Botuesi “vret” shkrimtarin shqiptar, s’ka ekzistuar kurrë

Jul 14, 2011 | 12:50
SHPËRNDAJE
“Dimër në Tiranë”, botimi i fundit i Jiri Kajanë

Pak ditë më parë u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare shkrimtari shqiptar Jiri Kajane.I konsideruar si “shkrimtari i dytë më i madh shqiptar pas Kadaresë”, Kajane nuk arriti dot të ketë në vendin e tij atë sukses që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo, për shkak të regjimit komunist të vendosur në Shqipëri, i cili nuk kishte vend për shpirtrat e lirë”. Vepra e tij “Nesër, përditë” u ndalua nga regjimi në vitin 1981. Një nga botimet e fundit të tij është përmbledhja me tregime “Dimër në Tiranë”, ndërkohë që shumë prej tregimeve të tij janë botuar në revistat letrare më të mëdha në Amerikë. Por, Kajane ndoshta ende do të ishte gjallë nëse botuesi i veprës së tij nuk do të ishte trembur prej skandalit të blogut të rremë të lesbikes siriane. Botuesi amerikan tregoi të vërtetën që e dinte prej kohësh në “The Guardian”: Jiri Kajane nuk kishte ekzistuar kurrë, megjithatë bëri që të gjithë ta besonin ekzistencën e tij. Me të vërtetë tregimet e firmosura me këtë emër janë botuar në revista të njohura letrare. Në klasifikime autorësh ai është konsideruar si ndër më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe dhe tregimet e “tij” janë përfshirë nëpër antologji të rëndësishme letrare. Ditëve të fundit, një mori gazetash kanë shkruar mbi rrengun e dy ish-studentëve amerikanë. Sot, njëri prej tyre është pedagog, tjetri punonjës i FBI-së.
Shpikja e një shkrimtari
Mashtrimi letrar u vu në jetë nga dy studentë të krijimtarisë letrare në Los Angeles, që, pasi kishin tentuar më kot rrugën e suksesit, në vitet ’90, gjetën një tjetër rrugë “hakmarrjeje”, duke nisur nëpër shtëpitë botuese tregime të firmosura nga një autor me emrin Jiri Kajane. Gati një roman brenda romanit. Në fantazinë e tyre, autori kishte lindur në Shqipëri, një vend mjaftueshëm ekzotik, për sytë e ndonjë botuesi të vogël.
Botuesi i gënjyer
Kështu, Kevin Phelan e Bill U’Ren, studentë në “University of California” në Los Angeles u transformuan në Jiri Kajane. “Si autorë të rinj kishin zbuluar se historitë e tyre në një mjedis bashkëkohor amerikan nuk arrinin të kapnin vëmendjen, kështu që zhvendosën vendngjarjen, duke lënë gjithë pjesën tjetër”, ka pranuar për “The Guardian”, Ian Jack, botuesi, i cili e hëngri karremin e mashtrimit nga dy studentët. Njëri prej studentëve, Phelan, ishte prezantuar si mik i ngushtë, por edhe përkthyes i Kajanit, autor që sipas biografisë së stisur, pas terrorit të sistemit komunist preferonte të jetonte i veçuar nga bota.
Ekzotizëm shqiptar
Kështu, faqe pas faqeje (gënjeshtër pas gënjeshtre), historitë e Kajanit arritën të kishin goxha sukses mes të pasionuarve të letërsisë. Ishin vitet ’90 dhe rënia e Murit të Berlinit e kishte shuar interesin kundrejt vende të Lindjes, por Shqipëria dukej ende shumë e largët dhe e paeksploruar dhe arrinte të shkaktonte një lloj kurioziteti ekzotik. Por, fakti më interesant dhe argëtues është se njëri nga studentët, U’Ren, nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri, ndërsa Phelan kishte bërë nja dy udhëtime. Mjaftueshëm për t’i bërë të besueshme tregimet e për t’i dhënë ngjyrë peizazheve.
Në antologji me emrat “Big”
Me kaq limitohej eksperienca e tyre në Tiranë. Por që mjaftuan për të shtrirë tregimet e tyre, të cilat përfunduan nëpër antologji pranë emrave të rëndësishëm si Ian McEwan, Joyce Carol Oates, Graham Greene dhe Ernest Hemingway. Deri në të famshmin recension të “Time Out”, që e përkufizoi autorin inekzistent si “të dytin shkrimtar shqiptar të gjallë më të rëndësishëm”, i cili është prej mishi e gjaku dhe ka fituar një mori çmimesh ndërkombëtare, si “Man Booker International Prize”, “Princi i Asturias” etj.
Suksesi i ekzotikes
Ian Jack e zbuloi lojën fare rastësisht. Ai ishte aq i pasionuar pas shkrimeve të Kajanit, saqë donte t’i botonte në total. Në këtë pikë, njëri prej autorëve, zhelan u dorëzua dhe tregoi të vërtetën. Por jo përpara se të hiqte “një guriçkë nga këpuca”. “Përse të njëjtat tregime të shkruara nga ne, nuk janë më interesante?”, ka pyetur autori i ri. Në fakt, nuk ka një përgjigje tamam. Ky është një nga paradokset e letërsisë.
Vdekje imagjinare dhe jetë on-line
Sot, U’Ren, në mënyrë ironike jep mësim mbi krijimtarinë në Baltimora, kurse Phelan punon pikërisht për FBI-në në Kaliforni. Në ueb janë ende historitë e tyre në formatin e-book, nën emrin e Kajane, i cili ndonëse nuk ekziston, vazhdon të ketë një jetë kibernetike. Botuesi Ian Jack nuk kishte folur kurrë publikisht për këtë episod dhe kështu vendosi që ta “vrasë” Kajanin. Por, vrasja ndodhi pas bujës që bëri rasti i blogut fals të sirianes lesbike.

Blogu i rremë i lesbikes siriane
Nuk ka ekzistuar asnjëherë ndonjë lesbike siriane e persekutuar në vendin e saj, por një amerikan në kërkim të famës. Sot, nuk i dihet asnjëherë se kë ke “përballë” në bisedat on-line. Një nga rastet më të fundit ishte ai i Amina Arafit, gjoja një vajze siriane, lesbike, e cila kishte hapur një blog të vetin. E ndodhi që të gjithë e besuan, deri në momentin kur u zbulua se pas kësaj faqeje fshihej 41-vjeçari amerikan, Tom MacMaster, i cili ashtu siç shpresonte, arriti të bëhej i njohur, madje ka bërë edhe kalendar për intervistat, të cilat janë me pagesë sigurisht.

Mbi botimin e fundit

Botuesi Ian Jack

Pas publikimeve nëpër revista, një vit më parë botohet përmbledhja “Dimër në Tiranë”, i cili vjen nën përkthimin e Kevin Phelan e Bill U’Ren. Në përshkrimin e shkurtër që i bëhet librit, thuhet: “Dimër në Tiranë” sjell së bashku për herë të parë 12 tregime të autorit Jiri Kajane. Tregime mbi dashurinë e athët dhe politikës absurde. Vendosur në ditët e fundit të perandorisë shqiptare, një narrator pa emër, zv. ministri i Sloganeve dhe miku i tij i ri, Leni, përpiqen të çajnë mes rrymave politike, aleancave dhe marrëdhënieve komplekse personale. Një botim i rëndësishëm për çdo koleksion të letërsisë së Europës Lindore, që me siguri mund të kënaqë edhe fansat e Ismail Kadaresë.

Biografia e stisur

Jiri Kajanë u rrit në Krujë, Shqipëri. Drama e tij satirike, “Nesër, përditë” (“Tomorrow, Every Day”), pati një sukses të jashtëzakonshëm në botimin e parë në vitin 1981, deri sa u ndalua nga Ministria shqiptare e Kulturës. Për shkak të situatës së pasigurt, para “revolucionit”, vepra e tij nuk është botuar asnjëherë në vendin e tij të lindjes. Megjithatë, tregimet e tij janë botuar të përkthyera në një numër të madh gazetash letrare amerikane, përfshirë “The Chicago Review”, “Glimmer Train”, “Michigan Quarterly Review”, “Fiction Attic”, “Alaska Quarterly Review” etj. Kjo është përmbledhja e parë me tregime.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura