Braçe: Fullani gënjeu Kuvendin për inventarin e parasë në Bankë

Aug 31, 2014 | 16:28
SHPËRNDAJE

Erjon Braçe
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, akuzoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë se ka gënjyer në këtë komision lidhur me inventarin e gjendjes së parasë në këtë bankë. “Guvernatori i Bankës së Shqipërisë na paska gënjyer, mua si kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe të gjithë deputetët e Komisionit të Ekonomisë që e dëgjuam të dëshmonte në seancën me dyer të mbyllura në Kuvend një muaj më parë. Deputeti Ervin Koçi e pyeti Guvernatorin nëse ishte bërë vit për vit, për efekt edhe të bilancit të Bankës, inventarizimi fizik i vlerave monetare të administruara në arkat e vjedhura. Guvernatori iu përgjigj se ky inventar është bërë, por sipas standardeve të reja të Bankës Qendrore Europiane, inventari bëhet me zgjedhje në 5% të arkave, kjo është edhe arsyeja pse nuk janë zbuluar më parë arkat e vjedhura”, shkruan Braçe në një status në rrjetin social “Facebook”. Sipas Braçes, edhe pse deputeti socialist Ervin Koçi ka insistuar i habitur se si mund të bëhet bilanci e të certifikohet pa u bërë inventari fizik, Guvernatori sërish ka insistuar se kjo është tani praktika europiane e inventarizimit për shkak të volumit të madh. Për kreun e Komisionit të Ekonomisë, bazuar dhe në hetimin e prokurorisë, Guvernatori ngarkohet me përgjegjësi. “Sot, prokuroria paska zbuluar se një rregullore e vitit 2006 paska sanksionuar inventarizimin fizik të çdo kolie me para dhe referuar kolive të shqyera thotë se ato kanë qenë lehtësisht të dallueshme nga çdo inventarizues. Për këtë arsye, të shtatë punonjësit janë arrestuar!! Pra, Guvernatori ka gënjyer në Kuvend!! Tjetër faj i rëndë ky!!”, shkruan Braçe. Por, për kreun e Komisionit të Ekonomisë, Guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës janë përgjegjës dhe për mosngritjen e komitetit të auditit në Bankën e Shqipërisë, që ishte rekomanduar nga FMN. “Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që në maj 2006 ngritjen e një komiteti të auditit në Bankën e Shqipërisë për të forcuar krahun e kontrollit të brendshëm e të jashtëm në bankë; Inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, në referencë të këtij rekomandimi të Fondit, në çdo raport nga viti 2010 ka kërkuar ngritjen e komitetit të auditit në Bankën e Shqipërisë. Pooor, në asnjë vit nga ai 2006 kur është bërë rekomandimi e deri dje kur është zyrtarizuar vendimi, Guvernatori e Këshilli Mbikëqyrës nuk e morën në konsideratë këtë rekomandim. Kjo është e vërteta dhe ngarkon me përgjegjësi Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të Bankës”, shkruan Braçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura