“Bota”, Maks Velo: Regjisorja Iris Elezi më ka vjedhur skenarin

Jul 29, 2015 | 13:54
SHPËRNDAJE

2

Maks Velo e ka quajtur Mesas fshatin Adriatik,midis Lushnjës dhe Fierit. Në fakt, ai nuk ka as emër; nuk ka pse të ketë emër sado që ka se kë të përfaqësojë.
Është kufizuar diku hapësira, për të mbledhur një grusht njerëzish, dikur të bashkuar nëpër biruca, sot të lënë në rrugë, në një birucë ca më të madhe. Nuk se të bie ndonjëherë rruga andej, në mos, rastësisht. As Maksi nuk do ta kishte zbuluar, nëse, një ditë, nuk do të kishte vendosur që, bashkë me Bujar Hudhrin, të vizitonte fshatin ku dikur e patën çuar Ismail Kadarenë, pas vërejtjes që i bënë. Nuk është fare nevoja të merremi me interesin e Maksit ndaj kësaj gërmadhe që i zunë sytë. Jo se i bënë përshtypje ato pak pallate, u kuriozua për historitë që jetonin brenda tyre. Dikur kishin jetuar si ai vetë, nëpër burgje. Por, ndërsa Velo i ishte rikthyer kryeqytetit, këta njerëz-hije venin e vinin në një copë rrugë, uleshin nën një hije, i shtynin me këmbë një kockë një qeni dhe, e shumta, uleshin aty… te kafja.

E vetmja kafe e asaj copë toke të plasaritur nga padobia. “Baraka e kafenesë ishte e veçuar si një lumturi e trishtuar. Heshtja në qiell ishte e rëndë me një hije gri të ndarë me shirita. Një qen i vetmuar që vinte rrotull ishte paqësor dhe grumbullonte e lëpinte kockat që hidhnin njerëzit, po kamerieri dilte papritmas dhe e gjuante me një hu që e mbante përskaj derës. Qeni angullinte, vraponte, kapërcente kanalin, por pas dhjetë minutash kthehej prapë. Toka ishte e errët me një përzierje ngjyrash kafe të errët, të zezë plumbi, dhe një grije të shndritshme që ishte krijuar nga mineralet e thara të kripës.

Këneta ishte tharë nga të burgosurit në vitet pesëdhjetë, kishte dyzet vjet, po ishte e pashfrytëzueshme se nuk mbinte asgjë”. -Kjo është vetëm një copëz mbrese, nga ato që Maks Velo, i bërë shkrimtar prej nevojës për të rrëfyer kohët e burgut, hodhi në letër. Nuk e bëri menjëherë; pati kohë plot të takonte miq të shkuar e të rinj që kishin jetuar njësoj si ai, por që edhe pse të dalë nga burgu apo të internuar, vazhdonin të jetonin aty ku i kishin harruar. Kaluan 10 vite deri sa e shkroi. “Klubi Karavasta” doli në treg si roman i shkurtër në vitin 2004, ndërsa sot është pothuajse e pamundur ta gjesh në treg. Nëse nuk do t’i ishte dashur së fundmi, për t’ua dhënë miqve, për të kërkuar mbështetjen e tyre në ngjarjen që po e shqetësonte, me siguri që as do të ishte kujtuar për ta ribotuar.

Njoftimet në media, se së shpejti do të dilte në kinema një film i ri shqiptar, i quajtur “Kafe Bota”, ngacmuan kureshtjen. Maks Velo më pat telefonuar qysh atë ditë për të më thënë se filmi i ri që do të shfaqej ishte i gjithi i bazuar në “Klubin” e tij. U lidhëm asokohe me regjisoren, Iris Elezi, për t’ia komunikuar të gjithën, por refuzoi të përgjigjet, duke kërkuar së pari bërjen publike të akuzës së Maks Velos. Për muaj të tërë, miq kineastë të Velos, që duket se e mbështesin akuzën e tij deri dje të heshtur, pretendonin në një zgjidhje tjetër të kësaj çështjeje, që duket se nuk ndodhi asnjëherë. Pse e vonuat kaq gjatë reagimin? Sepse njerëz të ndryshëm më kanë lënë në pritje për gjatë. Më thanë se Elezi do të kërkonte falje publike, por nuk e bëri. Askush nuk reagon.

Ia kam çuar romanin Ilir Butkës, kreut të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, por nuk bëri asgjë. E çova edhe në Ministrinë e Kulturës, askush nuk më tha asgjë. Ja dhashë Budinës, Flonja Kodhelit, të gjithë këta njerëz mendojnë njësoj si unë, por nuk thotë askush asgjë. Këtu te ne, po ndodhi një gjë, secili thotë: ç’më duhet mua të ngatërrohem. Është e vërtetë që në këtë rast problemi është i imi, por nuk është vetëm i imi, është i kinematografisë shqiptare. Nesër, del një tjetër e merr ç’t’i teket me pretendimin që edhe Maksit i ndodhi dikur dhe asgjë s’ngjau. A keni qenë ju në dijeni për realizimin e filmit, përpara se ta shihnit? Ca kohë më parë, Irisi ka ardhur, më ka takuar e më ka treguar rreth projektit për një film. Bëhej fjalë për një kafene përpara së cilës kalonte autostrada, mirëpo nga çfarë pashë gjithçka ishte tjetërsuar e graviteti ra te të burgosurit politikë. Ajo që më tregoi m’u duk temë relativisht interesante sepse po ndërtoheshin autostrada e ishte ngjarje e ditës. Regjisorja, duke u përpjekur të bëjë ndryshime të kota, bën gabime trashanike.

Në ç’kuptim? I referoheni konkretisht ndonjë pjese të filmit? Pika më e dobët e filmit është që njëra nga personazhet, 20 e ca vjeçare, nuk dinte që mamanë e kanë pushkatuar. Sa e mundur është kjo?!

Vajzat e djemtë, që sa lindnin, merrnin vesh gjithçka për të gjithë fshatin jo më të kishin një të pushkatuar në familje. Mirëpo duke mos e njohur problemin, bëhet gafë. Cilat janë disa nga pikat e ngjashmërisë që pretendoni të ketë mes romanit tuaj dhe filmit? Kur në disa kanale televizive u dhanë disa sekuenca dhe gjithashtu u botuan disa komente të përgjithshme ku thuhej se filmi bënte fjalë “për ish-të dënuarit dhe ish-të internuarit mbetur në vendet e tyre të internimit, u binda që ajo kishte bërë një plagjiaturë totale të xhirimeve të vendit, hapësirës, kafenesë (KLUBIT KARAVASTA), personazheve dhe ngjarjeve. Kafeneja është ekzaktësisht e njëjta që përshkruaj unë në libër. Xhirimet janë bërë pikërisht aty, në të njëjtin vend. Por jo vetëm këto që janë boshti, qoftë i librit, qoftë i romanit, por edhe elementë të tjerë që e plotësojnë, si mikrobusi, qeni, pastaj personazhet, ish-të burgosur. Sigurisht që libri është më i gjerë, por është e njëjta gjë. Nuk është se ka marrë vetëm një element dhe mund të thuash mirë, i shkoi mendja vetë. Në intervistat që ka dhënë, regjisorja ka dhënë përgjigje të ndryshme për pyetjen se si e ka zbuluar vendin që unë e kam quajtur Mesas.

Si e ka zbuluar në fakt? Keni folur ju ndonjëherë për këtë? Unë ia pata dhënë librin ta lexonte, vite të shkuara, por nuk kishte qëllime bashkëpunimi. Atëherë më pati thënë të shkonim bashkë ta shihnim vendin, por ky udhëtim nuk u bë. Regjisorja është në dijeni të akuzave tuaja. Unë vetë kam komunikuar me të.

A është përpjekur të lidhet me ju pasi i ka dëgjuar?

Po, më ka telefonuar pasi kam shkuar te Butka për t’u ankuar. Kërkoi që të bisedonim, por nuk shihja se ç’kishte për të biseduar në këtë mes përderisa gjërat tashmë ishin të mbyllura. Unë e kam konsideruar shoqe dhe nuk u lëndova vetëm nga ana profesionale, por edhe nga ana njerëzore. I ka shkelur me të dyja këmbët gjithë normat e shoqërisë e të respektit dhe ajo që është kryesore, të të drejtave të autorit. Kur më sheh, ul sytë përdhe, se ajo e di mirë ç’ka bërë. Si duket këta njerëz mendojnë se Maksi nuk ka ç’na bën e vazhdojnë me të tyren. Pse nuk guxon njeri të marrë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” e ta bëjë film?! A e dinë këta njerëz që në Brazil, po xhirohej një film, i cili kishte disa elementë fare të vegjël nga romani “Prilli i thyer” dhe për këtë kanë kërkuar leje dhe kanë paguar. Mirëpo këtu nuk funksionon asgjë, sidomos e drejta e autorit. Të vjedhë kush të mundet! Nëse unë vjedh nga sahati i dritës, vijnë e më gjobisin, nuk më lejon njeri, mirëpo kjo punë nuk ka sahat, ama ka njerëz që merren me këtë punë, por në fakt nuk bëjnë asgjë.

Mbi ç’subjekt është bërë novela “Klubi Karavasta”?

“Klubi Karavasta” i referohet një periudhe kohore nga 1990- ta deri në 1997-n. Gjithë letërsia ime merret vetëm me burgjet e diktaturës. “Klubi Karavasta” po ashtu. Në vitin 2003, Virgjil Muçi më kërkoi që për shtëpinë e tij botuese të shkruaja diçka. U gëzova nga ky vlerësim i Virgjilit dhe vendosa të shkruaj një roman të shkurtër. Kisha një temë që qëndronte brenda meje gjatë atyre 10 viteve të fundit. Ishte ajo e ish-të burgosurve dhe ish-të internuarve të mbetur në vendet e tyre të internimit. Ishte temë e përditshme në të gjitha bisedat me të gjithë shokët e Spaçit. Po ashtu, gjatë kohës së burgut kisha dëgjuar histori pa fund për të internuarit. Edhe pse kishte ardhur demokracia, ata kishin mbetur aty. Sidomos, më kishin mbetur në mend tregimet e A.V. që kish vuajtur 40 vjet internim. Këto i vendosa në një shtrirje kohore nga ‘90-ta deri në 1997-n, kur mbyllet edhe romani. Më ndihmoi shumë vajtja në fshatin Adriatik, midis Lushnjës dhe Fierit, prandaj edhe e quajta MESAS në roman. “Dukej që Mesasi ish ngritur me kot”(faqe 6, rr.25, botimi i parë 2004).

Libri del në librari në 2004-n. Shitet aq sa sot nuk gjendet asnjë kopje. Kur shkova aty bashkë me botuesin e “Onufrit”, Bujar Hudhrin, pimë nga një kafe te kafeneja me rogozë e fshatit. Ai peizazh më mbeti në mendje, nuk më ndahej; ajo hapësirë pa fund dhe këneta përbri. Mbasi u botua, librin ia dhashë Kadaresë ta lexonte. Ismaili më tha “Është roman, është më i miri i këtyre viteve pa personazhe kryesore”. Kjo është vepra e parë dhe e vetme në letërsinë shqiptare me këtë temë. Si pretendoni të zgjidhjet kjo çështje? Pretendoj së pari atë që më thanë njerëzit përreth saj se do të bënte, të kërkojë falje publike dhe të kompensohet e drejta e autorit, përndryshe, në shtator do të nis gjyqin, i cili do ta rëndonte edhe më tepër situatën e saj, sepse nuk do të ngelet vetëm këtu. Sidoqoftë, nuk do të doja që të reagonte vetëm ajo, por në përgjithësi, jo vetëm për rastin tim, të reagojnë njerëzit e fushës. Ky është turp për shoqatën e kineastëve, që nën zë më mbështesin, por nuk hapin gojën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura