Bombat, numrat celularë dalin në emra të vdekurish

Sep 30, 2013 | 13:16
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka nisur një hetim në lidhje me mekanizmin e atentateve me lëndë plasëse ndaj personazheve të biznesit dhe funksionarëve shtetërorë, të regjistruara muajt e fundit në disa rrethe të vendit. Këto ngjarje kriminale janë kthyer në problem për Policinë, për shkak të shtimit të rasteve dhe vështirësisë për t’i zbuluar. Burimet nga Policia thonë se atentatet me eksploziv të aktivizuar në distancë, gjobëvëniet, si dhe kanosjet me anë të thirrjeve telefonike janë kthyer në një problem serioz për rendin dhe sigurinë. Të gjitha këto krime realizohen me anë të përdorimit të aparateve celularë. Në këtë pikë policia kërkon pronarin e numrit që ka bërë thirrjen e aktivizimit të bombës apo që ka nisur mesazhet kërcënuese, por të dhënat janë të pasakta. Në shumicën e rasteve, pronari i numrit del një person i vdekur, në raste të tjera persona pa lidhje me ngjarjen apo emra falsë. Kjo situatë ka vënë në vështirësi ekspertët e hetimit të krimeve, duke e bërë gati të pamundur zbardhjen e ngjarjeve të kësaj natyre, që si “armë” krimi kanë një celular. Përgjegjësinë për këtë situatë duket se nuk e ka Policia, por një zinxhir faktorësh që nis që nga regjistrimi i numrit në kompanitë celulare, deri te shitja e tyre në tregun e zi. Autorët e këtyre krimeve e kanë shumë herë më të thjeshtë, madje edhe u leverdis që të blejnë një numër të gatshëm në treg, pa pasur nevojë që të lënë gjurmë askund e në këtë formë nuk mund të identifikohen. Së fundmi, që pas zbulimit të eksplozivit që i ra nga makina kryekomunarit të Golemit, Agron Agalliu, Policia është përballur me një formë më të sofistikuar krimi. Në celularin e vendosur mbi sasinë e tritolit, që për fat të mirë nuk shpërtheu, u zbuluan dy thirrje që kishin tentuar aktivizimin e tij, autorët nuk u zbuluan. Numri nga ishin kryer thirrjet që do të sillnin shpërthimin e minës me celular, u verifikuan. Emri rezultoi të ishte një personi që nuk kishte lidhje me ngjarjen.
VERIFIKIMET
Elementi i përbashkët që lidh këto vepra penale me njëra-tjetrën, pavarësisht natyrës së krimit, është telefoni celular, nga i cili mund të kryhen thirrje nga numra të kompanive të ndryshme. Në këto rrethana, procedura për identifikimin e një numri celular duket mjaft e thjeshtë, meqenëse tashmë asnjë numër celulari nuk figuron i paregjistruar. Vështirësia për zbulimin e autorëve që përdorin celularin si mjet për kryerjen e këtyre krimeve, që nga eksplozivi, gjobëvëniet apo kanosjet, fillon pikërisht në momentin kur Policia zbulon gjeneralitetet e personit, në emër të të cilit rezulton i regjistruar numri. Thuajse në të gjitha rastet, kur Policia ka hetuar ngjarje të tilla, të konsideruara si krime të rënda, numrat e celularëve kanë rezultuar fiktivë. Të regjistruar në emra të personave të ndryshëm, që nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen apo të dëmtuarin. Por, së fundmi është zbuluar se zbardhja e krimeve të kësaj natyre bëhet edhe më e vështirë, duke qenë se numrat figurojnë në emra të personave të vdekur. Për këtë arsye, do të kryhen hetime edhe në njësitë e gjendjes civile, ku një person që humb jetën regjistrohet si i vdekur. Pasi sipas burimeve, tregtarët që shesin numra celularësh kërkojnë bashkëpunim në minibashki për të gjetur emrin e përshtatshëm për regjistrimin e një numri.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura