Bregdeti vijë e kuqe/ Rama si para 8 vitesh: Prishja e ndërtimeve pa leje të fillojë tani

May 15, 2021 | 8:38
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e një operacioni nga Velipoja në Ksamil për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje.

edi rama

Ashtu si para tetë vitesh, kur sapo kishte marrë mandatin e parë qeverisës, Rama i kërkoi dje Policisë së Shtetit që të forcojë maksimalisht kontrollin mbi territorin e veçanërisht vijë bregdetare.

Kreu i qeverisë kërkoi prej tyre që fillimisht të merren me ata që kanë shkatërruar vijën bregdetare duke hedhur gurë në det e ndërtuar pa kriter dhe jo me fshatarët që ndërtojnë një mur apo një avlli.

Kryeministri Rama përsëriti përpara drejtuesve të Policisë së Shtetit kërkesën e tetë viteve më parë, që ndërtimet pa leje janë një krim dhe duhen trajtuar si të tillë. Për kreu e qeverisë, ndërtimet pa leje në bregdet kanë vetëm një arsye, korrupsionin, ndërsa kërkoi nisjen e prishjeve në çdo qytet përpara fillimit të sezonit turistik.

“Duke filluar nga zonat turistike, nga zonat e mbrojtura, nga zonat trashëgimi kulturore, nga qytetet, pa u hallakatur në maja malesh, ku një fshatar rregullon një mur apo një çati. Sepse numri i ankesave që vijnë nga pjesa rurale për prani të policisë tregon se kapaciteti i vrojtimit dhe i goditjes së Policisë është 100 për qind. Por fatkeqësisht tregon se është një kapacitet që shfrytëzohet për të goditur më të dobëtit, por është larg përgjegjësinë për të goditur më të fortin.

Kjo është Policia e Shtetit që shfarosi fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit, nuk është një polici që erdhi nga Hëna. Atëherë, pse nuk u bëka e njëjta gjë me një aktivitet që është shumë më i lexueshëm për sytë e gjithë trupës së Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për ndërtime në rërë, në sytë e të gjithëve. Dhe pse u bëka për një fshatar në maj të malit dhe nuk u bëka për ata që ndërtojnë në buzë të detit. Patjetër që në këtë proces Policia e Shtetit ka përgjegjësinë kryesore, por nuk është e vetmja që duhet të marrë gjithë përgjegjësinë, sepse duhen harmonizuar të gjitha institucionet e tjera. Lejet e ndërtimit e tha ministri do ti vihen në dispozicion Policisë për të pasur qartësi të menjëhershme së çfarë objekti ndërti mi lejohet në zonë.

Është e pamundur që një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, të mbushet me gurë deti dhe kjo të ndodhi pa vajtur një këmbë polici për të thënë: çfarë janë këto gurë që po hidhni në det? Dhe të vijë puna te unë, dhe pas 24 orëve të pastrohet, kjo është e papranueshme.

Kjo është korrupsion. Si hidhen gurë në të gjithë bregdetin e Shqipërisë dhe nuk i shihka njeri dhe shkoka kapka një që po ndërton një avlli në Firifistun. Është e turpshme të shkojmë atje kur ndodhin gjëra këtu.

I kam kërkuar ministrit që së bashku me drejtorin e përgjithshëm, drejtorin e IKMT, ministrin e Turizmit, të niset operacion nga Velipoja deri në Ksamil. Tani! Jo në mesin e verës kur të vijnë turistët. Pa asnjë tolerancë. Tani me ndryshimet ligjore penalizohet i gjithë zinxhiri.

Çdo krim ndaj territorit duhet të jetë i barasvlershëm me çdo aspekt tjetër ndaj luftës së saj. Kjo duhet përcjellë në gjithë strukturën e policisë së shtetit. Është e pamundur të tolerohet një situatë e tillë.

Zonat turistike janë si drita e syve për Shqipërinë, janë baza e zhvillimit në funksion të së ardhmes dhe ne nuk mund të vazhdojmë të pranojmë inercinë e një kontrolli. Nëse e shohim në funksion të së ardhmes, është i papranueshëm”, tha Rama.

Gjonaj: Shteti mund të konfiskojë ndërtimet pa leje

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka prezantuar dje ndryshimet e bëra në kuadrin ligjor për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje. Përpara drejtorëve të Policisë së Shtetit, Gjonaj tha se është vendosur një vepër e re penale për shkelësit e ligjit për rrezikim me dashje të jetës së njerëzve.

Ministrja theksoi se me ndryshimet e reja një objekt i ndërtuar pa leje mund edhe të konfiskohet për interes publik, ndërsa investitorët mund të futen në listën e zezë, duke u përjashtuar për 5 vite nga marrja e lejeve për ndërtime. “Policia e Shtetit është përgjegjësi dhe kompetencat për të parandaluar ndërtimet pa leje dhe për të referuar çdo subjekt që ka kryer një ndërtim pa leje.

Një objekt i ndërtuar pa leje tashmë mund të konfiskohet për interes publik. Çdo subjekt që ndërton pa leje, investitori do të përfshihet në listë të zezë dhe për 5 vite nuk ka të drejtë të marrë asnjë leje. Çdo punonjës i ngarkuar me një funksion shtetëror që bie në dijeni me paligjshmëri, në rast kur nuk merr masa, kodi penal ka parashikuar një sanksion si vepër penale me dënim deri në 3 vite burg”, tha Gjonaj duke shtuar se “Policia e Shtetit dhe IKMT kanë në dorë çdo instrument ligjor për të përmbushur me devotshmëri detyrën”.

ÇUÇI: POLICIA DO KONTROLLOJË ÇDO CM2 TË TERRITORIT, SHKELËSIT DO NDËSHKOHEN

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka deklaruar se Policia e Shtetit duhet të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e çdo cm2 të territorit, veçanërisht për ndërtimet pa leje, krimet mjedisore dhe krimet ndaj pyjeve.

Në fjalën e tij gjatë një bashkëbisedimi me drejtuesit e Policisë, Çuçi ka dhënë një mesazh të qartë për dhunuesit e ligjit, duke theksuar se duhet ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm, sado i pasur apo i mbrojtur të jetë. “Duke filluar që sot, polici do jetë përgjegjës për çdo shkelje dhe dhunim të territorit, për ndërtimet pa leje, të pyjeve dhe mjedisit.

Policia e Shtetit duhet të vendosë kontrollin mbi çdo cm2 të territorit. Shqiptarët duhet të njohin Policinë si garantin për çdo dhunë e krim, kundër personit, pasurisë, ashtu dhe për krimet në territor. Ata dhunues nga veriu në jug që do përballen me ligjin si asnjëherë më parë.

Shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtim pa leje. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm, sado i pasur apo i mbrojtur të jetë. Fiksojeni mirë, nuk do ketë më tolerim”, tha Çuçi.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura