Botim i ri i UET PRESS, Preç Zogaj: Letërsia duhet të të mallëngjejë

Nov 12, 2022 | 11:51
SHPËRNDAJE

Prec ZogajNisur nga një ngjarje e mbetur enigmë deri vonë për të, se përse nëna e tij zgjodhi të shkojë e vetme në varrimin e nënës së saj, autori i ka dhuruar lexuesit një vepër të plotë letrare, ku përplasen kohët, kujtesa dhe harrimi, traditat e vjetra dhe absurditeti i një regjimi të sapo instaluar…Për Preç Zogajn. “Bija e vjetër e nënës së re” është ndër veprat që ka më përzemër. Shkrimtari Rudolf Marku e cilëson si ndër më të mirat  e letërsisë shqipe

Nëse ndodh ta pyesin se ç’libër do të veçonte mes veprave të tij, në poezi e në prozë, Preç Zogaj rrëfen se do të qe kjo novelë, me të cilën lajmëroi se do të gjendet për lexuesin në ditët e Panairit të Librit.

“Bija e vjetër e nënës së re”  është ndoshta ai krijim që e përmbush idenë e shkrimtarit, se letërsia duhet të të arrijë të të prekë, të të emocionojë…të të mallëngjejë. A nuk janë fundja artet dhe letërsia mjeti për të arritur çlirimin përmes katharsisit?!

Është vepra që autori e vlerëson si më të mirën, ngase temë qendrore- ashtu si edhe në poezitë e tij – është figura e nënës.

“Ka shumë elementë të nënës sime”, zbulon Zogaj gjatë një diskutimi rreth librit, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ndërsa kjo vepër vjen në siglën e botimeve UET PRESS.

Nisur nga një ngjarje e mbetur enigmë deri vonë për të, se përse nëna e tij zgjodhi të shkojë e vetme në varrimin e nënës së saj, autori i ka dhuruar lexuesit një vepër të plotë letrare, ku përplasen kohët, kujtesa dhe harrimi, traditat e vjetra dhe absurditeti i një regjimi të sapo instaluar, duke i bërë personazhet e novelës të lundrojnë si një distopi. Më shumë se revolta apo kryengritja, ajo që përjetoi ai brez i parë që pa instalimin e regjimit komunist, sipas Zogajt ishte habia. Vetë ai, thotë se ishte dëshmitar i kësaj habie, rrëfyer nga prindërit dhe gjyshja.

Ç’do të thotë të mos shkosh në varrimin e dikujt, që duhet të shkosh sepse nuk e lejojnë rregullat e reja të shkosh? Si mundet familja me të cilën ke lidhur miqësi ta pranojnë një qasje të tillë, të të bëjnë të kuptosh se nuk je i mirëpritur? Këto janë drama që e ashtuquajtura “luftë e klasave” prodhoi.

Zogaj thotë se nuk ka tendenciozitet në këtë vepër të tij, pasi ky i fundit e vret letërsinë. Nuk ka as mendjemadhësinë t’i rrëfejë një brezi lexuesish atë që ndoshta nuk e kanë jetuar e as e dinë.

“E tregoj këtë thyerje të një virtyti shekullor, që është në ashtin e racës dhe të njerëzimit nga një aksident i historisë që është lufta e klasave”, thotë ai. Shpagimi për padrejtësitë e një kohe absurdi, i mbetet në fund letërsisë. Ndreqja, thotë Zogaj duke cituar Kunderën, i mbetet harrimit. “Atëherë për  të marrë hakun, në sensin e rivendikimit, nuk  ngelet veçse  letërsia. Jam i motivuar nga kjo gjë, siç kam shkruar Anjezën…, kam shkruar edhe këtë”, vijon autori.

Libri sillet midis dy kohëve, por  e shkuara dhe e tashmja shkrihen.

Një grua rreth të tetëdhjetave, Marija, futet në dhomë ne gjumit të djalit të saj të madh, Franit, sikur po e ndjekin për ta vrarë… Në ëndërr  i është shfaqur nëna e  saj e re, e vdekur 60 vjet të shkuar. Nga ai moment, shtëpia e Franit,  në Tiranë shtohet me një fantazmë,  atë të Marës, gjyshes që nuk e ka njohur.

Nga largësia  e gjashtë dekadave, bija tashmë e vjetër kujton nënë e saj të re, e cila ka vdekur në moshën 40 vjeçare.

Ky, sipas kritikut Halil Rama, është një moment kyç që rrëfen intrigën dhe misterin e novelës së Zogajt.

Bija niset e  vetme në mortin e nënës, e pashoqëruar nga familjarët e bashkëshortit të saj, me të cilin u martua me shkuesi, për shkak të rregullave të reja të regjimit dhe ndarjes klasore. Familja e vajzës heziton ta kthejë bijën tek familja e burrit, e fyer për mënyrën sesi e nisën të pashoqëruar e krejt të vetme.

“Trilli artistik i Preç Zogajt  kalon çdo limit, penda do ta argumentonte artistikisht  këtë akt të paprecedentë për kohën”, thotë Rama, i cili shton se kjo novelë lë mbresa te lexuesi falë mjeteve artistike që autori përdor.

Shkrimtari Rudolf Marku, mik i vjetër i autorit, zbuloi se i pat sugjeruar që ta botonte më vete këtë novelë, që sipas tij mund të klasifikohej fare mirë si roman.

“E kam konsideruar si veprën më të mirë në prozë të Preç Zogajt dhe ndër romanet më të mirë të letërsisë sonë”, vijoi Marku.

Ai u ndal tek disa merita të librit, duke vlerësuar përkujdesin gjuhësor dhe stilistikor me të cilin është shkruar, origjinalitetin vetjak të veprës, koncizitetin dhe atë që ai i cilësoi si balancë të përkryer mes elementëve të prozës dhe poezisë, në strukturën e librit.

“Është një mendim i njohur që çdo vepër artistike duhet të ketë praninë e poezisë. Nëse nuk e ka  bërthamën e poezisë, është vepër që stonon. Duke pasur elementin poetik, jo vetëm që nuk e ka kompromentuar seriozitetin e prozës, por e ka përforcuar atë”, është i mendimit Marku, i cili lajmëroi se së shpejti do i vijë lexuesit me një vepër në prozë, me shtëpinë botuese UET PRESS.

Kthimi i nënës në fëmijërinë e saj, ndrojtja përballë nënës së vdekur e para vetes, një shekull më parë, është gjetje e rrallë sa poetike, filozofike e realiste, në surrealizmin e vet, shtoi ndër të tjera shkrimtari Rudolf Marku.

Një ndër lexueset e veprave të Zogajt , ish-zv/ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi u ndal në dy kohët e librit dhe vlerësoi lidhjet e forta familjare që përcillen në rrëfim, në një kohë, siç theksoi ajo, familja e ka humbur kontekstin. “Ka një butësi që ta jep libri, edhe në mes të një funerali. Vjen butë e ëmbël, si një proces shumë natyror, që duhet të kujtohet”, tha ajo.

Kjo novelë me 105 faqe vjen për lexuesin në çdo librari, por edhe gjatë Panairit të Librit, ku autori do të jetë i pranishëm për të firmosur autografe.

Kjo novelë, bashkë me të gjithë veprën e deritanishme të Preç Zogaj do të jetë pjesë e një projekti të ri të UET PRESS, që synon të bëjë bashkë e të sistemojë veprat e autorëve më të njohur të letërsisë shqipe, në një version plejadë. Ky version do të jetë një prej arkitrarëve të kolanës “Leteratura” të kësaj shtëpie botuese universitare. Pjesë e këtij projekti do të jenë edhe autorë si Rudolf Marku apo Migjen Kelmendi nga Kosova. Të sistemuara, këto vepra do t’u lejojnë më shumë vend dhe hapësirë studiuesve dhe kritikëve që do të merren me to.  Ky projekt letrar i bashkëngjitet veprimtarisë së UET PRESS, me takimet dhe bisedat letrare, botimet e reja dhe çmimin e përvitshëm të letërsisë “Kadare” për prozën më të mirë shqip.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura