Braçe: Guvernatori pranoi dështimin e sigurisë nga njerëzit

Jul 31, 2014 | 11:26
SHPËRNDAJE

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, pas mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në Kuvend, deklaroi se supervjedhja nxori në pah dështimin e auditit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë dhe atij ndërkombëtar.
Braçe theksoi dje se vetë Guvernatori pranoi këtë dështim të kontrollit të brendshëm të financave, ndërsa pohoi se vjedhja nuk është në shifra më të larta se 713 milionë lekë. “Sistemi i kontrollit nga pikëpamja e ligjeve e rregulloreve dhe sistemi teknologjik, përveç ndonjë defekti të vogël, ka funksionuar, ndërkohë pjesa tjetër, ajo që varet prej njerëzve, ka dështuar. Ka dështuar që në hapat bazë që, siç e pranoi dhe vetë Guvernatori, deri tek auditi ndërkombëtar”, tha Braçe.
Z. Braçe, sipas mendimit tuaj, në këtë situatë të paprecedentë të ndodhur, a duhet Guvernatori i Shqipërisë apo Këshilli Mbikëqyrës të japë dorëheqjen?
Nuk jemi ende në këtë fazë. Jemi në fazën e marrjes së informacionit dhe të analizimit të përgjegjësive për të gjithë, përfshirë Guvernatorin, Këshillin Mbikëqyrës, Inspektorin e Përgjithshëm të BSH dhe çdo zyrtari tjetër, që është i ngarkuar përtej veprimtarisë në përmbushje të detyrimit bazë të BSH, stabilitetit të çmimeve, në pjesën tjetër të aktivitetit të BSH, atë të kontrollit dhe të inventarizimit të vlerave monetare.
Ju zhvilluat një mbledhje me dyer të mbyllura, çfarë u diskutua?
Komisioni i Ekonomisë, pa opozitën, mori informacion të detajuar lidhur me gjithçka ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, si dhe një analizë paraprake mbi përgjegjësitë e BSH lidhur me këtë ngjarje, ashtu siç u informuam mbi masat e marra për të rikthyer gjendjen e sigurisë pikërisht në këtë sektor.
Z. Braçe, meqë jemi te siguria. Sa besim duhet të kenë qytetarët shqiptarë pas një supervjedhjeje të tillë? A është cenuar besimi i qytetarëve?
Patjetër që diskutuam edhe për këtë çështje, dhe analizuam faktin që me këtë ngjarje është cenuar rëndë imazhi i Bankës së Shqipërisë dhe i shtetit shqiptar. Kemi kërkuar tolerancë zero për këdo që është përfshirë në këtë veprimtari kriminale brenda BSH, duke nisur nga Guvernatori deri te zyrtari i fundit i Bankës së Shqipërisë, përgjegjës në të gjithë atë zinxhir të kontrollit dhe inventarizimit të vlerave monetare në të tria aspektet. Në aspektin administrativ; Në aspektin ligjor, sepse unë besoj me kaq informacione sa kemi deri me tani, do të duhen përmirësime të rëndësishme ligjore në ligjin për BSH; Në aspektin penal, për të nxjerrë përgjegjësitë e plotë për këdo që është përfshirë në këtë vepër kriminale.
Lidhur me atë që ka raportuar Guvernatori në komision, a ka gjasa që dëmi të jetë më i madh dhe, së dyti, si e ka justifikuar Guvernatori faktin që për katër vite nuk ka funksionuar sistemi i kontrollit?
E para, këto janë çështje të hetimit dhe natyrisht, për sa kohë që do jem në krye të Komisionit të Ekonomisë, për seanca të tilla me dyer të mbyllura, nuk do të merrni prej meje detaje për ato gjëra që janë diskutuar, gjëra që përbejnë sekret hetimor apo edhe bankar. Por dua t’ju garantoj qartazi që të paktën nga raportimi që na është bërë neve, nuk ka asnjë mundësi që vlera të jetë më e madhe se 713 milionë lekë, aq sa është deklaruar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH dhe nga vetë BSH.
Z. Braçe, çfarë impakti mund të ketë në ekonomi e financa?
Nuk ka impakt në ekonomi, veçse dëm financiar në BSH, si dhe cenim i imazhit të shtetit shqiptar, i cili duhet rimëkëmbur, siç e thashë, me tolerancë zero për të gjitha hallkat që janë marrë me pjesën e kontrollit dhe inventarizimit të vlerave monetare në BSH. Për pjesën tjetër të aktivitetit të BSH, që është edhe më e rëndësishme, keni rezolutën e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku ka evidentuar edhe vlerësimet, ashtu siç ka evidentuar qartazi edhe problemet e mëdha në sistem.
Z. Braçe, kur flasim për cenim të imazhit, si mund të përmirësohet ky imazh?
E thashë edhe më parë, me tolerancë zero për çdo përgjegjës. Dhe natyrisht me një reformë të plotë në të gjitha aspektet në Bankën e Shqipërisë, përfshirë rekrutimin e personelit, mbikëqyrjen e personelit dhe reformimin e të gjithë sistemit të kontrollit brenda Bankës së Shqipërisë. Sistemi i kontrollit nga pikëpamja e ligjeve e rregulloreve dhe sistemi teknologjik, përveç ndonjë defekti të vogël ka funksionuar, ndërkohë pjesa tjetër, ajo që varet prej njerëzve, ka dështuar. Ka dështuar që në hapat bazë, siç e pranoi dhe vetë Guvernatori, deri tek auditi ndërkombëtar. Deri atje ka dështuar.
Nga informacionet që keni deri më tani si Komision edhe nga ato që raportoi guvernatori, a konstatohen përgjegjësi nga nivelet e larta?
Jemi duke e kërkuar këtë përgjegjësi. Natyrisht që ishte mbledhja e parë, kemi vendosur edhe me pjesëtarët e tjerë të komisionit, por edhe me palën e BSH, që do të vazhdojmë të ruajmë komunikimin për ato detyra që kemi lënë ne si komision për të ndjekur reflektimin deri në fund edhe të BSH lidhur me përgjegjësitë. Pra, jemi në një proces, nuk mund t’ju them sot se kush e mban përgjegjësinë e drejtpërdrejtë. Ajo që unë dua të nxis, që e bëmë edhe në komision, por po e bëj edhe publikisht tani, është hetimi penal, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë ekspertë të organit të Prokurorisë më shumë sesa ç’ka sot të angazhuar në hetim. Duhen më shumë njerëz për të identifikuar dhe për të hetuar çdo hallkë që nuk ka funksionuar, për të gjetur përgjegjësinë penale dhe natyrisht për të ndëshkuar me tolerancë zero cilindo që është pjesëtar në ketë krim. Kërkoj që Prokuroria të përfshijë më shumë njerëz në këtë hetim dhe hetimi të jetë gjithëpërfshirës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura