërtetë që Ramizi dha urdhër që të qëllohej ndaj protestuesve. Ishte pikërisht ky qëndrim i Ramizit që bëri disa nga anëtarët e Byrosë Politike që t’i kundërviheshin Ramizit duke kërkuar reagim të fortë. Në fund, Rita Marko u shpreh se duhet t’ia lëmë vendimmarrjen Ramizit që të vendosë vetë se ç’do të bëhet me situatën. “Në këtë moment ne nuk mund të marrim asnjë vendim”, iu drejtua mbledhjes Rita Marko.

Qemal Lame, libër për vitin e fundit të regjimit
Ish-kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme në vitet 1981-1992, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Onufri”, hedh në qarkullim librin me kujtime “Kur shembeshin themelet”. “Gjatë shumë vitesh të kohës së socializmit, lexuesi shqiptar ka qenë familjarizuar me shprehjen ‘kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re’, e cila ka shërbyer njëkohësisht si titull për një nga veprat kryesore të Enver Hoxhës. Libri ‘Kur shembeshin themelet’ i Qemal Lames është, siç e tregon titulli, një antinom, një përmbysje e asaj çka përshkruan diktatori shqiptar. I hartuar nga njëri prej drejtuesve më të lartë të mekanizmit shtypës të shtetit diktatorial, kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës, libri është një dëshmi e saktë e vitit të fundit të rendit komunist, e panikut, tmerrit dhe çoroditjes së një kaste në prag të rënies së saj”, thotë botuesi i librit, Bujar Hudhri. Sipas tij, duke iu referuar pohimit të autorit, “burimet dokumentare të librit, përveç ditarit të përditshëm të punës si kryehetues, përfshijnë dokumente autentike të Hetuesisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Arkivit Qendror të PPSH, Kuvendit dhe Presidiumit të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave të Republikës, të cilat ndodhen tani në Arkivin Qendror të Shtetit”.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura